Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: të pranosh se je mëkatar, hapi i parë për të pranuar Jezusin

“Ta pranosh se jemi mëkatarë, do të thotë, konkretisht, të pranosh Jezu Krishtin e të mos mbetesh i krishterë vetëm me fjalë”. Kjo, nxitja e Papës Françesku në Meshën e sotme, kremtuar në Shën Martë.

R. SH. - Vatikan

Kush është Jezu Krishti për ty? Sot në mëngjes, Papa Françesku e bëri këtë pyetje gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. E nëse ndokush na pyet “Kush është Jezu Krishti”- shtoi - ne themi atë, që na e kanë mësuar: është Shëlbuesi i botës, Biri i Atit, domethënë, përsërisim çka themi në Besojmë. Kjo është e lehtë. Por nuk është kaq e lehtë t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: “Kush është Krishti për mua?”. Pyetje, që na bën të mendohemi, sepse për t’iu përgjigjur, duhet të arrijmë në zemrën tonë”, domethënë, të nisemi nga përvoja.

Si Shën Pali, të nisemi nga përvoja

Pikërisht kjo e shqetëson Shën Palin: dëshira për të transmetuar sesi e njohu Jezusin përmes përvojës, kur ra nga kali e Zoti i foli zemrës së tij. Nuk e njohu Krishtin, duke u nisur nga studimet teologjike, edhe pse, më pas, nisi ta shfletonte Shkrimin Shenjt, për të parë si qe kumtuar Jezusi.

Pali dëshiron që edhe ne ta ndjejmë, atë që ndjeu ai. Prandaj pyetjes, që mund t’i bëjmë Palit: “Pal, kush është Krishti për ty?”, ai do t’i përgjigjej  duke u mbështetur në përvojën e vet, thjesht: “Më deshi e u dorëzua për mua”. Kjo, përvoja.

Pali dëshiron që të krishterët - në këtë rast të krishterët e Efezit - ta jetojnë këtë përvojë deri në atë pikë, sa secili prej tyre të mund të thotë: “Më deshi e u dorëzua për mua”. E këtë ta thotë sipas përvojës së vet.

Papa u nis pikërisht nga Leximi i Parë i Liturgjisë së sotme, fragment i shkëputur nga Letra e Parë drejtuar Efezianëve (Ef 3, 14-21), në të cilën Apostulli thotë: “Të rrënjosur e të themeluar në dashuri, të jeni në gjendje   ta kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dije, kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit”.

I zgjedhur për dashuri, por mëkatar

E për të arritur tek përvoja që provoi Pali me Jezusin - nënvizoi Papa Françesku -  të ndihmon shumë “Besojma”, që duhet thënë disa herë. Por udha më e mirë është të pranosh se je mëkatar: hap i parë ky. Kur Pali  kujton se Jezusi u dorëzua për të, dëshiron të thotë se pagoi për të, gjë që e tregon në Letrat e tij. Përkufizimi i parë që jep për vetveten, është “m’u duk mua, mëkatarit”. Hapi i parë për ta njohur Jezusin, për të hyrë në këtë mister - pohoi Papa - është ta pranosh mëkatin tënd, mëkatet tuaja. Françesku kujtoi, më pas, se në Sakramentin e Rrëfimit, ne themi: “mëkatet tona”. Një gjë është të thuash mëkatet, e gjë tjetër të pranosh se je mëkatar për natyrë. “I aftë për të bërë gjithçka”, “për të pranuar se je pleh”. Shën Pali - pohoi Françesku -  e pranoi mjerimin e vet. E kuptoi se kishte nevojë të rilindej nga dikush, që t’ia paguante të drejtën për t’u quajtur “bir i Zotit”: “Të gjithë jemi, por për ta thënë, për ta dëgjuar, duhej flijimi i Krishtit”. Prej këndej, duhet ta pranojmë konkretisht se jemi mëkatarë  e të na vijë turp nga vetja.

Ta pranosh Jezusin, jo të krishterë me fjalë

Vjen, pastaj, një hap i dytë për ta pranuar Jezusin: ai i kundrimit, i lutjes për t’i kërkuar ta njohësh e ta pranosh. Është një lutje e bukur e një Shenjti, që i drejtohet Zotit me fjalët: “O Zot, ndihmomë të të pranoj e të më pranosh!” - kujtoi akoma Françesku. Këtu ndjehet lidhja e shëlbimit -nënvizoi Papa - duke i nxitur besimtarët të mos kënaqen vetëm me dy-tri fjalë të drejta për Jezusin, sepse ta njohësh e ta pranosh Jezusin është aventurë, aventurë e vërtetë, jo punë fëmijësh, mbasi dashuria e Jezusit nuk njeh kufi!

Na e kujton edhe Pali, që thotë: “Ai e ka gjithë fuqinë të bëjë shumë më tepër, sesa mund të mendojmë e të kërkojmë ne”. Por pa harruar t’i lutemi: “Më ndihmo të të njoh! Që kur të flas për Ty, të mos them fjalë papagali, por fjalë të lindura nga përvoja ime”. E, ashtu si Pali, të mund të them: “Më deshi e u dorëzua për mua”, e ta them me bindje. Kjo është forca jonë, kjo, dëshmia. Të krishterë me fjalë kemi shumë: e edhe ne jemi nganjëherë. Po kjo nuk është shenjtëri. Shenjtëri do të thotë të jemi të krishterë, që e jetojnë çka na mësoi Jezusi e çka na mbolli vetë Zoti në zemër.

Të lutemi çdo ditë për ta njohur Krishtin e vetveten

Në përfundim, Papa Françesku rikujtoi dy hapat që duhen bërë për ta pranuar Jezusin. Hapi i parë, të njohësh vetveten;  të pranosh se je mëkatar, mëkatar! Pa e pranuar këtë e pa i rrëfyer vetvetes se je mëkatar, nuk mund të shkosh përpara. Hapi i dytë, lutja drejtuar Zotit që, me pushtetin e Tij,  të na ndihmojë ta pranojmë këtë mister të Jezusit: zjarrin që Ai e solli mbi tokë. Do të ishte zakon i mirë nëse çdo ditë, në ndonjë çast, të mund të thoshim: “O Zot, të lutem të më pranosh e të të pranoj”. E kështu të shkojmë përpara!

25 tetor 2018, 13:55
Lexo gjithçka >