Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: ipeshkvi është shërbëtor, jo princ

I përvuajtur, jo princ. Në homelinë e Meshës kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku skicoi portretin e ipeshkvit, duke komentuar Letrën e Shën Palit apostull drejtuar Titit, në ditën kur Kisha përkujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir.

R. SH. - Vatikan

Reflektimi i Papës gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës sot, u udhëhoq nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Titit. Ishte skicim i figurës së ipeshkvit, deri në hollësitë më të vogla e përcaktim i kritereve që duhen pasur mirë parasysh, për të vënë rregull në Kishë.

Kisha nuk lindi krejtësisht e rregullt

“Zell e çrregullim” ishin dy fjalët e përdorura nga Papa, për të treguar si lindi Kisha, duke kujtuar edhe “punët e admirueshme” që u kryen në atë ag   mahnitës. “Atje ku është forca e Shpirtit Shenjt, ka gjithnjë pështjellim - pohoi - por nuk duhet të trembemi prej tij. Çka duhet të bëjmë, është ta sistemojmë”. Është e vërtetë, sepse gjërat duhen vënë në rregull: të mendojmë, për shembull, për Koncilin e Jeruzalemit: u mbajt në atmosferën e luftës ndërmjet judaizantëve, apo të krishterëve me zanafillë hebraike, që praktikonin Ligjin e Moisiut e të jo judaizantëve… Çfarë bënë: bënë Koncilin e i ndreqën punët!

Ipeshkvi, mbarështues i Zotit, jo i pasurive

Prandaj - nënvizoi Papa - Pali e lë Titin në Kretë, për të vënë rregull, duke i kujtuar se “gjëja e parë për të cilën duhet menduar, është feja”. Njëkohësisht i jep kriteret dhe porositë, që kanë të bëjnë me figurën e ipeshkvit “si mbarështues i Zotit”.

Papa e quan  ipeshkvin “mbarështues i Zotit”, jo i pasurive, i pushtetit, i grupeve, jo: i Zotit. Njeri që duhet ta korrigjojë gjithnjë vetveten e duhet  edhe ta pyesë: “A jam mbarështues i Zotit, apo afarist?”. Ipeshkvi është administrator i Zotit. Duhet të jetë, prandaj, i paqortueshëm. Pikërisht këtë i pati kërkuar Zoti Abrahamit: “Ec në praninë Time e ji i paqortueshëm!”. Eshtë fjalë themelore për prijësin!

Profili për zgjedhjen e ipeshkvit

Françesku kujtoi jo vetëm si duhet të jetë ipeshkvi, por edhe si nuk duhet të jetë! Nuk duhet të jetë as arrogant, as fodull, as kolerik e as mik i verës, një nga veset më të rëndomta të kohës së Palit, as afarist e as i lidhur fort pas parasë. “Një ipeshkëv i këtillë është gjëmë për Kishën, edhe po të ketë vetëm njërin prej këtyre të metave. Sepse shërbëtori i Zoti duhet të jetë i utë, i drejtë, shenjt, zotërues i vetvetes, besnik ndaj Fjalës së denjë të fesë,  që ia mësuan: këto janë cilësitë, që duhet të ketë shërbëtori i Zotit”.

Kështu është ipeshkvi. Ky, profili i tij. E kur mendohet të zgjidhet një ipeshkëv, do të ishte e mbara që në fillim të bëheshin këto pyetje. Duke pasur parasysh se, para së gjithash, ipeshkvi duhet të jetë i përvuajtur, i butë, shërbëtor, jo princ. Kjo është Fjala e Zotit: “Ah, po o atë, kjo është e vërtetë, kjo duhet bërë pas Koncilit II të Vatikanit”… “Jo, pas Palit!”. Nuk është risi paskonciliare kjo! Është që në fillim, kur Kisha  u kujtua se duhet të vinte rregull me ipeshkvij të këtillë.

“Në Kishë - përfundoi Papa - nuk mund të vihet rregull pa këtë sjellje të ipeshkvijve. Çka vlen para syve të Zotit nuk është të jesh simpatik, të predikosh mirë! Mbi të gjitha vlejnë përvujtëria e shërbimi”.

Duke kujtuar festën liturgjike të Shën Jozafatit, ipeshkëv e martir, Françesku kërkoi lutje për ipeshkvijtë, që të jenë - të jemi – “ashtu si Pali pati kërkuar të jemi”.

12 nëntor 2018, 12:28
Lexo gjithçka >