Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (@Vatican Media)

Papa Françesku: ruhuni nga të krishterët e ngurtë, gjithnjë të përkryer

“Shëlbimi është dhuratë e Zotit”, Ai na jep “shpirtin e lirisë”. Kështu u shpreh sot Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa këshillon të ruhemi nga hipokritët, zemra e të cilëve nuk është e hapur për hirin.

R. SH. - Vatikan

Papa komentoi sot fragmentin e Ungjillit, në të cilin tregohet sesi Jezusi, i ftuar për drekë nga një farize, ulet në sofër pa e bërë më parë pastrimin e parashikuar nga Ligji. E kujton edhe përgjigjen e ashpër, që i jep Jezusi “mrekullimit” të këtij farizeu.

Doktorët e ligjit shkandullohen nga Jezusi

Françesku nënvizoi dashurinë e popullit për Jezusin, kryesisht sepse e prekte në thelb të zemrës. Por pakëz edhe për interes, sepse i urrente doktorët e Ligjit, skribët, saduçenjtë e farizenjtë, që e ndiqnin për ta zënë në gabim. Ishin “të pastrit”. Shembull formaliteti. Njerëz pa jetë. Të kollarisur. Të ngrirë. Po Krishti ua njihte mirë shpirtin. E çka na shkandullon, është  shkandullimi i tyre  për gjestet që bënte Jezusi. Ata tërboheshin, kur falte mëkatet e, sidomos, kur shëronte pikërisht të shtunën. Grisnin petkat: “Oh! Ç’shkandull i shëmtuar! Ky nuk është Zot, që ta bëjë këtë!”. Nuk çanin kokën për njerëzit. Interesoheshin vetëm për Ligjin, rregullat, rubrikat.

Ju jeni si varre të lyera përjashta me gëlqere

Por Jezusi, gjithsesi, e pranon ftesën për drekë, që i bën farizeu, sepse është i lirë, e shkon tek ai. E farizeut, që shkandullohet për sjelljen e Tij, sepse i shkel rregullat, i thotë: “Ju farizenjtë pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot lakmi e ligësi!”.  

Nuk janë fjalë të bukura, apo jo? Jezusi flet gjithnjë fare qartë! Nuk është hipokrit. Ai u thotë: “Po pse shikoni vetëm anën e jashtme? Dukjen. Shikoni brendinë!”. Një herë tjetër u pati thënë: “Vaj për ju, skribë e farizenj, lakmiqarë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere:  përjashta duken të bukura, por përbrenda janë plot eshtra të vdekurish. Me gjithfarë kalbësirash. Kështu edhe ju dukeni të drejtë, po shpirtin e keni përplot me hipokrizi e padrejtësi. E gjithçka e bëni vetëm sa për sy e faqe!”. Lavdata të bukura, eh? Të bardhë përjashta, të përkryer... të gjithë… Po përbrenda, plot me kalbësirë, me duhmë kërme, me lakmi, me ligësi. Jezusi e dallon dukjen nga ligësia, që fshihet pas saj. Këta zotërinj  janë “doktorë të dukjeve”: gjithnjë të përsosur përjashta! Po brenda, brenda çfarë kanë? Kalbësirën e varrit!

Hipokritëve u intereson vetëm dukja

Françesku kujtoi edhe fragmente të tjera të Ungjillit, në të cilat Jezusi i dënon këta soj njerëzish, si shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, ose fragmentin ungjillor, ku flitet për mënyrën si agjërojnë a si japin lëmoshë. Sepse - vijoi të nënvizojë Papa – atyre u interesonte vetëm dukja. Jezusi përdor një fjalë të vetme për këta njerëz: “hipokritë!”. Njerëz me shpirt të pangopur, të aftë deri për të vrarë. E edhe për të paguar vrasës, a për të marrë nëpër gojë, siç bëhet edhe sot e kësaj dite. Sepse edhe sot bëhet kështu, apo jo? Paguhet, për të dhënë lajme të këqija, lajme, që i ndotin të tjerët.

Pas ngurtësisë, fshihen probleme të tjera

Me një fjalë  - vijoi Françesku - farizenjtë e doktorët e Ligjit ishin njerëz të ngurtë, që nuk u shkonte as nëpër mend të ndryshonin. Por nuk duhet harruar se sipër a poshtë ngurtësisë, fshihen gjithnjë probleme - pohoi akoma Papa. - Probleme të rënda. Pas dukjes të të krishterëve të mirë, atyre që synojnë vetëm për t’u dukur,  për ta trukuar shpirtin, ka gjithnjë probleme. Në ta nuk është Jezusi. Brenda tyre është fryma e botës!

Po unë, a e hap zemrën time?

E Jezusi i quan “të pamend” e i këshillon ta hapin shpirtin, për të hyrë në të dashuria e hiri. Pa harruar se shëlbimi është dhuratë e Zotit. Dhuratë që nuk pret shpërblim! Asnjëri nuk mund ta shpëtojë vetveten, asnjëri. Askush nuk mund ta shpëtojë vetveten, duke ndjekur praktikat e këtyre njerëzve. E, së fundi, një paralajmërim:

“Ruajuni nga njerëzit e ngurtë. Nga të krishterët - laikë, priftërinj a  ipeshkvij qofshin - që paraqiten si ‘të përkryer’, të ngurtë. Kini mendjen! Nuk është Shpirti i Zotit aty. Mungon shpirti i lirisë”. “E ruajuni edhe nga vetvetja, sepse kjo duhet t’ju nxisë të mendoni për jetën tuaj. Unë, a kërkoj vetëm të dukem? E nuk dua ta ndryshoj zemrën? Nuk e hap për lutjen, lirinë e lutjes, lirinë e lëmoshës, lirinë e veprave të mëshirës?”.

16 tetor 2018, 13:08
Lexo gjithçka >