Kërko

 Mesha e mëngjesit në Shën Martë Mesha e mëngjesit në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa Françesku: Kisha rritet në heshtje, pa dhënë shfaqje

Gjatë Meshës në Shën Martë, Papa, duke komentuar një fragment të Ungjillit sipas Lukës, kujtoi se Kisha “duket në Eukaristi e në vepra të mira”.

R. SH. - Vatikan

Kisha rritet “në fshehtësi, në heshtje, në lavde, në flijimin eukaristik, në bashkësinë vëllazërore, ku të gjithë duhen e nuk ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit”. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së  Shën Martës. Duke komentuar Ungjillin e sotëm sipas Lukës (Lk 17,20-25), pohoi se Mbretëria e Zotit “nuk është spektakolare, rritet në heshtje të plotë”.

Veprat e mira nuk bëhen lajme

Kisha manifestohet në Eukaristi e në veprat e mira, edhe pse nuk përbëjnë lajm. Nusja e Krishtit ka temperament të heshtur, është e urtë, lidh fryte “pa potere”, pa u rënë borive, si farizenjtë.

Zoti na e shpjegon si rritet Kisha, përmes shëmbëlltyrës së farës, që rritet ditë e natë. E rrit Zoti, e pastaj duken edhe frytet. Por, së pari, ka rëndësi,   që Kisha të rritet në heshtje, në fshehtësirë: është stili kishtar. E si duket në Kishë? Në frytet e veprave të mira, që njerëzit t'i shohin e ta lumnojnë Atin, i cili është në qiell - thotë Jezusi.  E në kremtim – në lavdërimin e flijimin e Zotit - domethënë, në Eukaristi - atje manifestohet Kisha, në Eukaristi e në veprat e mira.

Tundimi për joshje

Kisha rritet përmes dëshmisë, lutjes, forcës tërheqëse të Shpirtit, që ka brenda - theksoi Papa Bergoglio në homeli - jo përmes ngjarjeve. “Natyrisht edhe këto ndihmojnë, por rritja e mirëfilltë e Kishës, ajo që jep fryt, arrihet në heshtje, fshehurazi, përmes veprave të mira, kremtimit të Pashkëve të Krishtit, lavdërimit të Zotit”.

Zoti na ndihmon të mos biem në tundimin e joshjes. “Ne do të donim që Kisha të dukej më shumë: ç’mund të bëjmë, që të duket?”. E zakonisht  e katandisim në Kishë ngjarjesh, që nuk është e aftë të rritet në heshtje, me vepra të mira, fshehtësisht.

Shpirti i botës nuk e toleron martirizimin

Në një botë, ku tepër shpesh ndjehet tundimi i spektakolaritetit, i  dëshirës për t’u mbajtur, për t’u dukur, Papa Françesku kujtoi se as vetë Jezusi nuk shpëtoi dot nga ngacmimi për të dhënë shfaqje. “Po pse gjithë ajo kohë për t’u ringjallur? Gjithë ai mundim? Gjithë ai gjak e ai Kryq? Bëj një mrekulli! Hidhu nga tempulli gjallë e shëndosh, e të gjithë do të rendin, do të shikojnë e do të besojnë në ty!”.  Udhë më e lehtë kjo, se udha e Kryqit! Po Ai zgjodhi “udhën e predikimit, të lutjes, të veprave të mira”. Zgjodhi “udhën e kryqit”, “të mundimeve”.

Kryqi e vuajtja. Kisha rritet edhe me gjakun e martirëve, burra e gra, që japin jetën, duke ecur pas Krishtit. Sot janë shumë. Çudi! Nuk janë lajm! Bota e fsheh martirizimin e tyre. Shpirti i botës nuk e duron martirizmin, e fsheh!

15 nëntor 2018, 12:50
Lexo gjithçka >