Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Françesku: Jezusi na fton në sofrën e Mbretërisë së Zotit, të mos i themi jo

Mbretëria e Zotit shpesh përfytyrohet si tryezë e shtruar me të gjitha të mirat. Jezusi na fton të festojmë me Të, por, pyet Papa në homelinë e meshës së kremtuar në Shën Martë, sa herë gjejmë pretekste për ta refuzuar ftesën?

R.SH. - Vatikan

Tryeza e shtruar në pjesën ungjillore të sotme, festa e Zotit e refuzimi i njerëzve, në qendër të homelisë së Papës Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Një nga krerët e farisenjve pati organizuar një festë, në të cilën ftoi edhe Jezusin. Pasi pati shëruar një të sëmurë, Jezu Krishti, duke parë se shumë prej të ftuarve ngarendnin për të zënë vendet e para, e pati këshilluar të zotin e shtëpisë të ftonte për drekë të fundmit.

Refuzimi i dyfishtë

         Deri këtu, pjesa e djeshme ungjillore, e cila sot vijon me njërin prej të ftuarve, që brohoret: “Lum ai, që do të hajë bukë në Mbretërinë e Zotit!” E Jezusi tregon shembëlltyrën e atij, që organizoi një darkë të madhe e ftoi shumë vetë, por secili gjeti një pretekst për të mos shkuar. Preteksti është mënyra e edukuar për të refuzuar, komenton Papa Françesku. Atëherë, i zoti i shtëpisë çon shërbëtorët të thërrasin nga rruga të varfërit, të sëmurët, çalamanët e të verbërit, të cilët vijnë në festë. E pjesa ungjillore përfundon me refuzimin e dytë, vëren Ati i Shenjtë. I zoti i shtëpisë i përjashton krejtësisht të ftuarit e parë nga darka. Kështu është edhe me kë refuzon Jezusin, nënvizon Papa. Ai pret, jep një mundësi të dytë, ndoshta një të tretë e më shumë, por në fund të fundit, është Krishti vetë, që e mbyll derën.

         Kjo historia e refuzimit duhet të na bëjë të mendojmë. Nganjëherë, Jezusi na thërret, na fton të festojmë me Të, t’i qëndrojmë pranë, ta ndryshojmë jetën. Mendoni pak, kërkon miqtë e tij më të ngushtë e ata e refuzojnë! Pastaj, kërkon të sëmurët… e këta shkojnë; ndoshta, dikush edhe refuzon. Sa herë e dëgjojmë thirrjen e Jezusit për të shkuar tek Ai, për të bërë një vepër bamirësie, për t’u lutur, për ta takuar e themi: “Eh, më fal o Zot, jam i zënë, nuk kam kohë. Po, nesër, se sot nuk mundem…”.

Sa herë shpikim pretekste, kur është fjala për Jezusin

         Pastaj, Papa pyet sa herë i kërkojmë ndjesë Jezusit kur na thërret për t’u takuar, për të folur, për t’u ulur këmbëkryq me të. Sa herë ia refuzojmë ftesën.

         Secili prej nesh le të mendojë: në jetën time, sa herë e kam dëgjuar Shpirtin Shenjt, që më frymëzon për një vepër bamirësie, për të takuar Jezusin në atë vepër, për t’u lutur, për ta ndryshuar jetën në këtë e atë që s’shkon? E gjithnjë kam gjetur një arsye për të kërkuar ndjesë e për të refuzuar.

Jezusi është i mirë, por është edhe i drejtë

         Papa Françesku thotë se në fund të fundit, në Mbretërinë e Zotit do të hyjnë ata, që nuk e refuzojnë Jezusin dhe ata, që Ai vetë nuk i refuzon. E duke komentuar mendimin e atyre njerëzve, që kujtojnë se mund të bëjnë gjithçka, sepse Jezusi është i mirë e i fal, Papa pohon:

         ‘Po, është i mirë, është i mëshirshëm’ – është i mëshirshëm, por edhe i drejtë. E nëse ti ia mbyll portën e zemrës nga brenda, Jezusi nuk mund ta hapë, sepse ka shumë respekt për zemrën tonë. Të refuzosh Krishtin, do të thotë ta mbyllësh derën nga brenda e, Ai s’mund të hyjë. Askush prej nesh, kur e refuzon Jezusin, nuk mendon për këtë: “Unë po ia mbyll portën Krishtit nga brenda”.

Me vdekjen e tij, Krishti paguan gostinë

         Papa vë në dukje edhe një element tjetër: kush e paguan gostinë? Jezusi! Shën Pali Apostull, në Leximin e parë, “na bën ta shohim faturën e kësaj feste”, duke folur për Jezusin, që “boshatisi vetveten, duke u bërë shërbëtor dhe e përvujti vetveten deri sa vdiq në kryq”. “Me jetën e Tij – pohon Papa – Jezusi e pagoi festën. E unë i them: ‘Nuk mundem’… Zoti na dhashtë hirin ta kuptojmë misterin e ngurtësisë së zemrës, të kokëfortësisë, të refuzimit– përfundon Ati i Shenjtë. – Zoti na dhashtë hirin të derdhim lot për këtë”.

06 nëntor 2018, 13:13
Lexo gjithçka >