Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: laikë e barinj nuk duhet të kenë frikë t’i ndotin duart

Në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i nxiti laikët dhe barinjtë t’i bëjnë vetes pyetjen: “Ç’do të thotë të jesh i krishterë gjithnjë zemërhapur për të papriturat e Zotit e gjithnjë pranë nevojtarëve?”.

R. SH. - Vatikan

Ishte ftesë për të qenë “seriozisht të krishterë”, të krishterë, që nuk kanë frikë t’i ndotin duart as veshjet, kur i shërbejnë të afërmit; të krishterë zemërhapur për të papriturat; të krishterë që paguajnë për të tjerët, si Jezusi. Kështu u shpreh Françesku në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Duke e marrë shtytjen nga Ungjilli i sotëm i Lukës, Papa reflektoi mbi gjashtë personazhet e shëmbëlltyrës, të cilën Jezusi ia rrëfen doktorit të ligjit që, për ta vënë në provë, e  pyet “kush është i afërmi im?”. E radhit cubat, të plagosurin, priftin, levitin, Samaritanin e të zotin e bujtinës.

Mos shko tutje: ndalohu, ki mëshirë, ndihmo!

Cubat, që e dërmuan udhëtarin, duke e lënë gjysëm të vdekur në mes të udhës, priftin që, kur e pa të plagosurin, ktheu kokën mënjanë e u nis e shkoi në punë të vet, pa e kujtuar fare misionin, duke menduar vetëm për orarin e meshës. E, më pas, edhe levitin, “njeriun e kulturës së ligjit”. Françesku i nxiti të gjithë të mos bëjnë asnjë hap para, përballë pamjeve të tilla, koncept ky, që duhet të hyjë sot në zemrën tonë. Është fjala - vërejti Papa - për dy funksionarë që, duke e ditur fare mirë se u takonte të ndaloheshin, thanë: “Nuk na takon ne ta ndihmojmë të plagosurin”. I vetmi, që ndalohet pranë njeriut gjysëm të vdekur, është Samaritani. Më mëkatari, njeri i përjashtuar nga populli i Izraelit - nënvizoi Papa - e ndali hapin. E pati mëshirë. Ndoshta - vërejti - ishte tregtar, që shtegtonte për punët e veta, e megjithatë:

“Nuk shikoi orën, nuk mendoi se do të ndotej me gjak. Nga i largët, u bë i afërt për njeriun, që po i dilte shpirti në mes të rrugës. Iu afrua, ia lidhi plagët, pasi ia mjekoi me vaj e me verë. I ndoti duart, i njollosi petkat. Pastaj e ngarkoi mbi kalë e arriti në bujtinë, i larë edhe ai vetë në gjak, si  i plagosuri. E kështu duhet të arrinte.  E vijoi të kujdesej për të. Nuk i tha: “Tashti po të lë këtu, thirrini mjekët, që të vinë. Ndërsa unë po shkoj! E bëra timen! Jo, nuk shkoi! Vijoi të kujdesej për të, si të donte t’i thoshte: “Tani ti je imi, jo për të më shërbyer, por për të të shërbyer”. Ky nuk ishte funksionar. Ishte njeri me zemër të madhe, me zemër të hapur.

Zemërhapur për të papriturat e Zotit

Papa foli, pastaj, për të zotin e bujtinës, që mbeti pa gojë, kur pa sesi një i huaj, një pagan - kështu po e quajmë - sepse nuk i përkiste popullit të Izraelit - po ndalohej  për të ndihmuar njeriun e panjohur, duke paguar dy denarë e duke premtuar se do ta lante pjesën tjetër, kur të kthehej. Natyrisht i zoti i bujtinës dyshoi se nuk do ta shihte kurrë më  borxhin. Po ishte dyshim i atij, që jetoi një dëshmi. Dëshminë e njeriut, i cili ia hap zemrën të papriturave të Zotit, si Samaritani!

Asnjëri prej tyre nuk ishte funksionar. Po ti, a je i krishterë? “Po, po, shkoj çdo të diel në Meshë e bëj çmos të jem i drejtë… Duke përjashtuar përgojimet sepse, të them të drejtën, më pëlqejnë shumë! Por të tjerat i bëj mirë!”. Po ti a je zemërhapur për të papriturat e Zotit, apo je i krishterë funksionar, zemërmbyllur? Unë bëj këtë, ndjek meshën të diel, kungohem, rrëfehem një herë në vit…bëj këtë e atë. Domethënë jam fare në rregull! Të krishterët e këtillë janë funksionarë. Zemërmbyllur për të papriturat e Zotit! Janë nga ata, që dinë shumë për Zotin, por nuk e takojnë kurrë. Nga ata, që mund të mrekullohen vetëm përballë dëshmisë. Por janë të paaftë të japin dëshmi!

Jezusi dhe Kisha e Tij

Papa i nxiti të gjithë “laikë e barinj”, t’i bëjnë vetes pyetjen: “A jemi të krishterë zemërhapur për atë që na jep Zoti çdo ditë? Për të papriturat e Zotit, që shpesh herë, si Samaritanin, na vë para provave të vështira”, apo jemi të krishterë funksionarë,  që besojnë se janë në rregull, duke bërë çka duhet  e duke mbetur, pastaj,  të ngujuar në të njëjtat rregulla? Disa teologë të lashtë - kujtoi në përfundim Françesku - pohojnë se në këtë fragment përmblidhet i gjithë Ungjilli.

Secili nga ne është njeriu  i grabitur, i gjakosur; e Samaritani është vetë Jezusi.  Ai që na i shëroi plagët! Që u bë i afërmi ynë! Që pati mëshirë për ne! Pagoi për ne! E i tha Kishës së Tij: “Por nëse  duhet paguar më shumë, paguaj ti, derisa të rikthehem unë e ta paguaj borxhin me fund!”. Mendoje mirë: në këtë fragment është i tërë Ungjilli!

 

08 tetor 2018, 14:06
Lexo gjithçka >