Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: kujdes nga “djajtë e edukuar”, të çojnë drejt shpirtit të botës

Sot paradite, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa ftoi për vigjilencë kundër djallit, posaçërisht kundër djajve të edukuar, që të hyjnë në shpirt në majë të gishtave, pa u kujtuar fare.

R. SH. - Vatikan

Thelbi i djallit është  të shkatërrojë drejtpërdrejt, ose me vese e luftëra. E këtë  përpiqet ta bëjë “me edukatë”, duke të shtyrë, kështu, të jetosh me “shpirtin  e botës”. Ky, thelbi i homelisë së Papës, mbajtur sot paradite në Meshën, kremtuar në Shën Martë. Ishte një reflektim mbi Ungjillin e sotëm, shkëputur nga Luka (Lk. 11,15-26).

Jemi në luftë: në shpirtin e secilit prej nesh ndeshen Jezusi me djallin

“Djalli, kur e pushton zemrën e ndonjë njeriu, shtrohet aty, si të ishte në shtëpi të vet e nuk pranon të dalë më” - kujtoi Papa - duke theksuar, ndërmjet tjerash, se kur Jezusi i dëbon demonët, ata bëjnë çmos ta rrënojnë njeriun e pushtuar, t’i bëjnë keq edhe fizikisht. Shumë herë i dëboi Jezusi djajtë, armiqtë e  betuar të Tij e tonë. Një betejë e vazhdueshme. Beteja e së mirës me të keqen”, që shpesh duket krejt abstrakte. Papa  deshi të shpjegojë se lufta e vërtetë, është lufta e parë, ajo ndërmjet Zotit e gjarpërit të lashtë, ndërmjet Jezusit e djallit. E kjo luftë - vërejti - bëhet në shpirtin tonë. Secili nesh është në luftë, ndoshta pa e ditur, por jemi në luftë. Ungjilli i sotëm nis me  disa njerëz, që e akuzojnë Jezusin se e dëboi një djall me ndihmën e vetë kreut të djajve, Belzebù. Gjuhë gjarpëri ka gjithnjë e kudo. Nis, prandaj, diskutimi i ndezur ndërmjet Jezusit e këtyre gjuhëve.

Djalli punon gjithnjë për të shkatërruar veprën e Zotit

“Thelbi i djallit është të shkatërrojë - vijoi Papa - duke shpjeguar se djalli është i thirrur të shkatërrojë veprën e Zotit. Rreziku është të jesh si fëmijët, që thithin gishtin, duke besuar se nuk është kështu, se djalli është shpikje e priftërinjve. Ndërkaq djalli vijon të rrënojë, e kur nuk mund të rrënojë sy për sy, sepse ndjen përballë forcën e Zotit, që e mbron njeriun, atëhere, dinak, si dhelpër e vjetër, kërkon mënyra të tjera për ta pushtuar njeriun.

Demoni shkatërron me vese e luftëra, ose duke të marrë për dore në rrugë të mediokritetit

Më pas Papa e konkretizoi mendimin e tij, duke u mbështetur mbi pjesën e fundit të fragmentit ungjillor e duke nënvizuar se kur shpirti i keq del nga njeriu, sillet e  përsillet nëpër skuta të shkreta, pa gjetur pushim e, me që nuk e gjen, thotë: “Do të kthehem në shtëpinë time - prej nga dola”. Nuk thotë “prej kah u dëbova”. Edhe në të folur paraqitet gjithë edukatë. Thotë “prej nga dola” - ndërsa nuk ka dalë, por është dëbuar. Kthehet, pra, në shtëpinë e vjetër e e gjen të larë e të shpërlarë e fton edhe nja shtatë shpirtra të rinj, më të zinj se ai vetë… e hyjnë e zënë vend e shpirti i njeriut ndjehet më  keq se ishte. Kjo, për Françeskun, do të thotë se kur djalli nuk mund ta shkatërrojë një njeri me vese, ose një popull me luftëra e me persekutime, nis e mendon ndonjë strategji tjetër, strategjinë, që përdor me ne të gjithë.

Ne jemi të krishterë, katolikë, shkojmë në Meshë, lutemi… Gjithçka duket në rregull. E ai shtihet si i edukuar: shkon, shikon, troket ëmbël e butë në portë - “Ju lutem, a ka mundësi? Mund të hyj? -  e i bie lehtë-lehtë ziles. E këta djaj të edukuar janë më të këqij se të parët, sepse nuk kujtohesh fare se po të sillen nëpër këmbë. E ky është shpirti i botës. Djalli  të shkatërron drejtpërdrejt, me vese, ose me luftëra, me padrejtësi, me edukatë, diplomatikisht, ashtu si na thotë Jezusi. Nuk bën zhurmë, të duket si mik, të ledhaton: “Jo, kjo nuk shkon! Jo, por… deri këtu shkon fare mirë” - e të çon në udhën e mediokritetit, të bën të vakët, në udhën e mediokritetit.

Djalli i edukuar të bind se nuk është edhe aq i zi

Françesku na tërheq vëmendjen të ruhemi nga rënia në këtë mediokritet shpirtëror, në këtë shpirt bote”, që të kalb nga brenda. Unë kam frikë më shumë nga këta djaj - pohon Françesku - sesa nga ata të parët. Kur më thonë: “Kemi nevojë për një ekzorçist, sepse një njeri është pushtuar nga djalli”, nuk shqetësohem aq, sa kur shikoj njerëz, që ia hapin vetë portën djajve të edukuar, atyre - theksoi Papa -  që ta mbushin mendjen se nuk janë edhe aq të zinj”.

E pyes shpesh veten:  Çka është gjëja më e keqe në jetën e njeriut? Një mëkat që duket sheshit, apo të jetuarit me shpirtin e botës, me mendësinë e botës? A është më mirë që  djalli të të  flakë në shpirt një mëkat - madje jo një, por njëzet, tridhjetë mëkate, por që e di se janë mëkate, në mënyrë që të turpërohesh – apo  të ulet këmbëkryq në sofër me ty e të jetojë,  të vishet e të mbathet pranë teje e kjo të të duket krejt normale, ndërsa ai të pushton me shpirtin e botës?

Vigjilencë  e gjakftohtësi

Shpirti i botës është ky: “ata, që banohen nga djaj të edukuar – vijoi Papa. - E kujtoi lutjen e Jezusit në Darkën e Mbrame: “Mbroji, o Atë, nga shpirti i botës” – duke i nxitur të jenë gjithnjë vigjilentë e gjakftohtë.

Përballë këtyre djajve të edukuar, që duan të hyjnë në shpirt nga porta, jo nga arkapia, si të ftuar në dasëm, të themi: “Vigjilencë e gjakftohtësi”. Ky është mesazhi i Jezusit, vigjilenca e krishterë. Ç’po ndodh në zemrën time? Pse jam kaq mediokër? Pse kaq i vakët? Sa “të edukuar”, banojnë nën strehën time, pa ma paguar kurrë qeranë?

 

12 tetor 2018, 14:49
Lexo gjithçka >