Kërko

 Papa duke kremtuar Meshën në Shën Martë Papa duke kremtuar Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: i krishteri i vërtetë është i dashuruar me Zotin

Marta e Maria, protagoniste të Ungjillit të sotëm, na mësojnë si duhet jetuar jeta e të krishterit, “të dashuruarit me Zotin”. Për këtë foli Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, duke na ftuar të reflektojmë sa për mënyrën si punojmë, aq edhe për kohën, që ia kushtojmë kundrimit.

R. SH. - Vatikan

Fjala kyçe, që na ndihmon të mos gabojmë në jetën tonë të krishterë, është “të jesh i dashuruar” me Zotin e të frymëzohesh prej Tij në gjithçka mendon e vepron. Kështu ishte Pali, Apostulli, i cili sot na e përshkruan jetën e tij në Letrën e Parë drejtuar Galatasve. Njeri, që dinte ta ruante “ekuilibrin ndërmjet kundrimit e shërbimit”, dy cilësi, për të cilat na flet Ungjilli sipas Lukës, i përqendruar mbi figurën e Martës e të Marisë, motrat e Lazrit të Betanisë, nën strehën e  të cilit Jezusi pushonte shpesh si mik shtëpie, ndërmjet shtegtimeve të pafundme.

Të krishterë të mbytur në punë, por pa paqen e Zotit

“Dy motra, dy mënyra veprimi” - kujtoi Papa në homelinë e Meshës, “që na mësojnë si duhet jetuar jeta e krishterë”. Maria dëgjonte Zotin, ndërsa Marta sillej e përsillej, e zënë me punët e shtëpisë, që nuk mbarojnë kurrë.  Marta është një nga ato gra të forta - vërejti Papa - që guxon të qortojë deri vetë Zotin, pse nuk ishte i pranishëm në mortin e të vëllait, Lazrit.  Di ta thotë haptazi çka mendon, por i mungon aftësia për kundrim. Është e paaftë “të humbasë kohë duke shikuar Zotin”. Sepse, sikur të gjithë të  ngulen në kundrim, kush do t’i bëjë punët e shtëpisë?

Ka shumë të krishterë, që shkojnë rregullisht në meshën e së dielës, por pastaj kapen pas punës aq, sa e harrojnë gjithçka tjetër. Nuk kanë kohë as për gruan e as për fëmijët. Nuk gjejnë asnjë çast, për të luajtur me ta. E kjo është gjë e keqe... “Kam aq punë, sa nuk më del kohë as për të marrë frymë... Punë! E këtë e përsërisin aq, sa në fund bëhen adhurues të kësaj feje, që quhet “feja e të zënit me punë”.

“Të zënët me punë” janë një grup njerëzish, që nuk dinë të pushojnë kurrë… E po, ndalu një ças! Shikoje Zotin! Merre në dorë Ungjillin e shfletoje! Dëgjoje fjalën e Zotit! Hape zemrën e mbyllur!... Jo! Të zënët me punë nuk dinë të flasin me zemër. Dinë vetëm gjuhën e duarve. E dinë mirë. Por kjo nuk është e mira e të krishterit: e mira njerëzore! U mungon aftësia për të kundruar. Si Martës.

Kundrimi nuk është përtaci

Kundrimi nuk është përtaci e Maria - sqaroi Françesku - nuk ishte përtace. Ajo e shikonte Zotin, sepse Zoti ia prekte zemrën! E pikërisht prej aty, prej  frymëzimit të Zotit, vjen puna, që duhet bërë më pas. Është Rregulla e Shën Benediktit “Lutu e puno!”. Që jetohet nga murgjërit e murgat e klauzurës, të cilët sigurisht - nënvizoi Papa - “nuk rrinë gjithë ditën e lume duarkryq, duke shikuar qiellin”. Luten e punojnë! Gjë që e mishëron mrekullisht Shën Pali Apostull, siç shkruhet në Leximin e Parë të sotëm: “Kur Zoti e zgjodhi - vërejti Papa Françesku - nuk u nis menjëherë për të predikuar, por shkoi të lutej, të kundronte misterin e Jezu Krishtit, që iu zbulua”.

Gjithçka bënte, Pali e bënte me këtë frymë kundrimi, e bënte me sytë e ngulur mbi Zotin. Ishte Zoti ai, që fliste nga zemra e tij, sepse Pali ishte i dashuruar me Zotin. E kjo është fjala kyçe, që nuk të lë të gabosh: i dashuruar. Ne, për ta kuptuar në ç’krah jemi,  duke e tepruar me kundrim  abstrakt, edhe gnostik, apo duke e tepruar me punë të pafundme, duhet t’i bëjmë vetes pyetjen: “A jam i dashuruar me Zotin? I sigurt se Ai më zgjodhi? Apo e jetoj krishterimin kështu, i mbytur në punë, pa menduar gjë tjetër?  Duke bërë këtë e atë. Duke bërë, duke bërë, duke bërë… Duke bërë punë, pa pyetur fare për zemrën! Për kundrimin!

Kundrim e shërbim: udha e jetës sonë

Është si puna e burrit, që kthehet pas punës në shtëpi dhe e gjen  të shoqen duke e pritur me padurim. Gruaja vërtetë e dashuruar, nuk e lë vetëm, për të vijuar sakaq punët e shtëpisë. E gjen sadopak kohë të rrijë me të. Ja, pra, edhe ne e gjejmë kohën për Zotin, duke u vënë në shërbim të të tjerëve.

Kundrim e shërbim: kjo është udha e jetës sonë. Secili nga ne  të mendojë: sa kohë gjatë ditës i kushtoj kundrimit të misterit të Krishtit? E pastaj edhe: si punoj?”. Punoj aq, sa  të tjetërsohem, apo në përkim me fenë time, duke e parë punën si shërbim, që vjen nga Ungjilli? Na bën mirë ta mendojmë këtë.

09 tetor 2018, 13:47
Lexo gjithçka >