Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: mërmëritja, shpifja, janë kundër logjikës së Ungjillit

Sot, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku tërheq vëmendjen ndaj mëkatit të mërmëritjes, shpesh, “bukë e përditshme” në nivelin personal, familjar, famullitar, dioqezan e shoqëror, duke kujtuar se logjika e Ungjillit është e kundërt me atë të botës.

R.SH. - Vatikan

Dëshmia, mërmëritja dhe pyetja. Janë tri fjalë mbi të cilat Papa Françesku reflekton në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë edhe të ipeshkvijve të Rumanisë e të Moldavisë, që ndodhen në Romë për vizitën “ad Limina apostolorum”. Niset nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës (Lk 15,1-10), i cili fillon me dëshminë e Jezusit: i afrohen publikanë e mëkatarë për ta dëgjuar e Ai – mërmërisin skribët e farisenjtë – ulet në sofër me ta.

Dëshmia e rrit Kishën

         Para së gjithash, pra, është dëshmia e Krishtit, “gjë e re për atë kohë”, vëren Papa, “sepse të shkoje tek mëkatarët të bënte të papastër, njëlloj si të prekje një të gërbulur”. Prandaj, dijetarët e ligjit i largonin. Papa Françesku nënvizon se dëshmia nuk është kurrë e lehtë, si për vetë dëshmitarët, ashtu edhe për të pushtetshmit e kësaj toke.

         Të dëshmosh do të thotë të prishësh një zakon, një mënyrë të ekzistuari… Ta prishësh për mirë, për ta ndryshuar. Prandaj Kisha ecën përpara për të dëshmuar. Ajo që tërheq është pikërisht dëshmia, jo fjalët, të cilat ndihmojnë, por dëshmia tërheq vërtet dhe e bën Kishën të rritet. E Jezusi jep dëshmi. Është diçka e re, por jo dhe aq, sepse mëshira e Zotit ekzistonte edhe në Besëludhjen e Vjetër. Këta dijetarë të ligjit nuk e kishin kuptuar kurrë ç’donte të thoshte: “Mëshirë dua e jo holokauste”. E lexonin, por nuk e kuptonin ç’ishte mëshira. E Jezusi, me mënyrën e Tij të veprimit, e kumton këtë mëshirë përmes dëshmisë.

Në vend që të zgjidhen problemet, mërmëritet

         Në fakt, dëshmia e Jezusit shkakton mërmëritje, pasi ajo, për natyrën e vet, ndryshon zakone e vë në rrezik. Farisenjtë e skribët e qortonin se hante me mëkatarët, pa menduar aspak se ky njeri është i mirë, pasi mundohet t’i kthejë ata në rrugë të drejtë. “Komenti negativ – nënvizon Papa –mund ta shkatërrojë dëshminë”. Edhe sot, në jetën e përditshme, vazhdon Ati i Shenjtë, në vend që të dialogojmë e të përpiqemi t’i zgjidhim problemet, shohim vetëm anën negative të gjërave e “mërmërisim, gjithnjë me zë të ulët, pa guximin për të folur qartë”. E kështu ndodh edhe në famulli e në realitete të tjera kishtare, nënvizon Françesku.

         E në dioqezë? Luftrat “ndërdioqezane”… betejat e brendshme të dioqezës; ju i njihni këto – u drejtohet veçanërisht ipeshkvijve rumunë e moldavë. – E, edhe në politikë. E kjo është diçka e shëmtuar. Kur një qeveri nuk është e ndershme, përpiqet të ndyejë kundërshtarët përmes mërmëritjes. Përmes shpifjes, gënjeshtrës, përpiqet gjithnjë. E ju që i njihni mirë qeveritë diktatoriale, sepse i keni përjetuar, çfarë bën një qeveri diktatoriale? Merr në dorë, së pari, mjetet e komunikimit me ligj e prej tyre, fillon të mërmërisë, të përulë të gjithë ata, që janë rrezik për atë qeveri. Mërmërtija është buka jonë e përditshme në nivelin personal, familjar, famullitar, dioqezan, shoqëror…

Pyetja e Jezu Krishtit

         Kjo nuk u jep mundësi njerëzve të mendojnë, të reflektojnë. Jezusi e di këtë, por në vend që ta dënojë mërmëritjen, bën një pyetje: “Kush prej jush ka njëqind dele dhe e humb njërën, nuk i lë të nëntëdhjetëenëntat e nuk shkon të kërkojë të humburën, derisa ta gjejë?”, siç kujton Ungjilli i sotëm. Por farisenjtë e skribët, nënvizon Papa, nuk kuptojnë e fillojnë të bëjnë llogaritë e deleve:

         “Ta lëmë këtë, që do të hyjë në bilancin e fitimeve dhe të humbjeve, e të shpëtojmë këto të tjerat”. Kjo është logjika e farisenjve. Kjo është logjika e dijetarëve të Ligjit. “Kush prej jush?” e ata vendosin të kundërtën e asaj, që thotë Jezusi. Prandaj nuk shkojnë të flasim me mëkatarët, nuk shkojnë tek publikanët, nuk shkojnë, sepse: “Më mirë të mos ndyhemi me këta njerëz, janë rrezik. Le të ruajmë tanët”. Jezusi ua bën pyetjen me mençuri, hyn në lojën e tyre, por i lë në një pozitë të ndryshme nga ajo e drejta. “Kush prej jush?” e askush nuk thotë: “Po, e vërtetë”, por të gjithë: “Jo, jo, unë s’do ta bëja këtë”. Prandaj janë të paaftë të falin, të jenë të mëshirshëm, të marrin falas.

Logjika e Ungjillit, e kundërt me logjikën e botës

         Së fundi, Papa kujton edhe një herë tri fjalët e reflektimit të tij: “dëshmia”, që provokon, “që e bën Kishën të rritet”; “mërmëritja”, që sillet si “roje e keqe brenda meje, që dëshmia të mos më plagosë”, dhe “pyetja” e Jezu Krishtit. E Françesku shton edhe një fjalë tjetër: gëzimin, festën, që këta njerëz nuk e njohin, sepse ndjekin udhën e dijetarëve të Ligjit. “Zoti na dhashtë ta kuptojmë logjikën e Ungjillit, që është e kundërt me logjikën e botës”, përfundon Ati i Shenjtë.

08 nëntor 2018, 14:30
Lexo gjithçka >