Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: vaj për të krishterët hipokritë, që e lënë Jezusin në kishë

Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku fton të reflektojmë mbi hipokrizinë e “të drejtëve”, që e jetojnë krishterimin sa për sy e faqe e nuk e mbajnë me vete Jezusin në jetën e përditshme.

R.SH. - Vatikan

Ata, që janë lindur në një shoqëri të krishterë, rrezikojnë ta jetojnë krishterimin formalisht, me “hipokrizinë e të drejtëve”, që kanë frikë ta lëshojnë veten në krahët e dashurisë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Sapo mbaron mesha, denoncoi ai, ikim pa e marrë Krishtin me vete, por duke e lënë atë në kishë. Vaj për ne, paralajmëroi Ati i Shenjtë, kështu e dëbojmë Jezusin nga zemra: “Jemi të krishterë, por jetojmë si paganë”.

Jezusi vajton për ata, që nuk dinë të duan

         Papa Françesku merr shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, ku Jezusi qorton njerëzit e Betsaidës, të Korazinit dhe të Kafarnaumit, të cilët nuk besuan në Të, pavarësisht nga mrekullitë. Qytetet pagane, si Tiri e Sidona, duke parë mrekullitë, me siguri do të kishin besuar, u thotë Krishti njerëzve, për të cilët vajton, sepse nuk ishin në gjendje të donin me të vërtetë. Kështu bëjmë edhe ne sot, ngre zërin Papa. Ne, që kemi lindur në një shoqëri të krishterë, e kemi njohur Jezu Krishtin dhe planin e Tij të shëlbimit e jemi edukuar në fe, ne e harrojmë me lehtësinë më të madhe. Ndërsa të tjerë, që s’kanë dëgjuar kurrë për Të, kur e njohin, e përqafojnë dhe kthehen në fenë e Krishtit. Ne e jetojmë fenë për “zakon”, thekson Françesku.

         E ky zakon na bën keq, sepse e reduktojmë Ungjillin në fakt shoqëror, sociologjik e jo në marrëdhënie personale me Jezusin. Krishti më flet mua, të flet ty, i flet secilit prej nesh. Po si vallë, këta paganë, sapo dëgjojnë predikimin e Krishtit, shkojnë me të, kurse unë, që kam lindur këtu, në një shoqëri të krishterë, mësohem dhe e jetoj krishterimin si të ishte zakon shoqëror, një veshje që e mbaj dhe pastaj e lë? E Jezusi vajton mbi secilin prej nesh, kur e jetojmë krishterimin formalisht, jo realisht.

Hipokrizia e të drejtëve

         Nëse bëjmë kështu, sqaron Papa Françesku, jemi hipokritë, me hipokrizinë e “të drejtëve”.

         Ekziston hipokrizia e mëkatarëve, por hipokrizia e të drejtëve është frika nga dashuria e Jezusit, frika për t’u lëshuar në duart e dashurisë. Kur e bëjmë këtë, në të vërtetë, përpiqemi t’i administrojmë marrëdhëniet tona me Jezusin. “Po, po, unë po shkoj në meshë, por Ti ndalu në kishë, se unë pastaj, kthehem në shtëpi”. E Jezusi nuk vjen me ne në shtëpi: në familje, në edukimin e fëmijëve, në shkollë, në lagje…

Kështu e dëbojmë Krishtin nga zemra

         Kështu, Krishti mbetet në kishë, komenton hidhur Papa Françesku, “ose në kryq apo në fugure”. Duke u kërkuar të gjithëve ta pyesin veten nëse sillen si njerëzit e Betsaidës, të Korazinit e të Kafarnaumit e duke iu lutur Zotit t’i ndihmojë të gjithë të mos tregohen mosmirënjohës ndaj Tij, Ati i Shenjtë përfundon:

         Sot, mund të jetë dita e shqyrtimit të ndërgjegjes për ne, me këtë refren: “Vaj për ty, vaj për ty”, sepse të dhashë shumë, të dhashë vetveten, të zgjodha për të qenë i krishterë apo e krishterë, e ti preferon një jetë gjysmake e sipërfaqësore: po, pak krishterim e ujë të bekuar, por asgjë më tepër. Në të vërtetë, kur e jetojmë këtë hipokrizi të krishterë, e dëbojmë Krishtin nga zemra. Bëjmë gjoja se e kemi, por e kemi larguar. “Jemi të krishterë, krenarë se jemi të krishterë”, por jetojmë si paganë.

05 tetor 2018, 12:38
Lexo gjithçka >