Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: të përgatitemi për Krishtlindje me guximin e fesë

Në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku këshillon ta jetojmë javën e dytë të Kohës së Ardhjes, duke i kërkuar Zotit hirin që të përgatitemi me fe për Krishtlindje.

R.SH. - Vatikan

Ta kremtojmë Krishtlindjen me fe të vërtetë. Kjo është ftesa e Papës Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Ati i Shenjtë komenton Ungjillin e sotëm sipas Lukës, që rrëfen shërimin e paralitikut.

         Kërkojmë fenë në misterin e Zotit bërë njeri – shpjegon Papa. – Atë fe, që sot, në Ungjill, prek zemrën e Zotit. Jezu Krishti shpesh i kthehet katekizmit mbi fenë, ngul këmbë. “Duke parë fenë e tyre”, thotë Ungjilli. Jezusi e pa atë fe – sepse duhet guxim për të bërë një vrimë në mur e për të zbritur përmes saj shtratin me të sëmurin… duhet guxim! Ai lloj guximi… këta njerëz kishin fe! Ata e dinin se nëse i sëmuri arrinte para Jezusit, do të shërohej.

Krishtlindja nuk kremtohet sipas botës

         Papa Françesku kujton se “Jezusi e admiron fenë e njerëzve”, si në rastin e centurionit, që i lutet ta shërojë shërbëtorin e vet; apo, si në rastin e gruas siro-fenikase, që ndërhyn për të bijën e pushtuar nga djalli, ose si në rastin e gruas, që, sapo preku fundin e mantelit të Krishtit, shërohet nga hemorragjia. Nga ana tjetër, vëren Ati i Shenjtë, Jezusi i qorton njerëzit me pak fe, si për shembull, Pjetrin, i cili dyshon. “Me fenë – nënvizon Papa – gjithçka është e mundur”.

         Sot kërkojmë këtë hir: gjatë javës së dytë të Kohës së Ardhjes, të përgatitemi me fe për të kremtuar Krishtlindjen. Është e vërtetë se Krishtlindja – e dimë të gjithë – shpesh kremtohet jo me aq fe, kremtohet sipas botës e madje, edhe në mënyrë pagane; por Zoti na kërkon ta bëjmë këtë me fe e ne, gjatë kësaj jave, duhet të lutemi për këtë hir: për ta kremtuar me fe. Nuk është e lehtë ta ruajmë fenë, nuk është e lehtë ta mbrojmë fenë: nuk është e lehtë.

Besojmë me zemër

         Për Papën, është emblematik episodi i shërimit të të verbërit në kapitullin IX të Ungjillit sipas Gjonit. I sëmuri e shpreh fenë e tij para Jezusit, në të cilin sheh Mesinë. Ati i Shenjtë merr shkas prej kësaj ngjarjeje ungjillore për të kërkuar që t’ia besojmë Zotit fenë tonë, duke e mbrojtur nga tundimet e botës.

         Do të na bëjë mirë sot e, edhe nesër, gjatë javës, të marrim në dorë kapitullin IX të Gjonit e ta lexojmë këtë histori kaq të bukur të djalit të verbër që nga lindja. E të përfundojmë me një besojmë, që na vjen nga zemra: “Besoj o Zot. Ndihmoje fenë time të paktë. Mbroje fenë time nga bota, nga bestytnitë, nga gjërat, që nuk janë fe. Mbroje nga reduktimi në teori, qofshin teologjizime apo moralizime… jo! Fe në Ty, o Zot”.

10 dhjetor 2018, 13:00
Lexo gjithçka >