Kërko

Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: shpresa është pritje e takimit konkret me Krishtin

Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflekton mbi shpresën, e cila nuk është abstrakte, por është pritje e takimit konkret me Jezu Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Gruaja shtatzanë, që pret me gëzim takimin me të birin e çdo ditë, prek barkun për ta përkëdhelur. Kjo, figura e përdorur nga Papa, sot paradite, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, për të shpjeguar ç’është shpresa e krishterë. Sipas Atit të Shenjtë, të shpresosh do të thotë të jetosh, duke pritur takimin konkret me Jezu Krishtin, pra, shpresa e krishterë s’është aspak abstrakte. Gjithashtu, urti do të thotë të dish të gëzohesh nga “takimet e vogla të jetës me Krishtin”.

Qytetari dhe trashëgimi

         Papa e nis homelinë, duke reflektuar mbi dy fjalë të mesazhit të sotëm liturgjik: “qytetari” dhe “trashëgimi”. Për qytetarinë flet Leximi i parë, marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve (Ef 2,12-22). Qytetaria, nënvizon Papa, është dhuratë e Zotit, i cili na ka dhënë një “kartë identiteti”. Jezu Krishti e ndryshoi Ligjin për të na pajtuar me Atin Qiellor e ndërmjet nesh, na bëri një me shenjtorët. “Identiteti ynë – thekson Françesku – vjen nga ky shërim i Zotit, i cili ka formuar një bashkësi me ne e na ka dhënë Shpirtin Shenjt”. Hyji na udhëheq drejt trashëgimisë së krishterë, me sigurinë se jemi “bashkëqytetarë” e se “Zoti është me ne”. Trashëgiminë e kërkojmë gjatë gjithë udhës, vijon Papa, por do ta marrim vetëm në fund. Gjithsesi, ajo duhet kërkuar përditë e virtyti, që na ndihmon ta bëjmë këtë, është shpresa, “virtyti, ndoshta, më i vogël, ndoshta, më i vështiri për t’u kuptuar”, vëren Ati i Shenjtë.

Nëse shpreson, nuk zhgënjehesh kurrë

         Feja, shpresa e dashuria janë dhuratë. Feja është e lehtë për t’u kuptuar, po ashtu edhe dashuria, por shpresa, nënvizon Papa, jo dhe aq. Ne shpresojmë se në Qiell do të takojmë shenjtorët e do të përjetojmë lumturinë e amshuar, por “ç’është Qielli për secilin prej nesh?”, pyeti Françesku:

         Të jetosh me shpresë do të thotë, pa dyshim, të ecësh drejt një shpërblimi, drejt lumturisë, të cilën nuk e kemi këtu, por do ta kemi atje… është virtyt i vështirë për t’u kuptuar. Është virtyt i përvuajtur, shumë i përvuajtur. Është virtyt, që nuk zhgënjen kurrë: nëse shpreson, nuk do të zhgënjehesh kurrë. Kurrë, kurrë! Është edhe virtyt konkret. “Po si mund të jetë konkret, nëse unë nuk e njoh Qiellin e s’di ç’më pret atje?” Shpresa, trashëgimia jonë që është shpresë drejt diçkaje, nuk është ide, nuk do të thotë të shkosh në një vend të bukur… jo! Është takim. Jezusi e nënvizon gjithnjë këtë aspekt të shpresës, këtë pritje, këtë takim.

Gruaja shtatzanë, që jeton për t’u takuar me fëmijën

         Në Ungjillin e sotëm (Lk 12,35-38) vihet në dukje rëndësia për të qenë gati kur i zoti i shtëpisë kthehet nga dasma. Është paralelizëm me pritjen e Hyjit, pra, me një takim konkret. E Papa, për ta shpjeguar më mirë këtë ide, jep një shembull konkret:

         Kur mendoj për shpresën, mua më vjen në mend një figurë: gruaja shtatzanë, gruaja që pret fëmijë. Shkon tek mjeku, ai i tregon ekografinë – “ah, po, fëmija…është mirë”… E kështu, gëzohet. E çdo ditë prek barkun për ta përkëdhelur atë fëmijë, e pret, jeton duke pritur të birin. Kjo figurë na bën të kuptojmë ç’është shpresa: të jetosh për atë takim. Ajo grua imagjinon si do të jenë sytë e fëmijës, si do të buzëqeshë, si do të jetë: bjond apo me flokë të zeza… por gjithnjë, përfytyron takimin me fëmijën.

Të gëzohemi nga takimet e vogla me Jezusin

         Papa thekson pra, se imazhi i gruas shtazanë mund të na ndihmojë ta kuptojmë ç’është shpresa e të bëjmë disa pyetje:

         “Unë, a shpresoj konkretisht apo shpresoj në mënyrë gnostike?” Shpresa është konkrete, është e përditshme, sepse është takim. E sa herë takojmë Krishtin në Eukaristi, në lutje, në Ungjill, në të varfërit, në jetën e bashkësisë, aq herë bëjmë një hap përpara drejt këtij takimi përfundimtar. …Urtia, që të dimë të gëzohemi nga takimet e vogla të jetës me Krishtin, duke përgatitur takimin përfundimtar.

23 tetor 2018, 14:06
Lexo gjithçka >