Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: Shpirti Shenjt është tharmi i të krishterëve për shëlbim

Gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, Françesku foli për të krishterët hipokritë, të cilët nuk e pranojnë tharmin e Shpirtit Shenjt, që ka aftësinë për të rritur “drejt jashtësisë”.

R. SH. - Vatikan

Të shkojmë gjithnjë përpara me “tharmin e Shpirtit Shenjt”, që na prin drejt asaj trashëgimie, të cilën Zoti na e la të gjithëve. Kjo, porosia e Papës gjatë homelisë  të Meshës së mëngjesit, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës. Duke reflektuar mbi faqen e sotme ungjillore, shkëputur nga Shën Luka, Papa u ndalua tek dy tipe njerëzish, që ndeshen në këtë fragment e rriten në mënyra të ndryshme, “të kundërta”.

Krishti nuk e duron hipokrizinë

Jezusi flet për tharmin, që e fryn brumin, e bën të rritet, por - thotë Françesku – është edhe një tharm tjetër, i keq, që shkatërron, që të bën të rritesh “nga brenda”. Eshtë tharmi i farizenjve, i doktorëve të Ligjit të asaj kohe, i saduçenjve, domethënë “hipokrizia”.  

Bëhet fjalë - sqaroi Papa - për njerëz të mbyllur në vetvete, që mendojnë vetëm për t’u dukur, për t’u shtirë, për të dhënë një lëmoshë të thatë e për t’i rënë, pastaj borisë, që ta marrin vesh të gjithë. Shqetësimi i vetëm i këtyre njerëzve - vijoi Françesku -  është ta ruajnë atë, që kanë në shpirt, egozimin e tyre, sigurinë. Kur  ndodh ndonjë gjë, që ua lëkund, si pamja e burrit të sulmuar nga cubat,  gjysmë të vdekur në mes të udhës, ose takimi me ndonjë të gërbulur - shtoi Papa - ata kthejnë kokën mënjanë,  sipas “ligjeve të tyre të brendshme”.

Ky tharm - na kujton Jezusi - është tejet i rrezikshëm. Ruajuni prej tij! Është hipokrizia. Jezusi nuk e duron hipokrizinë, nuk mund ta durojë dot sjelljen e mirë, në dukje, të edukuar madje, pas së cilës fshihet e keqja. E vetë Jezusi u thotë: “Përjashta ju jeni të bukur, si varret, por përbrenda jush ka vetëm kalbësirë e rrënoja, ka tharm, që  rrit, por pa të ardhme, sepse rrit egoizmin. E egoizmi nuk ka ardhmëri!

Është një tip tjetër njeriu, me një tharm tjetër, e kundërta e atij, për të cilin folëm: ai të bën të rritesh drejt jashtësisë. Të bën të rritesh si trashëgimtar, për të pasur trashëgim.

Premtimi për lumturi shumë të madhe

Françesku kujtoi, më pas, Letrën drejtuar Efezianëve, në të cilën Shën Pali  shpjegon sesi në Krishtin “u bëmë edhe trashëgimtarë, të paracaktuar”. Flet këtu për njerëz të drejtuar “kah jashtësia”.

Edhe ata mund të gabojnë. Por korrigjohen shpejt. Mund të rrëzohen, por edhe të ngrihen përsëri në këmbë. Mund  të mëkatojnë, por edhe pendohen. Gjithnjë drejt jashtësisë, drejt kësaj trashëgimie, sepse iu premtua një lumturi shumë, shumë e madhe: se do të jenë lavdia, lumnia e Zotit. E tharmi i këtyre njerëzve - na kujton Shën Pali - është Shpirti Shenjt, që i shtyn  të jenë lavdi i lumnisë së Tij, lumnisë së Zotit.

Me gëzim në zemër

Vula e Shpirtit Shenjt, që na u premtua - vuri në dukje Papa, duke vijuar të citojë Apostullin, - është kapari i trashëgimisë sonë, në pritje të shëlbimit të plotë.  Pikërisht Jezusi - nënvizoi Françesku -  dëshiron të na shikojë gjithnjë për udhë, me tharmin e Shpirtit Shenjt, që nuk rrit kurrë nga brenda, si doktorët e Ligjit, si hipokritët: Shpirti Shenjt “shtyn drejt jashtësisë”, drejt horizonteve të pafundme. Kështu i dëshiron Jezusi të krishterët: ndonëse me vështirësi, me vuajtje, me probleme, me rrëzime, por gjithnjë përpara, me shpresën për ta gjetur trashëgimin, duke pasur tharmin, që është kapari, është Shpirti Shenjt. Ja edhe dy llojet  e njerëzve të përmendur:

Njëri, i prirë nga egozimi i vet, rritet drejt brendësisë. Ka një tharm - egoizmin - që e bën të fryhet nga brënda, të shqetësohet vetëm për t’u paraqitur sa më mirë, për t’u dukur i ekulibruar, pa u kujtuar kurrë për atë, që ka përbrenda, për zakonet e tij të këqija. Për hipokrizinë e tij. Për këtë e ka fjalën Jezusi, kur na porosit: “Ruajuni!. Kujdes nga tharmi i farizenjve!”. Tharmi i të krishterëve është Shpirti Shenjt, që i shtyn jashtë, i bën të rriten, pavarësisht nga vështirësitë e udhës, pavarësisht edhe nga mëkatet, por gjithnjë me shpresë. Shpirti Shenjt është kapari i shpresës, i lavdit, i gëzimit! Këta njerëz, që e kanë tharmin e Shpirtit Shenjt,  edhe kur kanë probleme e vështirësi, janë plot me gëzim. “Ndërsa hipokritët nuk e dinë as ç’do të thotë të të qeshë zemra!”.

19 tetor 2018, 13:43
Lexo gjithçka >