Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: Lumnitë, stili i vërtetë i jetës së krishterë

“Mund të besosh se je katolik i mirë, por të mos sillesh si i krishterë i mirë. Stili i vërtetë i të krishterit është ai, që na e tregojnë Lumnitë”. Këtë theksoi sot Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar shprehjen simbolike të Ungjillit të sotëm sipas Shën Markut: “Verë e re, në shakuj të rinj”.

R. SH. - Vatikan

Ungjilli, Fjala e Zotit është “verë e re”, verë që na u dhurua. Por për të qenë të krishterë të mirë, duhet edhe “shakulli i ri”, domethënë “sjellja e re”, stili i ri, që është stil vërtetësisht i krishterë e që vetëm Lumnitë mund të na e tregojnë. Ky, kuptimi i “fjalës kyçe” që mbyll Ungjillin e Markut sot: “Verë e re, në shakuj të rinj”. E prej këndej u nis edhe reflektimi i sotëm i Papës gjatë homelisë së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Të jetosh duke akuzuar të tjerët, nuk është sjellje e krishterë

“Për të kuptuar ç’është stili i krishterë - kujtoi Françesku - ndoshta është e mira të kujtojmë së pari sjelljet tona, që janë në stil jo të krishterë”. E Ati i Shenjtë kujtoi tre stile të këtij lloji: “stil akuzues”, “stil sipas mendësisë së botës” e “stil egoist”:

“Stili akuzues është tipik për ata besimtarë, që s’bëjnë tjetër, veçse të padisin të tjerët. Këta njerëz e kalojnë jetën vetëm duke akuzuar: ‘Jo, po, kjo e ajo… Jo, kjo jo!... kjo nuk është e drejtë, ky ishte katolik i mirë, e ai, i keq…’. E gjithnjë e zhvleftësojnë mbarë botën. Këtë stil do ta quaja ‘stil prokurorësh dështakë’: në kërkim të përhershëm të dikujt, për ta akuzuar për diçka. E nuk kujtohen fare se ky është stili i djallit: në Bibël, djalli  quhet ‘akuzatori i madh’, që shkon gjithnjë duke paditur të tjerët”.

Kjo - theksoi Papa - është modë ndër ne, e ishte edhe në kohën e Jezusit i cili, në një mori rastesh, i qorton paditësit: “Në vend që të shikosh fijen e kashtës në sytë e tjetrit, shiko traun në syrin tënd”; ose, akoma: “Kush është pa mëkat, mund të hedhë gurin e parë!”. Prej këndej - kujtoi Papa - të jetosh duke akuzuar të tjerët e duke kërkuar të metat e gjithkujt, nuk është aspak e krishterë, nuk është shakull i ri!

Mendësia e botës rrënon shumë njerëz

E kësisoj është edhe stili, që Papa e quan “sipas mendësisë së botës”, domethënë, stili i botës. Është stil i katolikëve, që mund të thonë gjithë ditën Atynën, por për të jetuar, jetojnë një jetë plot me kotësi, fodullëk, etje për para, bindje se nuk kanë nevojë për askënd, mbasi i mjaftojnë vetvetes:

“Zoti të dhuroi verë të re, por ti nuk i ndërrove shakujt, nuk deshe t’i ndërrosh. Sepse nuk mendon sipas Krishtit, por sipas botës, e kjo i rrënon shumë njerëz! Njerëz të mirë, por që hyjnë në rrugën e kotësive, të fodullëkut, të prirjes për t’u dukur… Humbasin përvujtërinë…e përvujtëria  është pjesë e pandarë e stilit të krishterë. Duhet të mësojmë nga Jezusi nga Zoja, nga Shën Jozefi, që ishin të përvuajtur”.

Indiferenca nuk është e krishterë

E është edhe një stil tjetër, që bie në sy në bashkësitë tona e nuk është i krishterë. Përkundrazi, është “shpirt egoist”, “shpirt indiferent”. Besoj se jam katolik shembullor - shpjegoi Françesku - punët e mia i bëj si s’ka ku të vejë më mirë… E, sa për punët e botës, nuk më interesojnë. Nuk shqetësohem fare për luftërat, sëmundjet, vuajtjet e të tjerëve … edhe të të afërmit tim … E kjo ësht, hipokrizia, për të cilën Jezusi i qorton doktorët e ligjit. E atëhere, cili është stili i krishterë i vërtetë?

“Stili i krishterë është ai i Lumnive: butësia, përvujtëria, durimi në vuajtje, dashuria për drejtësinë, aftësia për t’i mbartur persekutimet e, sidomos, për të mos e gjykuar tjetrin. Ky është shpirti i krishterë, stili i krishterë. Nëse dëshiron të dish cili është stili i krishterë, për të mos shkarë në stilin paditës, stilin e botës, stilin egoist, lexo Lumnitë! E ky është stili ynë! Lumnitë janë shakujt e rinj, janë udha e re, për të arritur ku dëshirojmë. Për të qenë të krishterë të mirë, duhet të kemi edhe aftësinë për ta thënë Besojmën me zemër e, me gjithë zemër, edhe Atynën!”.

21 janar 2019, 13:03
Lexo gjithçka >