Kërko

 Papa në Shën Martë Papa në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: të kumtosh Krishtin nuk është marketing, por koherencë jete

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku i nxiti besimtarët të jenë pranë Kishës së Kostandinopojës, Pajtor i së cilës është Shën Andreu apostull, që kremtohet sot. Papa u lut për bashkimin e Kishave e, më pas, theksoi se të dëshmosh Krishtin, do të thotë të vësh në lojë vetë jetën.

R. SH. - Vatikan

Ashtu si Apostujt Pjetri, Andreu, Jaku e Gjoni, ta lëmë pas shpine çka na pengon e të shkojmë përpara në kumtimin e dëshmisë së Krishtit. Këtë theksoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në festën e Shën Andreut Apostull. Me këtë rast Françesku ftoi për të qenë “pranë Kishës së Kostandinopojës, Kishë e Andreut, duke u lutur për bashkmin e Kishave”.

Koherentë në kumtimin e Krishtit

Gjatë reflektimit mbi Leximin e Parë, në të cilin Pali shpjegon se feja vjen nga dëgjimi e dëgjimi ka të bëjë me fjalën e Krishtit, Papa kujtoi sa i rëndësishëm është kumtimi i Ungjillit, “kumti se Krishti na shpëtoi, se Krishti vdiq e u ngjall për ne”. Ta kumtosh Krishtin nuk do të thotë të përhapësh një lajm. Nuk është fjala për një lajm e aq! Ta kumtosh Jezusin nuk do të thotë të japësh një lajm të mirë, “por të vetmin Lajm të Mirë”. Kështu u shpreh Papa, për të shpjeguar, më pas, ç’do të thotë kumtim:

“Nuk është punë publiciteti. Nuk do të thotë të bësh publicitet për një njeri të shkëlqyer, që bëri e bën gjithnjë vetëm mirë, që shëroi e shëron një mori njerëzish, që na mëson gjëra të bukura. Jo! Kumtimi nuk është publicitet. E nuk përdoret as për të bërë prozelitizëm, për t’i bindur njerëzit të ndërrojnë fe. Nëse ndokush shkon të flasë për Jezusin, ta predikojë Krishtin për të bërë prozelitizëm, jo, ky nuk e kumton Krishtin: kjo është punë, punë prediktatari, që ndjek logjikën e marketingut. Po ç’është kumtimi i Krishtit? Nuk është as prozelitizëm, as publicitet e as marketing: shkon shumë më përtej. E si mund të kuptohet kjo? Kjo do të thotë, para së gjithash, të jesh i dërguar!

Të vësh në lojë vetë jetën

Do të thotë të jesh i dërguar “me mision”, të vësh në lojë vetë jetën. Apostulli, i dërguari, që kumton Krishtin - shpjegoi Françesku - e bën këtë  me kusht që të vërë në lojë jetën e vet, kohën, interesat, korpin e gjakun e vet, “si i vuri vetë Krishti”. E kujtoi, më pas, një shprehje argjentinase: “Të shtrihesh mbi skarë”, që do të thotë pikërisht të vësh në lojë gjithçka je e gjithçka ke!

Ky udhëtim kumtimi, me rrezik koke, ky shtegtim, ka vetëm një biletë. Atë të nisjes. Por jo edhe të kthimit. Të kthehesh është apostazi! Shtegtimi është udhë kumtimi, në të cilën atë që e them, edhe e bëj!

Martirët provojnë kumtimin e vërtetë

Fjala “për të qenë kumtim”, duhet të jetë më parë dëshmi - nënvizoi Françesku -  i cili, në vijim, e quajti shkandull jetën e atyre të krishterëve, që thonë se janë të tillë e pastaj jetojnë si paganë, si të mos besonin fare, si të mos kishin fe. Ftoi, prandaj, për koherencë, për besim të paluhatshëm, për përkim të plotë ndërmjet fjalës që flet e jetës që jeton. Kjo - nënvizoi me forcë – “quhet dëshmi”. Apostulli, kumtuesi, i cili mbart Fjalën e Zotit, është dëshmitar. E vë në lojë jetën e vet deri në fund të fundit. Prej këndej, është edhe martir! E nuk duhet harruar se vetë Ati qiellor, “që të njihej”, dërgoi të Birin në korp, duke rrezikuar jetën e Tij, fakt që shkandullonte shumëkënd e vijon të shkandullojë, sepse Zoti u bë një nga ne, në një shtegtim me biletë mbi të cilën shënohej “vetëm vajtje”, e jo “vajtje-ardhje”.

Djalli bëri çmos ta bindte të merrte një udhë tjetër, po ai nuk pranoi, bëri vullnetin e Atit deri në fund të fundit. E edhe kumti i Tij duhet të shtegtojë nëpër të njëjtën udhë; atë të dëshmisë, sepse edhe ai qe dëshmitar i Atit të mishëruar. E edhe ne duhet të bëhemi korp i Tij, domethënë, dëshmitarë: “Të bëjmë atë që themi!”. Ky është kumtimi i Krishtit. Martirët janë ata, që dëshmojnë se kumtimi ishte i vërtetë. Burra e gra, që dhuruan jetën - apostujt e dhuruan - që derdhën gjakun, si Krishti e për Krishtin. Por janë edhe shumë burra e gra, që e vënë në lojë jetën të heshtur, të fshehur në shoqërinë tonë, në familjet tona. Njerëz që e dëshmojnë Jezusin përçast, me jetën e tyre, duke e bërë, atë që thonë.

Kumt i frytshëm

Të gjithë ne - kujtoi Papa - me Pagëzimin marrim edhe misionin për ta kumtuar Krishtin: duke jetuar si na ka mësuar të jetojmë vetë Jezusi, në harmoni me atë që predikojmë. Vetëm kështu kumtimi do të jetë i frytshëm. Por nëse jetojmë pa koherencë, duke thënë një gjë, e duke bërë një tjetër, në kundërshtim të plotë me të parën, rezultati sigurisht do të jetë shkandulli. E shkandulli i të krishterëve - përfundoi Papa - ndikon keqas mbi shpirtin e popullit të Zotit”.

30 nëntor 2018, 13:11
Lexo gjithçka >