Kërko

 Mesha e mëngjesit në Shën Martë Mesha e mëngjesit në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: paqja është udhë përvujtërie, ëmbëlsie, bujarie

Gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, Papa ftoi për ta krijuar e për ta forcuar unitetin në botën e sotme, në të cilën as institucionet ndërkombëtare nuk bien dakord për paqen.

R. SH. - Vatikan

Kalon përmes  përvujtërisë, ëmbëlsisë, shpirtmadhësisë, udha për të gjetur paqen në botë, në shoqëritë tona, por edhe në familjet tona. E vuri në dukje Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. Duke reflektuar mbi Leximin e Parë, një fragment i shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Efezianëve, Françesku kujtoi sesi Pali, nga vetmia e burgut, u drejton të krishterëve një himn të mirëfilltë, kushtuar unitetit,  të cilin e quan “dinjitet i thirrjes”.

Nuk janë aspak të lehta marrëveshjet për paqen

Ishte krejt i vetëm, Apostulli, i mbyllur pas hekurave të kryqëzuara. Vetëm. Deri në vdekje, tek “Tre Burimet”, sepse të krishterët - vërejti - ishin tepër të zënë me luftërat e tyre të brendshme. Vetë Jezusi - nënvizoi Papa - para se të vdiste, në Darkën e Mbrame, i kërkoi Atit hirin e unitetit për ne të gjithë. E megjithatë - vërejti - ne jemi mësuar të thithim ajrin e konfliktit; ditë për ditë, në tv, në gazeta, në të gjitha mjetet e informacionit flitet gjithnjë për sherre, njëri pas tjetrit, për luftëra, pa paqe, pa unitet. Edhe pse - kujtoi Papa - nënshkruhen pakte pas paktesh për t’u dhënë fund konflikteve, pakte që, pastaj, nuk zbatohen. Kështu rendja pas armatimit, pas përgatitjes së luftërave, shkatërrimit në masë, vijon.

Edhe institucionet botërore  - siç e shikojmë sot -  të krijuara me vullnetin më të mirë të mundshëm për të ndihmuar unitetin e njerëzimit,  për të siguruar paqen, janë të paafta të merren vesh: ndonjë veto këtu, ndonjë interes atje… E lodhen e  këputen, por nuk merren vesh! E ndërkaq fëmijët nëpër botë nuk kanë ç’të hanë, nuk shkojnë në shkollë, nuk edukohen, nuk mund të shtrohen në spital kur sëmuren, sepse nuk ka spitale, mbasi lufta shkatërron gjithçka. Sende e jetë! E kjo, sepse kemi prirjen të shkatërrojmë, të bëjmë luftë, të  përçahemi, në vend që të bashkohemi. Është prirja, që mbjell në zemrën tonë armiku, shkatërrimtari i njerëzimit, Djalli! Në këtë fragment Pali na mëson të ecim në udhën drejt unitetit e na kujton se pa paqe, nuk mund të ketë unitet.

Ta hapim zemrën

Për të bërë paqe, unitet ndërmjet nesh, duhet përvujtëri, ëmbëlsi! Kështu duhet të sillemi ne, që jemi mësuar të grindemi, të shamatohemi, të bërtasim sa na ha zëri! Ëmbëlsisht. Shpirtmadhësisht. Duke e lënë mënjanë grindjen e duke e hapur zemrën. Por, thua mund të sigurohet paqja në botë me këto gjëra kaq  të vogla? Po, kjo është udha! A mund të arrihet uniteti? Po, kjo është udha! Përvujtëri, ëmbëlsi e bujari! E Pali është praktik e vijon me këshilla praktike: “durojeni njëri-tjetrin në dashuri”. Ta durojmë, pra, njëri-tjetrin. Vërtet nuk është aspak e lehtë. Gjithnjë del në plan të parë gjykimi e dënimi, që çon, pastaj, në ndarje. Që i largon njerëzit nga nga njëri-tjetri.

Marrëveshje që në fillim

Ndodh - kujtoi Papa -  që  krijohet distancë edhe ndërmjet anëtarëve të së njëjtës familje. E Djalli ndjehet i lum, kur shikon si nis lufta. Këshilla, atëhere, është “të durojmë”, sepse të gjithë mund t’i shqetësojmë të tjerët, mund ta humbasim durimin. Të gjithë i kemi të metat tona. Shën Pali na porosit  “Bëni çmos ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon”. Natyrisht, të frymëzuar nga fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame: “S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj.  Nuk ka veçse një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë”. Pastaj - kujtoi akoma Papa - Pali shkon edhe më tej e na bën t’i shikojmë horizontet e paqes në lutjen: “Atë, bëj të jenë një, si ti e unë”. Françesku kujtoi, më pas, edhe Ungjillin e Lukës, shpallur pikërisht sot, në të cilin Jezusi na këshillon të pajtohemi me kundërshtarin tonë “gjatë udhës”. Këshill i bukur - komentoi Papa -  sepse  është shumë më lehtë të pajtohesh në fillim të konfliktit, sesa ta lësh të trashet.

Këshilla e Jezusit është: bjerë dakord që në fillim! Bëj paqe që në fillim! Kjo është ëmbëlsi, kjo, bujari! Mund të sigurohet paqja në mbarë botën  me këto sjellje të vogla. Sepse këto janë sjelljet e Jezusit, që ishte zemërbutë e i përvujtë. Që falte gjithkënd e gjithçka! Bota e sotme ka nevojë për paqe, ne kemi nevojë për paqe, familjet tona kanë nevojë për paqe, shoqëria ka nevojë për paqe. Të nisim e t’i praktikojmë në shtëpinë tonë këto gjëra të thjeshta: bujari, ëmbëlsi, përvujtëri. Të ecim në këtë udhë, duke punuar gjithnjë për unitetin, duke e forcuar unitetin. E Zoti na ruajtë në këtë udhë!

26 tetor 2018, 13:24
Lexo gjithçka >