Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Françesku: Jezusi na mëson të jemi “ngulmues në lutje”

Duhet të jemi guximtarë, kur i kërkojmë ndonjë gjë Zotit: e theksoi sot paradite Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë. Zoti është miku, që mund të na japë gjithçka na duhet - nënvizoi Françesku - e solli si shembull ngjarjen e jetuar nga një i njohur i tij, që lypi me ngulm e iu dha çka kërkonte.

R. SH. - Vatikan

Ishte  fragmenti i Ungjillit të sotëm, në qendër të homelisë së Papës Françesku, mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. E tema, ajo e lutjes, e mënyrës si duhet të lutemi. Jezusi, në faqen ungjillore, u flet dishepujve të tij për një burrë i cili, në pikë të mesnatës, troket në portën e një miku, duke i kërkuar diçka për të ngrënë. Porta nuk i hapet. Pas saj dëgjohet një zë i përgjumur, që i lutet të mos ngulmojë. Tepër vonë - a tepër heret - për të kërkuar ushqim në atë orë, kur gjithë bota zhytet në gjumë të thellë.

Të lutemi me guxim, pa u lodhur kurrë  

Papa Françesku nënvizoi tre elemente: një nevojtar, një mik e një copë bukë! Vizitë e papritur, kjo e burrit nevojtar, që lutet me ngulm, mbasi beson se miku  nuk do ta nisë me duar bosh. Do t’ia japë atë, që kërkon. Lutet, prandaj, me ngulm, e kështu - vërejti Françesku - Zoti dëshiron të na mësojë si duhet të lutemi:

“Duhet të lutemi me guxim, sepse kur lutemi, zakonisht kemi ndonjë nevojë. Miku, që e trazojmë orë e pa kohë, është Zoti: mik i pasur, të cilit nuk i mungon kurrë buka, që ne nuk e kemi. Prandaj marrim guximin t’i trokasim në portë në orët e vona, kur edhe rrugët flenë. Kemi nevojë për bukë. E nevoja s’ka gjyq!”. Duke e dëgjuar këtë ngjarje, na duket  sikur vetë Jezusi na flet e na thotë: “Duhet të jeni guximtarë në lutje, Mos u lodhni kurrë!”. Mos u lodhni - vijon. - Po për çka? Mos u lodhni duke kërkuar. “Kërkoni, e do t’ju jepet!”.

Lutja nuk është shkop magjik

Por - vijoi Papa - mos harroni se lutja nuk është shkop magjik! Nuk duhet të besojmë se, pa mbaruar mirë së luturi, do të na jepet çka kërkojmë. Nuk mjafton të thuash dy Atyna e të nisesh e të shkosh. Lutja është punë; punë që kërkon vullnet, këmbëngulje, kërkon të jesh i vendosur, pa turp e pa droje. Pse? Sepse unë po trokas në portën e mikut tim. Zoti është miku, e me mikun mund të qaj çdo hall. Ditën a natën! Duhet, prandaj një lutje e paprerë, ngulmuese. Të mendojmë për Shën Monikën, për shembull, sa vjet u lut kështu, edhe me lot në sy, për kthimin e të birit. Trokiti e trokiti në portën e Zotit, deri sa ia hapi!

Të luftojmë bashkë me Zotin, për të marrë çka kërkojmë në lutje

E Françesku solli edhe një shembull tjetër, duke treguar një ngjarje të ndodhur në Buenos Ajres: “Një punëtor kishte një vajzë në fill të mortjes. Mjekët nuk i dhanë më asnjë shpresë. Ia mbyllën portën. Atëherë ai u nis drejt një porte tjetër. Përshkoi në këmbë 70 kilometra, për t’u gjunjëzuar tek Shenjtërorja e Zojës së Lujánit. Kur arriti, mbi Shenjtëroren kishte rënë nata e portat ishin të mbyllura. Po ai nuk e humbi guximin. U gjunjëzua para portave të kyçura e vijoi t’i lutej Zojës deri  në agim: “Dua time bijë - lutej - dua time bijë. Ma jep! Ti mundesh!” E kur, të nesërmen, u rithye në spital, e gjeti të shoqen shend e verë. A e di ç’ka ndodhur?- i tha - mjekët e çuan vajzën për t’i bërë një analizë tjetër, sepse nuk arrijnë ta shpjegojnë ç’po ngjet në trupin e saj gjysëm të vdekur. Vajza u zgjua e kërkoi të hajë. E mjekët po thonë se është jashtë çdo rreziku”. Ky njeri, po, dinte si duhet lutur - përfundoi Françesku.

Britma e fëmijëve, që më në fund ia arrijnë qëllimit

Papa ftoi të mendojmë edhe për fëmijët tekanjozë që, kur duan ndonjë gjë, këlthasin, përplasin këmbët e thonë: “E dua! E dua!”. E, në fund të fundit, prindërit u lëshojnë pe. Ndokush, veç, mund të pyesë: “Po Zoti, thua nuk do të zemërohet, po të sillemi kështu?”. Është vetë Jezusi që, duke e parashikuar edhe këtë, na kujton: “Nëse ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni sende të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë Ati juaj, që është në qiell do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre, që ia kërkojnë”.

Është mik: jep gjithnjë të mira mbi të mira. Jep shumë e më shumë! Ti i kërkon që ta zgjidhë këtë problem, e ai ta zgjidh e të jep edhe Shpirtin Shenjt. Të jep më shumë sesa kërkove! Të mendojmë pakëz: Si lutem? Si papagal? A lutem me kërkesën në zemër? A luftoj me Zotin në lutje, për të ma dhënë atë, që kërkoj, nëse kërkesa ime është e drejtë? Të mësojmë si të lutemi, nga ky fragment i Ungjillit!

11 tetor 2018, 13:41
Lexo gjithçka >