Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në meshën e Shën Martës Papa Françesku në meshën e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: Kryqi na mëson të mos kemi frikë

Në festën e Naltimit të Shenjtes Krygjë, Papa Françesku ia kushton homelinë e meshës së mëngjesit kundrimit të “dështimit” e të lartimit të Jezusit, i cili “mori përsipër gjithë mëkatet e botës”.

R.SH. - Vatikan

Kryqi i Krishtit na mëson se në jeta ka dështime, por edhe fitore; na nxit të mos kemi frikë nga çastet e këqia, të cilat mund të shndriten pikërisht nga kryqi, shenjë e fitores së Zotit mbi të keqen. E keqja, Djalli, është mundur e lidhur me zinxhirë, por “akoma leh” e nëse i afrohesh për ta përkëdhelur, të kafshon aq sa “të shkatërron” krejtësisht. Kështu shprehet sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në festën e Lartimit të Kryqit Shenjt.

Të mos kemi frikë ta kundrojmë “humbjen, falimentimin”

         Kryqi, shpjegon Ati i Shenjtë, mund t’i duket ndokujt shenjë dështimi, por shndërrohet menjëherë në shenjë fitoreje. Në kryq, dështon “gjithçka pati bërë Jezusi gjatë jetës”, përfundon shpresa e njerëzve që e ndiqnin, por nuk duhet të kemi frikë ta kundrojmë “humbjen, falimentimin”, sepse ai është çasti kur Krishti nuk shikoi vetveten, por misionin, që ia pati besuar Ati Qiellor.

         Mori përsipër gjithë mëkatet tona, gjithë mëkatet e botës. Ishte “leckë e hedhur”, ishte i dënuar. Shën Pali nuk pati frikë ta tregojë këtë humbje – nënvizon Papa duke komentuar Letrën e apostullit për filipianët – sepse edhe kjo mund t’i shndrisë pak çastet e errta, çastet e dështimit. Kryqi është shenjë fitoreje për ne të krishterët.

E Premtja e Madhe, kurth për Djallin

         Që në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, në Librin e Numrave, Zoti i thotë Moisiut se gjarpëri, që u shkaktonte vdekjen njerëzve me pickimin e tij, do të lartohej në mjet shpëtimi. Vërtet, “Jezusi i bërë mëkat, fitoi mbi autorin e mëkatit, fitoi mbi gjarprin”, komenton Papa. Të Premten e Madhe, kur Jezusin e kryqëzojnë, Djalli gëzon, por nuk e kupton se në atë çast, kur kujtoi se e “gëlltiti” Jezusin – siç thonë Etërit e Kishës – kafshoi edhe “karremin”, hyjninë e Krishtit. Ishte kurthi për ta shkatërruar përgjithmonë Akuzuesin e Madh, nënvizon Ati i Shenjtë. “Nga ai çast kryqi bëhet shenjë fitoreje”.

Gjarpëri i lashtë është lidhur me zinxhirë, por mos iu afro

         Fitorja jonë, vijon Papa, qëndron në Kryqin e Krishtit e është fitore kundër gjarpërit të lashtë të kohës së Moisiut e të të gjitha kohrave. Por nuk duhet t’i afrohemi.

         Jezusi i thotë Nikodemit: “Kur të jem lartuar, do t’i tërheq të gjithë me mua”. Jezusi lartohet e Djalli shkatërrohet. Kryqi i Krishtit duhet të na joshë të gjithëve: duhet ta shohim, sepse është forcë për të ecur përpara. E gjarpëri i lashtë, i mundur, leh akoma, kërcënon akoma, por, siç thoshin etërit e Kishës, është qen i lidhur me zinxhirë: mos iu afro e ai nuk do të të kafshojë; por, nëse shkon ta përkëdhelësh, sepse të josh si të ishte një qenush i bukur, bëhu gati se do të të asgjësojë.

Para Kryqit, shenjë humbjeje dhe fitoreje

         Jeta jonë, sqaron Papa, shkon përpara me Krishtin fitimtar e të ringjallur, që na dërgon Shpirtin Shenjt, por ecën edhe në praninë e këtij qeni të lidhur, “të cilit nuk duhet t’i afrohemi se na kafshon”.

         Kryqi na mëson këtë: në jetë ka humbje e fitore. Duhet të jemi të aftë t’i tolerojmë dështimet, t’i bartim me durim edhe mëkatet tona, sepse Zoti pagoi për ne. T’i tolerojmë në Të, të kërkojmë falje në Të, por të mos joshemi nga ky qen i lidhur. Sot, do të jetë bukur të qëndrojmë në shtëpi të qetë, 5, 10, 15 minuta para të Kryqëzuarit, ose para një kryqi që kemi në shtëpi, edhe atij të rruzares: ta kundrojmë, është shenja jonë e humbjes, që shkakton persekutime, shkatërrime, por edhe shenja jonë e fitores, sepse Zoti fitoi pikërisht mbi kryq.

14 shtator 2018, 12:28
Lexo gjithçka >