Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Françesku: të kërkohet paqja në shpirt, në familje, në botë, pa përgojuar e pa plagosur

Koha e Ardhjes është kohë për ta ndërtuar paqen në shpirt, në familje, në botë, pa kërkuar shkas lufte. E kujtoi sot paradite Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Të përgatitemi për Krishtlindje, duke u përpjekur të sigurojmë paqen në shpirtin tonë, në familje e në botë. Kjo, porosia e Papës Françesku në homelinë, mbajtur gjatë Meshës, në Shtëpinë e Shën Martës. Të bësh paqe - kujtoi - është si t’i përngjasësh sadopak vetë Zotit, duke ndenjur larg përgojimit e duke u përpjekur t’i gëzojmë të tjerët, jo t’i plagosim. Reflektimi i Papës u frymëzua nga Leximi I i Liturgjisë së sotme (Is 11,1-10)  e nga Ungjilli (Lk. 10, 21-24).

Në fjalët e Isaisë, është një premtim. Profeti vegon si do të jenë kohët, kur do të vijë Zoti: “Zoti do të vijë për të sjellë paqen, do të bëjë paqe e gjithçka do të jetë në paqe” - kujtoi Papa duke e cituar Isainë - që na përshkruan pamje pakëz bukolike, por vërtet të bukura: “Ujku do të shtrihet pranë e pranë qengjit; leopardi, pranë kecit e një fëmijë i vogël do t’u prijë në kullosë”. Kjo - shpjegoi Françesku - do të thotë se Jezusi do të sjellë një paqe, e cila do ta shndërrojë krejt jetën dhe historinë! Prandaj quhet “Princ i paqes”, sepse vjen pikërisht për të na e sjellë këtë paqe!

T’i kërkojmë Princit të paqes të na e paqëtojë shpirtin

Koha e Ardhjes është, prandaj, pikërisht Kohë e përgatitjes për ardhjen e Princit të paqes. Kohë për t’u paqëtuar - rikujtoi Papa - Për të bërë paqe, së pari me vetveten, për ta vënë shpirtin në paqe. Shpesh herë ne nuk kemi paqe. Shpirtin na e pushton ankthi pa shpresë. E atëhere Zoti na drejton pyetjen: “Si është sot shpirti yt? Është në paqe?”. Nëse nuk është, Papa na nxit t’i kërkojmë Princit të paqes që në shpirtin tonë të mbretërojë paqja e që të mund të përgatitemi si duhet për takimin me Të. Ne “jemi mësuar të shikojmë shpirtin e tjetrit, por - fton Papa - bëjmë mirë të shikojmë së pari, tonin!”.

Paqe në familje: ndërtojmë ura apo mure?   

Pastaj duhet të paqëtojmë shtëpinë tonë, familjet tona. Ka shumë trishtim në familjet, shumë luftëra të vogla, shumë sherre. Atëhere duhet ta pyesim veten nëse familja jonë është në paqe apo në luftë, nëse njëri është me apo kundër tjetrit, nëse ndërtojmë ura, apo mure, që na ndajnë.

T’i pyesim fëmijët: bëjnë bullizëm, apo paqe?

Mjedisi i tretë, që Papa përpiqet ta paqëtojë, është bota “ku ka më shumë luftë sesa paqe”. Ka shumë luftë, shumë përçarje, shumë urrejtje, shumë, tepër shumë, shfrytëzim. Në botë nuk ka paqe:

“E unë, ç’bëj për t’i dhuruar pakëz paqe, kësaj bote gjithnjë në luftë?  Po bota është tepër larg, o atë! E po mirë, bota qenka larg, po lagjja është afër. Çfarë bëj për paqen në lagje, në shkollë, në vendpunim? A kërkoj gjithnjë shkas për t’ia nisur luftës, për të ngacmuar, për të urryer, për të përgojuar të tjerët? Kësaj i thonë të bësh luftë! A jam i butë? Ndërtoj ura? Nuk dënoj kënd, përkundrazi, ndihmoj?”. T’i pyesim edhe fëmijët: “Çfarë bën në shkollë? Kur ndonjë shok nuk të pëlqen, është mërzitshëm a i ligësht, ti bën bullizëm, apo paqe? Përpiqu të bësh paqe! Fali të gjithë! Bëju artizan i paqes! E do kjo kohë e Ardhjes, kjo pritje e Zotit, që është Princi i paqes!

Të bësh paqe, është si të imitosh pakëz Zotin

Paqja shkon gjithnjë përpara, nuk ndalet kurrë, “është pjellore”, nis nga shpirti e rikthehet në shpirt, pasi ta ketë kryer udhën e paqëtimit - theksoi përsëri Papa.

E të bësh paqe, është si të imitosh sadopak Zotin, kur bëri paqe me ne e na fali, na dërgoi të Birin për të bërë paqe, për të qenë Princ i paqes. Ndonjëri mund të thotë: “Por, o atë, unë nuk kam studiuar sesi bëhet paqja, nuk jam njeri i ditur, jam tepër i ri e nuk i kuptoj këto gjëra…”. Ta tregon Jezusi si duhet të sillesh: “Të lavdëroj. o Atë, Zot i qiellit e i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të diturve e ua zbulove të vegjëlve”. Ti nuk ke studiuar. Nuk je i ditur… Bëju i vogël, i përvuajtur, shërbëtor i të tjerëve. Bëju i vogël, e Zoti do të të bëjë të aftë të kuptosh si bëhet paqja e do të të japë edhe forcën ta bësh!

Ndalu, para mundësisë së një lufte të vogël

Lutja e kësaj Kohe të Ardhjes duhet të jetë ajo e paqëtimit. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të jetojmë me paqen në shpirt, në familje, në lagje:

“E sa herë që shikojmë se ka mundësi të shpërthejë lufta, sado e vogël, si në shtëpi, ashtu në zemër, në shkollë a në punë, ndalu e kërko të bësh paqe. Mos e plagos kurrë tjetrin. Kurrë! Mos e përgojo, mos bombardo ti i pari!”.

Uroj që Zoti të na e përgatisë zemrën për lindjen e Princit të paqes, duke na ndihmuar ta bëjmë edhe ne pjesën tonë, që paqja të mbretërojë në zemra, në familje, në shkolla, në lagje, në vendet ku punojmë. E të bëhemi të gjithë burra e gra të paqes – theksoi në përfundim të homelisë Papa.

04 dhjetor 2018, 15:23
Lexo gjithçka >