Kërko

Mesha e Papës Françesku në Shën Martë Mesha e Papës Françesku në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: djalli përdor hipokritët, Jezusi na mëson dashurinë e vërtetë

Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku na nxit të jemi të mëshirshëm si Jezu Krishti e të mos i dënojmë të tjerët, duke e vënë Krishtin “në qendër” të jetës.

R.SH. - Vatikan

T’i kërkojmë Jezusit ta mbrojë gjithnjë Kishën “me mëshirën dhe me faljen e Tij”, pasi ajo është e shenjtë, por plot me bij mëkatarë, siç është secili prej nesh. Kjo, lutja e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në homelinë e së cilës reflektoi mbi Letrën e parë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve dhe mbi fjalët e Jezusit në Ungjillin sipas Lukës: “i janë falur mëkatet, sepse ka dashur shumë”.

Për Jezusin ka rëndësi gjesti i vogël bërë me dashuri

         Ati i Shenjtë i ndan në tre grupe njerëzit e Leximeve të sotme: Jezusi dhe dishepujt, Pali e gruaja, fati i së cilës ishte të vizitohej herë pas here, fshehurazi, edhe nga vetë farisenjtë, ose të vritej me gurë nga dijetarët e Ligjit. Papa Françesku vë në dukje se gruaja shpreh shumë dashuri për Jezusin, pa e mohuar se ishte mëkatare. Të njëjtën gjë bën edhe shën Pali, kur thotë se u kishte transmetuar korintianëve dijen se Krishti vdiq për mëkatet tona. Të dy, nënvizon Papa, kërkojnë Zotin “me dashuri, por me një dashuri gjysmake”. Shën Pali “mendonte se dashuria ishte ndonjë ligj, e kishte zemrën të mbyllur: i persekutonte të krishterët, sepse ishte i zellshëm në zbatimin e ligjit. Kishte një dashuri ende të papjekur”. Gruaja kërkonte dashurinë, por atë të voglën. E farisenjtë komentojnë, por vetëm Jezusi shpjegon:

         “Kësaj i është falur shumë, sepse ka dashur shumë”. “Po, si të duam? Këto nuk dinë të duan”. E kërkojnë dashurinë. E duke folur për këto [gra], Jezusi tha një herë se do të hyjnë para nesh në Mbretërinë e Qiellit. “Ҫfarë shkandulli…” – [thonë] farisenjtë – “çfarë njerëzish!”. Jezusi sheh gjestin e vogël të dashurisë, gjestin e vogël vullnetmirë, e merr dhe e çon përpara. Kjo është mëshira e Krishtit: gjithnjë fal, gjithnjë pranon.

“Shkandulli” i hipokritëve

         Përsa u përket “dijetarëve të Ligjit”, Papa Françesku vë në dukje se kanë të njëjtin qëndrim me hipokritët. Shkandullohen e thonë:

         “Pa shiko, çfarë shkandulli! Nuk mund të jetohet kështu! Kemi humbur vlerat… Tani, të gjithë kanë të drejtë të hyjnë në kishë, edhe të divorcuarit, të gjithë. Po ku jemi kështu?” Shkandulli i hipokritëve! Ky është dialogu ndërmjet dashurisë së madhe, që fal gjithçka, dashurisë së Jezusit, dashurisë “gjysmake” të shën Palit dhe asaj të kësaj zonje, e edhe tonës, që është dashuri jo e plotë, sepse askush prej nesh nuk është shenjt i kanonizuar. Të themi të vërtetën! Është hipokrizi: hipokrizia e “të drejtëve”, e “të pastërve”, e atyre, që besojnë se janë shëlbuar për meritat e tyre të jashtme.

Në histori, Kisha është persekutuar nga hipokritët

         Jezusi nënvizon se nga jashtë, këta njerëz duken të shkëlqyer, gjithçka bukur; flet për “varre të zbardhura me gëlqere” nga jashtë, por plot kalbësirë dhe dekompozim nga brenda.

         E Kisha, në udhën e saj gjatë historisë, është persektuar nga hipokritët: hipokritë nga brenda e nga jashtë. Djalli nuk ka të bëjë aspak me mëkatarët e penduar, sepse ata shohin Zotin e thonë: “O Zot, jam mëkatar, më ndihmo”. E djalli është i pafuqishëm, por është i fortë me hipokritët. Është i fortë e i përdor për të shkatërruar njerëzit, shoqërinë e Kishën. Kali i Trojës i djallit në betejë është hipokrizia, pasi ai është gënjeshtar: duket si pric i fuqishëm, i bukur, por të fut thikën pas shpine.

         Ati i Shenjtë thekson se nuk duhet harruar që Jezusi na fal e është i mëshirshëm – fjalë kjo, që e harrojmë shpesh kur marrin nëpër gojë të tjerët. Papa fton të jemi të mëshirshëm, si Jezusi e, të mos i dënojmë të tjerët. Vërtet, Krishti fal si shën Palin, ashtu edhe gruan, të dy me dashuri gjysmake, për t’i çuar drejt takimit me dashurinë e vërtetë të Zotit. Ndërsa hipokritët nuk janë në gjendje ta takojnë atë, pasi e kanë zemrën të mbyllur.

20 shtator 2018, 12:23
Lexo gjithçka >