Kërko

 Mesha e mëngjesit në Shën Martë Mesha e mëngjesit në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: urti, të mendosh për fundin. Do të jetë takim mëshire me Zotin

Papa Françesku, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, foli për fundin e secilit prej nesh, e edhe për fundin e botës, “për korrjen” e madhe të Librit të Zbulesës”. “Si do të jetë fundi im?”. “E si do të desha të më gjente Zoti, kur të më thërrasë?”. Të mendosh për këtë, është urti e na ndihmon të shkojmë përpara, deri tek takimi me Zotin, çast llogaridhëniejeje, por edhe gëzimi të papërshkrueshëm.

“Si do të jetë fundi im? E si do të desha të më gjente Zoti, kur të më thërrasë? Gjë e urtë të mendosh për fundin. Na ndihmon të shkojmë përpara e të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes për çka duhet korrigjuar e çka duhet jetuar si gjë e mirë, që vlen për sot e për fund”. Papa Françesku ia kushtoi homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, fundit të botës e të jetës sonë, sepse “në këtë javë të fundit të vitit liturgjik, Kisha na bën të reflektojmë për këtë, gjë që është hir”  - komentoi Papa - ngaqë, të themi të drejtën, nuk na pëlqen ta mendojmë fundin, prandaj e shtyjmë ditë në tjetrën këtë mendim”.

Fundi i botës përshkruar si korrje

Në Leximin I, shkëputur nga Libri i Zbulesës, Shën Gjoni na flet për fundin e botës, duke përdorur figurën e të korrave, me Krishtin e me një Engjëll, të armatosur me drapër. Kur të na vijë ora - vijoi Françesku - duhet të paraqesim cilësinë e grurit tonë, cilësinë e jetës sonë. E vijoi: “Ndoshta ndonjëri nga ju thotë: ‘Atë,  urojmë që ajo ditë të mos jetë aq e zymtë, sa thuhet, se ne nuk na pëlqejnë zymtitë…. Po kjo është e vërteta’”:

“Janë të korrat, kur secili prej nesh do të takohet me Zotin. Do të jetë takim, e secili prej nesh do t’i thotë Zotit: ‘Kjo është jeta ime. Ky, gruri im. Kjo, cilësia e jetës sime. Kam gabuar!’ - të gjithë do të duhet ta themi këtë, sepse të gjithë gabojmë - e gjithashtu ‘kam bërë edhe gjëra të mira’- sepse të gjithë bëjmë edhe gjëra të mira: kjo do të thotë t’i tregosh Zotit grurin tënd!”.

Mendimi për fundin na ndihmon të shkojmë përpara

Ç’do të thosha - pyeti akoma Papa - nëse Zoti do të më thërriste pikërisht sot? “Ah, nuk e prisja. Isha habitshëm…”. Ne nuk e dimë as ditën, as orën. “Eh, o atë, mos më fol kështu. A nuk të duket se jam akoma tepër i ri për këto mendime!” – “Po ti, a nuk e shikon sa qengja shkojnë para deshëve? Sa të rinj thirren e nisen e shkojnë, para të motuarve…? ‘Askush nuk është i sigurt për jetën e vet. Ndërsa është plotësisht i sigurt për fundin e saj. Kur? Këtë e di vetëm Zoti!”.

“Do të na bënte mirë në këtë javë, të mendonim për fundin. Nëse Zoti do të më thërriste sot, ç’do të bëja? Ç’do të thosha? Ç’grurë do t’i paraqisja? Mendimi i fundit na bën të ecim përpara: nuk është mendim statik, është mendim, që përparon nga virtyti, nga shpresa. Do të ketë një fund, po ky fund do të jetë takim: takim me Zotin. Vërtet do të na duhet të japim llogari për gjithçka kemi bërë, do të jetë, pra, takim llogaridhënës, por edhe takim mëshire, gëzimi, lumturie. Të mendosh për fundin e krijimit, për fundin e jetës sate, është urti; të urtët e bëjnë këtë”.

Nuk jemi të amshuar mbi dhe: si e dua fundin?

Pra - përfundoi Papa - Kisha në  këtë javë na fton ta pyesim veten “Si do të jetë fundi im? Si dëshiroj të më gjejë Zoti, kur të më thërrasë? Duhet të bëj rrëmimin e ndërgjegjes e të mendoj çka duhet korrigjuar, sepse nuk shkon. E çka duhet çuar përpara, sepse është e mirë”. E kur mendojmë kështu, ne nuk jemi vetëm: me ne është Shpirti Shenjt, që na ndihmon ta kapërcejmë pragun ndërmjet dy jetëve!

“Këtë javë t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt urtinë e kohës, urtinë e fundit, urtinë e ringjalljes, urtinë e takimit të amshuar me Jezusin; duke uruar të na ndihmojë ta kuptojmë këtë urti të fesë sonë. Do të jetë ditë gëzimi, ajo e takimit me Jezusin. Të lutemi që Zoti të na përgatisë mirë. E secili prej nesh ta përfundojë këtë javë duke menduar për fundin: ‘Unë do të mbaroj një ditë. Nuk do të mbetem përjetësisht mbi dhe’. Si dëshiroj të më vijë ky fund?”.

27 nëntor 2018, 15:05
Lexo gjithçka >