Kërko

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: kush harron mëkatet, kthehet në afarist të Mbretërisë së Zotit

Në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku, i cili para 65 vjetësh ndjeu thirrjen e Zotit për meshtari, flet për shën Mateun e nënvizon “kujtesën” e mëshirës së Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Në 65-vjetorin e thirrjes së vet meshtarake, Papa Françesku i kthehet figurës së Shën Mateut, publikan i konvertuar, për të nënvizuar domosdoshmërinë e kujtesës së mëkateve e të mëshirës, që ka pasur Zoti për secilin prej nesh. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Ati i Shenjtë nënvizon se “kush e harron origjinën e vet e fillon të bëjë karrierë”, në fund të fundit, kthehet në “një afarist të Mbretërisë së Zotit”.

Thirrja e Papës Françesku për meshtari

         Në ditën e festës liturgjike të Shën Mateut, 65 vjet më parë, më 21 shtator 1953, Jorge Mario Bergoglio ndjeu për herë të parë se Zoti e thërriste në udhën e meshtarisë. Madje edhe motoja e papnisë së tij – miserando atque eligendo – është zgjedhur nga homelitë e shën Bedës së Nderuar, i cili, duke komentuar episodin e thirrjes së shën Mateut, aq bukur shprehur edhe në pikturë nga Caravaggio, shkruan: “Jezusi pa një publikan e meqë e pa me dashuri dhe e zgjodhi, i tha: më ndiq”.

Si i zgjedh Jezusi njerëzit

         E Ati i Shenjtë e nis homelinë e sotme pikërisht nga figura e shën Mateut, njeri i korruptuar, “sepse për para tradhtonte atdheun. Tradhtar i popullit të vet: më i keqi i të këqinjve”.  Dikush mund të mendojë se Jezusi nuk i zgjedh mirë ndjekësit, sepse përveç Mateut, pati zgjedhur edhe të përbuzur të tjerë si: samaritania e shumë mëkatarë:

         E pastaj, në jetën e Kishës, sa të krishterë, sa shenjtorë janë zgjedhur nga poshtë… zgjedhur nga fundi i fundit. Nga ç’vend jam zgjedhur për t’u bërë i krishterë? Kjo vetëdije, që ne të krishterët duhet ta kemi, duhet të mbetet për gjithë jetën, duhet t’i kujtojmë mëkatet tona, ta kujtojmë se Zoti ka pasur mëshirë për mëkatet e mia e më ka zgjedhur të jem i krishterë, të jem apostull.

Mateu nuk e harroi origjinën e vet

         Papa përshkruan më pas, reagimin e Mateut ndaj thirrjes së Zotit: nuk u vesh me luks, nuk filloi t’u thoshte të tjerëve “unë jam princi i apostujve e këtu komandoj unë”, por punoi gjithë jetën për Ungjillin.

         Kur apostulli e harron zanafillën e vet e fillon të bëjë karrierë, largohet prej Zotit e kthehet në funksionar, i cili, ndoshta, bën shumë të mira, por nuk është apostull. Nuk është më i aftë ta transmetojë Jezusin; sistemon planet baritore e shumë gjëra të tjera, por, në fund të fundit, kthehet në afarist. Afarist i Mbretërisë së Zotit, sepse e ka harruar nga ç’vend është zgjedhur.

Shkandulli i dijetarëve të Ligjit

         Në vend që të shohim të tjerët, kujton Papa një ide, që e ka përsëritur shpesh, t’i kthejmë sytë nga vetveteja e t’i kujtojmë mëkatet tona e punën, që ka bërë Zoti, për të na sjellë deri në atë çast të caktuar të jetës, kur na zgjedh. Shpesh, jemi ne që largohemi, por Hyji na pret me durim, që të kthehemi tek Ai. Edhe shën Mateu, pasi ndjen thirrjen e Zotit, lë gjithçka, lë paratë e pasurinë, për ta ndjekur Jezusin. E fton miqtë, që frekuentonte, për t’u ulur në të njëjtën tryezë me Krishtin. Në atë tryezë, shton Papa, “ishin ulur fundërrinat e shoqërisë së asaj kohe”.

         E dijetarët e Ligjit shkandullohen. Thërrasin dishepujt dhe u thonë: “Po si rri Mësuesi juaj me këta njerëz? Bëhet i papastër!”: të hash me një të papastër ta ngjit edhe ty papastërtinë. Jezusi e merr fjalën dhe thotë: “Shkoni e mësoni ç’do të thotë ‘mëshirë dua e jo holokauste’”. Mëshira e Zotit i kërkon të gjithë, i fal të gjithë. Vetëm se duhet të thuash: “Po, më ndihmo”. Vetëm këtë.

Misteri i mëshirës është zemra e Zotit

         Të skandalizuarve, Jezusi u përgjigjet se nuk janë të shëndoshët ata, që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. “Të kuptosh mëshirën e Zotit – përfundon Papa – është mister; misteri më i madh, më i bukur, është zemra e Zotit. Nëse do që të arrish në zemrën e Zotit, merr udhën e mëshirës e lejo të trajtohesh me mëshirë”.

21 shtator 2018, 11:51
Lexo gjithçka >