Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: Ardhja është kohë për të pastruar fenë

Në Kapelën e Shën Martës, Papa, duke kremtuar Meshën, foli sidomos për Kohën e Ardhjes, rast për ta kuptuar plotësisht lindjen e Jezusit në Betlehem dhe për të krijuar lidhje personale me Birin e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Koha e Ardhjes ka tri përmasa: të kaluarën, të ardhmen e të tashmen. Duke kremtuar Meshën në Kapelën e Shën Martës, Papa Françesku kujtoi se Koha e Ardhjes, që filloi dje, është kohë e përshtatshme për ta pastruar shpirtin e për ta forcuar fenë me këtë pastrim. Pikënisja e reflektimit të Papës ishte Ungjilli i sotëm (Mt 8,5-11): takimi i Jezusit, në Kafarnao, me centurionin, i cili i kërkon ndihmë për shërbëtorin e tij të paralizuar, që s’luan dot nga krevati. Simbolike, kjo ngjarje, që flet për paralizë. Edhe ne mund të na ndodhë të paralizohemi në fe, duke e harruar gjallërinë e saj. E kur paralizohesh, e humbet forcën e fesë, risinë e fesë, që vijon të përtërihet vazhdimisht.

Krishtlindja nuk duhet të jetë festë mondane

Gjatë homelisë, Papa Bergoglio nënvizoi se përmasa e parë e Kohës së Ardhjes është e kaluara, “pastrimi i kujtesës”. Duhet të kujtojmë mirë se nuk kremtojmë lindjen e Bredhit të Festës, që sigurisht është simbol i bukur, por lindjen e Jezu Krishtit.

Të kujtojmë se lindi Zoti, Shëlbuesi, Ai, që erdhi të na shpëtojë. Natyrisht, duhet kujtuar edhe festa… po ne rrezikohemi, e edhe tundohemi ta presim Krishtlindjen me mendësinë e botës, ta mondanizojmë. Kur festa nuk është më kundrim - festë e bukur në familje, me Krishtin në krye të vendit - nis të shndërrohet në festë mondane, në qendër të së cilës janë shpenzimet, dhuratat e kjo e ajo tjetra… e Zoti, në një skutë, krejt i harruar… Kështu në shtëpi e po kështu edhe në jetën tonë. Lindi në Betlehem, e  pastaj? Pastaj nuk duhet të harrosh se Koha e Ardhjes është për të pastruar kujtesën e kohës së kaluar!

Të pastrosh shpresën

Koha e Ardhjes na ndihmon edhe të pastrojmë shpresën, të përgatitemi për takimin përfundimtar me Zotin. Sepse ai Zot që erdhi, edhe do të kthehet, do të kthehet! E do të kthehet për të na pyetur: “Si e kalove jetën?”. Do të jetë takim personal. Sot takimin personal me Zotin e kemi në Eukaristi e nuk mund të kemi takim kaq personal me Krishtlindjen  e 2000 vjetëve më parë. Po kur Ai do të kthehet, do të takohemi sy për sy. E kjo do të thotë ta pastrosh shpresën.

Zoti troket çdo ditë në zemrën tonë

Së fundi Papa Françesku i ftoi të gjithë ta kultivojnë përmasën e përditshme të fesë, pavarësisht nga shqetësimet e ankthet, duke e shkundur mirë “shtëpinë shpirtërore”. Zoti ynë është Zoti i të papriturave e të krishterët duhet t’i dallojnë shenjat e Atit qiellor, ta dëgjojnë ditë për ditë fjalën, që na thotë.

E përmasa e tretë është më e përditshme: të pastrosh vigjilencën. Vigjilenca e lutja janë dy fjalë tipike për Kohën e Ardhjes; sepse Zoti  erdhi në Historinë e Betlehemit, do të vijë në fund të botës e edhe në fundin e jetës së secilit prej nesh. Por, mos harro! Ai vjen çdo ditë, çdo çast. Vjen në zemrën tonë, për ta mbushur përplot me frymëzimin e Shpirtit Shenjt.

 

03 dhjetor 2018, 13:29
Lexo gjithçka >