Cerca

Vatican News
 Papa kremtom Meshën e mëngjesit në Shën Martë Papa kremtom Meshën e mëngjesit në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: bujaria në gjërat e vogla ta bën zemrën mal

Në homelinë e mbajtur gjatë Meshës në Shën Martë, Papa, duke u nisur nga Ungjilli i sotëm, foli kryesisht mbi bujarinë, që çon në zemërgjërësi. Duke theksuar se armiku i bujarisë është konsumizmi.

R. SH. -Vatikan

Në homelinë e Meshës kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i nxiti besimtarët të jenë bujarë me të varfërit, qoftë edhe me gjëra të vogla. Vërejti edhe se armiku i bujarisë është konsumizmi, prirja për të shpenzuar shumë më tepër, sesa kemi nevojë. Bujaria, përkundrazi, ta bën zemrën mal. Këtë theksoi Papa, për të kujtuar, më pas, se shpesh herë në Ungjill, Jezusi vë theksin mbi kontrastin ndërmjet të pasurve e të varfërve. Mjafton të mendojmë “për Epulonin e Lazrin, ose për të riun pasanik, që lëkundej mes kamjes e varfërisë, për të zgjedhur, në fund kamjen, jo Krishtin!”. Ky kontrast e nxit Zotin të thotë: “Tepër e vështirë që një i pasur të hyjë në mbretërinë e qiellit”. Ndokush, pa menduar më gjatë, mund ta quajë Krishtin “komunist” - kujtoi Françesku. “po Zoti, kur i thoshte këto fjalë, e dinte mirëfilli se pas pasurive fshihet gjithnjë shpirti i keq, zotëria i botës”. Prandaj një herë pati thënë edhe: “Nuk mund të jesh shërbëtor i dy zotërinjve: do t’i shërbesh ose Zotit, ose pasurive”.

Bujaria lind nga besimi në Zotin  

Edhe në fragmentin e Ungjillit të sotëm (Lk 21, 1.4) ndjehet fort kontrasti ndërmjet të pasurve, që hidhnin lëmoshët e tyre në thesar, e një vejushe të varfër, që s’kish ç’të hidhte tjetër, veçse dy kacidhe të shkreta. Këta të pasur nuk janë si Epuloni. - Nuk janë të këqinj - nënvizoi Papa. Duken njerëz të mirë, që shkojnë në Tempull e japin edhe lëmoshë. Këtu kemi të bëjmë me një kontrast të ndryshëm. Me këtë, Zoti dëshiron të na kujtojë një gjë tjetër, kur pohon se vejusha hodhi më shumë se të gjithë, “sepse dha gjithçka kishte për të jetuar”. Vejusha, jetimi, emigranti, përgjithësisht i huaji, ishin njerëzit më të varfër të Izraelit - shpjegoi Papa - aq sa kur flitej për të varfërit, këta kujtoheshin. Kjo grua dha atë pak që kishte për të jetuar, sepse besonte plotësisht në Zotin. Ishte grua e Lumnive; jashtëzakonisht bujare. Jep gjithçka, sepse Zoti është më shumë se gjithçka. Mesazhi i këtij fragmenti të Ungjillit është ftesë për bujari – theksoi Papa.

Të përpiqemi për të bërë gjithnjë mirë

Përballë statistikave, të cilat flasin për varfërinë në botë, për fëmijët, që vdesin nga uria, që nuk kanë bukë, nuk kanë ilaçe, nuk kanë gjë prej gjëje - të cilat i dëgjojmë dendur në lajmet ditore e i lexojmë ndër gazetat - do të bënim mirë edhe të pyesnim: “Po si mund të marrë fund një gjëmë e tillë? E të na lindte në shpirt shqetësimi për të bërë mirë! E ndokujt, që ka pak para e pyet nëse mund të bëjë mirë edhe me to, Papa i përgjigjet se mundet, “sepse janë si monedhat e vejushës”.

“Është thirrje për bujari! E bujaria  është gjë e përditshme, që na shtyn të mendojmë: si mund të jem më bujar me të varfërit, me nevojtarët? Si mund të ndihmoj më shumë? Atë, thua s’e di se ne mezi arrijmë deri në fund të muajit?”. Po ndonjë cent a të tepron? Mendo: mund të jesh bujar edhe me të… mendo! Kujto gjërat e vogla:  të bëjmë, për shembull, një shtegtim  në dhomat tona, një shtegtim në dollapet tona. Sa palë këpucë kam? Një, dy tri, katër, pesëmbëdhjetë, njëzet… mund të thotë ndokush. Pak si tepër! Pata njohur një herë një ipeshkëv që kishte 40… Po, nëse ke shumë këpucë, jepi gjysmën. Sa veshje ke, që nuk i përdor ose i përdor vetëm një herë në vit? Është bujari ta japim, atë që kemi, ta ndajmë bashkë me të tjerët.

Sëmundja e konsumizmit

Papa tregoi, më pas, se kishte njohur edhe një zonjë që, kur shkonte për të blerë në supermerkat, 10% e blente për të varfërit. U jepte kështu “të dhjetën” të varfërve - nënvizoi akoma Françesku.

Nuk mund të bëjmë mrekulli me bujarinë. Mjafton bujaria e gjërave të vogla. Pak e gjë! Ndoshta nuk e bëjmë këtë, sepse as që na shkon në mend. Mesazhi i Ungjillit na nxit të mendojmë: si mund të jem më bujar? Pakëz, jo shumë… “Është e vërtetë, o atë, ashtu është, por ... nuk e di pse gjithnjë më zë frika…”. Pastaj, është edhe një sëmundje tjetër sot, sëmundja kundër bujarisë: sëmundja e konsumizmit. Kjo sëmundje të shtyn  të blesh, gjithnjë, gjithfarë sendesh. Françesku kujtoi se kur jetonte në Buenos Ajres çdo fundjave jepej një program i titulluar “turismo-shopping”: e t’u mbushte avioni plot e përplot  e shkohej në një vend rreth dhjetë orë larg  e gjithë e shtuna si dhe një pjesë e së dielës, kalohej duke blerë në supermerkate. Pastaj, kthehej në shtëpi.

Sëmundje e rëndë, kjo e konsumizmit të sotëm. Nuk dua të them se këtë e bëjmë të gjithë. Po konsumizmi vijon, njerëzit vijojnë të shpenzojnë më shumë se kanë nevojë, mungon thjeshtësia e jetës. E ky është armik i bujarisë. Ndërsa bujaria materiale - mendimi për të varfërit, për t’u dhënë të hanë e të vishen - ka një pasojë krejt tjetër: ta bën zemrën mal!

Bujaria të bën zemërgjërë

Është fjala, pra, ta kesh zemrën aq të gjërë, sa në të, të ketë vend për të gjithë. Këta të pasur, që jepnin para, ishin të mirë; ndërsa ajo vejusha, “ishte shenjte” - theksoi Papa që, në përfundim i nxiti të gjithë të jenë bujarë e t’ia nisin me inspektimin e shtëpisë, duke menduar çka u shërben atyre e çka mund t’u shërbejë të tjerëve e duke e thjeshtuar, kështu,  sadopak mënyrën e të jetuarit. Duhet t’i lutemi Zotit të na çlirojë nga kjo sëmundje e keqe, që është konsumizmi, i cili na bën skllevër: etja për të shpenzuar është sëmundje psikiatrike”. T’ia kërkojmë - nxiti Papa - Zotit këtë hir: “bujarinë, që ta zgjeron zemrën aq, sa të zërë gjithë njerëzimin!”.

26 nëntor 2018, 14:33
Lexo gjithçka >