Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (ANSA)

Papa: kohët e fundit duket se Akuzuesi i Madh e ka inatin me ipeshkvijtë

Ipeshkvi të jetë njeri i lutjes, të ndjehet i zgjedhuri i Zotit e t’i qëndrojë afër popullit. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë së cilës u ndal në tre aspekte të figurës së ipeshkvit.

R.SH. - Vatikan

Këto kohë, duket se Akuzuesi i Madh e ka inatin me ipeshkvijtë, për të krijuar shkandull. Prandaj, barinjtë e grigjës së Zotit duhet të kujtojnë tre aspekte themelore: së pari, duhet të jenë njerëz të lutjes, e cila iu jep forcë; së dyti, duhet të jenë të përvuajtur e ta dinë se janë zgjedhur prej Zotit e; së treti, t’i qëndrojnë afër popullit.

Kurse për ipeshkvijtë

         Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku mori shkas nga Ungjilli sipas Lukës (6,12-19), në të cilin Jezusi e kalon natën duke u lutur. Pastaj, zgjedh 12 apostuj – pra, “ipeshkvijtë e parë” – e zbret për të ndenjur pranë popullit, i cili vjen për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet. Pikërisht në këtë periudhë, në Romë, po mbahen tre kurse për ipeshkvijtë: njëri, që sapo përfundoi, për azhurnimin e ipeshkvijve, që kanë më shumë se 10 vjet në krye të detyrës; një tjetër për 74 ipeshkvij, që udhëheqin dioqeza në tokë misionesh; i treti, për 130-140 ipeshkvij, që i referohen Kongregatës për Ipeshkvijtë. Në dy kurset e fundit, pjesëmarrësit janë ipeshkvij të rinj, më se 200, ndër të cilët edhe tri ipeshkvijtë e rinj të Shqipërisë (imzot Gjergj Meta, imzot Simon Kulli e imzot Giovanni Peragine). Një pjesë prej tyre ishin të pranishëm sot në meshën e Papës.

Ipeshkvi, njeri i lutjes

         Gjatë homelisë në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku nënvizon se aspekti i parë themelor i një ipeshkvi është të jetë njeri i lutjes. Ajo e ngushëllon në çastet e vështira, pasi pikërisht atëherë është i vetëdijshëm se “Krishti lutet bashkë me të e për të gjithë ipeshkvijtë”. Edhe Shën Pjetri, përmend Françesku, thotë “Neve, lutja dhe kumtimi i Fjalës”, nuk thotë “Neve, organizimi i planeve baritore”.

Ipeshkvi i përvuajtur është i zgjedhuri i Zotit

         Aspekti i dytë, që nënvizon Papa Françesku, është se 12 apostujt u zgjodhën personalisht nga Krishti, prandaj, ipeshkvi besnik duhet ta dijë se nuk ka zgjedhur ai ta bëjë atë detyrë, por është zgjedhur:

         Ipeshkvi, që e do Jezusin, nuk është karrierist, që ecën, duke e konsideruar thirrjen si të ishte ndonjë funksion, ndoshta, duke parë në të një mundësi tjetër për të përparuar e për të shkuar më lart: jo! Ipeshkvi ndjehet i zgjedhur. E ka sigurinë se është i zgjedhur. E kjo e çon drejt dialogut me Zotin: “Ti më ke zgjedhur mua, që jam pak gjë, që jam mëkatar…”: e ka këtë përvujtëri. Sepse ai, kur e ndjen se është zgjedhur, ndjen edhe vështrimin e Krishtin mbi jetën e vet e kjo i jep forcë.

Ipeshkvi nuk rri larg popullit

         Së fundi, si Jezusi në Ungjillin e sotëm, ipeshkvi është i thirrur të qëndrojë afër popullit e të mos largohet prej tij:

         Ipeshkvi, që nuk i rri larg popullit, që nuk mban qëndrime, të cilat e distancojnë nga populli; ipeshkvi, që e prek popullin dhe e lejon atë ta prekë. Nuk shkon të kërkojë strehë tek të pushtetshmit, tek elita: jo. Elitat e kritikojnë, ndërsa populli ndjen dashuri për ipeshkvin dhe i jep këtë – si të thuash – këtë vojim të veçantë: e përforcon ipeshkvin në thirrjen e tij.

Akuzuesi i Madh dëshiron ta shkandullojë popullin

         Disa herë, gjatë homelisë, Papa nënvizon se forca e ipeshkvit gjendet tek lutja, tek vetëdija se është i zgjedhur nga Zoti e tek afërsia me popullin.

         Duhet ta kujtojmë këtë në këto kohë, kur duket se Akuzuesi i Madh e ka inatin me ipeshkvijtë. Është e vërtetë, ka e do të ketë ipeshkvij mëkatarë: të gjithë jemi. Akuzuesi i Madh përpiqet t’i zbulojë mëkatet, që të shihen, për ta shkandulluar popullin. Siç i thotë vetë Zotit në kapitullin e parë të Librit të Jobit, “sillet nëpër botë, duke parë si mund të akuzojë”. Forca e ipeshkvit kundër Akuzuesit të Madh është lutja, ajo e Jezusit për të e ajo e vetja; si edhe përvujtëria për ta ndjerë veten të zgjedhur e për t’i qëndruar afër popullit të Zotit, pa u larguar drejt një jete aristokratike, që sikur na e zvetënon shugurimin. Të lutemi, sot, për ipeshkvijtë tanë, për mua, për këta që kam përpara e për të gjithë ipeshkvijtë e botës.

11 shtator 2018, 13:11
Lexo gjithçka >