Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: Shën Jozefi, ëndërrimtar me këmbë në tokë, na mëson të ëndërrojmë!

Në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, gjatë homelisë së Meshës, Papa kujtoi figurën e Shën Jozefit. U lut, pastaj, për fëmijët sllovakë me kufizime, që realizuan xhinglat e Bredhit të Krishtlindjes, vendosur aty, pranë altarit papnor.

R. SH. - Vatikan

“Jozefi është njeri, që di të shoqërojë në heshtje”, “njeri i ëndrrave”. Dy shprehje, që Papa i përdori për të skalitur portretin e Shën Jozefit, të cilit ia kushtoi homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, duke vënë dukje dy tiparet e tij themelore. Në këtë Kohë të Ardhjes, Papa kujtoi në lutje  fëmijët sllovakë me kufizime fizike, që realizuan stolitë për Bredhin e festës, vendosur pranë altarit, ku po kremtonte.

Urtia e prindërve të mirë

Në Shkrimin Shenjt e njohim Jozefin si njeri i drejtë, që e vë në jetë Ligjin, punëtor, i përvuajtur, i dashuruar me Marinë. Në çastin e parë, përballë së pakuptueshmes “mendon të hiqet mënjanë”, ta lërë të lirë vashën e zgjedhur… Por, më pas, “Zoti vetë ia zbulon misionin”. E kështu Jozefi e pranon detyrën e tij, rolin e tij! E pret dhe e shoqëron të Birin e Zotit në heshtje, pa gjykuar, pa përgojuar, pa shpërralluar:

“Duhet ta ndihmonte të lindej, të rritej e të zhvillohej. Kështu kërkoi, së pari, një vend ku të dilte në dritë. Pastaj e ndihmoi të rritej; i mësoi zanatin e shumë e shumë gjëra të tjera… Në heshtje, gjithnjë! E la të rritej. E la - kjo, fjala, e cila na ndihmon ta kuptojmë këtë situatë të jashtëzakonshme - ne - që e kemi zakon t’i fusim hundët gjithkund e, posaçërisht, në punët, që nuk na përkasin, në jetën e tjetrit. “E pse e bën këtë? Pse atë?” E t’ia nisim thashethemeve, e themi… Po ai e la të rritej. E ruajti. E ndihmoi, pa fjalë të tepërta, në heshtje të thellë”.

Sjellje e urtë, kjo, që e kanë shumë prindër: aftësi për të pritur, pa ia nisur menjëherë britmës, edhe përpara gabimit. Është themelore të presësh, para se ta thuash fjalën, që e bën tjetrin të rritet. Të presësh në heshtje, si bën Zoti me bijtë e vet, për të cilët i duhet durim Perëndie!

Burri i ëndrrave

Në homeli, Papa sqaroi, pastaj, se Shën Jozefi ishte njeri konkret, por me zemër të hapur, “njeri i ëndrrave” - por jo ëndërrimtar:

“Ëndrra është hapësirë e zgjedhur për të kërkuar të vërtetën, sepse kur ëndërrojmë, nuk mbrohemi para së vërtetës. Ëndrrat vijnë e … E vjen edhe Zoti e na flet në ëndërr. Jo gjithnjë, natyrisht, sepse zakonisht është nënvetëdija jonë, që vjen. Por nuk mungon as Zoti. Ai zgjedh pikërisht ëndrrat për të na folur. E bën shpesh herë në Bibël. Prandaj themi se Jozefi ishte burrë i ëndrrave, jo ëndërrimtar, eh? Nuk ishte njeri, që fantazonte! Ëndërronte. Ishte ëndërrimtar. E kjo është tjetër gjë. Fantazuesi jeton për hava, ndërsa Jozefi, me këmbë në tokë. Por me zemër të hapur”

Mos e humbisni shijën e të ëndërruarit

Papa Françesku kërkoi, së fundi, të mos e humbasim aftësinë për të ëndërruar, për t’ia hapur zemrën së nesërmes plot besim, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasim:

“Mos ta humbasim aftësinë për të ëndërruar të ardhmen: secili prej nesh. Secili: të ëndërrojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë, të familjes sonë, të prindërve. Të shikojmë në ëndërr si do të dishëronim të kalojë jeta e tyre. Edhe priftërinjtë të ëndërrojnë: të shohin ëndrra për besimtarët, për çka dëshirojnë të kenë e të jenë. Të ëndërrojmë, ashtu si dinë të ëndërrojnë të rinjtë, që janë ‘të pacipë’ në ëndërrime, ku gjejnë udhën e kërkuar. Mos e humbisni aftësinë për të ëndërruar, sepse të ëndërrosh do të thotë të hapësh portat drejt së ardhmes. E të shkosh drejt së ardhmes, i ngarkuar me fryte”.

18 dhjetor 2018, 14:00
Lexo gjithçka >