Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës Papa Françesku në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës  (Vatican Media)

Papa Françesku në Shën Martë: Ungjilli nuk pranon jetë me dy faqe

Ka ndryshime ndërmjet “risive” të botës dhe “risisë” së Krishtit: këtë nënvizoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ungjilli e shndërron tërësisht njeriun dhe nuk pranon hipokrizi.

R.SH. - Vatikan

“Vëllezër, gjithkund po dëgjohet se ndër ju ka fëlligështi, madje një fëlligështi të tillë, që nuk gjendet as ndër paganë. Po ju jeni të krishterë e jetoni kështu?”

         Janë fjalët e fuqishme të qortimit, marrë nga Letra e parë e Shën Palit apostull drejtuar Korintasve, ato që komenton sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Korintasit mburreshin se ishin të krishterë, nënvizon Ati i Shenjtë, por e toleronin imoralitetin. Shën Pali u kujton atyre se është tharmi ai, që e zë brumin e, për brumë të ri duhet tharm i ri.

Ungjilli i shndërron njerëzit nga brenda

         Edhe Jezu Krishti u pati thënë dishepujve: “Verë të re, në shirqe të reja”.

         Risia e Ungjillit – pohon Papa – nuk sjell vetëm shndërrimin e shpirtit, na shndërron tërësisht: shpirt e korp… të gjithë… gjithçka… Risia e Ungjillit është absolute, është gjithëpërfshirëse; na prek të gjithëve, sepse na shndërron nga brenda, jashtë: shpirtin, korpin dhe jetën e përditshme.

“Risia” e Ungjillit dhe “risitë” e botës

         Papa vë në dukje se të krishterët e Korintit nuk e patën kuptuar risinë gjithëpërfshirëse të Ungjillit, që nuk është ideologji apo mënyrë për të jetuar në shoqëri, së bashku me zakonet pagane. Risia e Ungjillit është ringjallja e Krishtit, është Shpirti Shenjt, të cilin na e ka dërguar “për të na shoqëruar në jetë”. Ne të krishterët jemi burra e gra të rinovuar, pohon Ati i Shenjtë, jo thjesht, njerëz të risive.

         Ka shumë njerëz, që përpiqen ta jetojnë këtë krishterim “të risive”: “Sot, mund të bëjmë kështu; po edhe jo, mund ta bëjmë edhe ashtu…”. Këta njerëz, që jetojnë me risitë e propozuara nga bota, janë të kësaj bote, nuk e pranojnë krejt risinë. Kemi një konfrontim ndërmjet “risisë” së Jezu Krishtit dhe “risive”, që bota na propozon për jetën.

Të brishtë po, por jo hipokritë

         Njerëzit, që dënon shën Pali, vijon Papa, janë “të vakët, pa moral… janë njerëz që simulojnë, njerëz formalë, hipokritë”. E Ati i Shenjtë thekson: “Thirrja e Jezusit është thirrje për rinovim”.

         Ndokush mund të thotë: “Por, o atë, ne jemi shpirtdobët, jemi mëkatarë…” – “Ah, kjo është diçka tjetër”. Nëse ti e pranon se je mëkatar e i brishtë, Zoti të fal, sepse një pjesë e risisë së Ungjillit është besimi se Jezu Krishti erdhi për faljen e mëkateve. Por, nëse ti, që thua se je i krishterë, jeton me këto risi mondane, jo: kjo është hipokrizi. Këtu qëndron ndryshimi. E Jezusi na e thotë në Ungjill: “Kujdes kur t’ju thonë: Krishti është atje, është aty, është këtu… Risitë janë këto, që them unë: shëlbimi jepet nga ky apo ai…”. Krishti është një i vetëm. E Krishti është i qartë në mesazhin e Tij.

Udha e atij, që ndjek Krishtin, është martirizimi

         Jezusi, vëren Papa Françesku, nuk e zhgënjen ndjekësin e vet. “Por, cila është rruga e atyre, që jetojnë ‘risinë’ e nuk duan të jetojnë ‘risitë’ e botës?”. Ati i Shenjtë kujton si përfundon Ungjilli i sotëm, me vendimin e skribëve dhe të dijetarëve të ligjit për ta vrarë Jezu Krishtin. “Udha e atyre, që pranojnë risinë e Jezu Krishtit është po ajo e Krishtit: udha drejt martirizimit”, paralajmëron Françesku. Ky martirizim mund të mos jetë gjithnjë i përgjakshëm, i dhunshëm, por e përjetojmë nga pak, përditë. “Ne jemi për udhë e akuzuesi i madh na sheh, duke nxitur akuzuesit e sotëm të na kapin në gabim”. E megjithatë, përfundon Papa Bergoglio, nuk duhet të ulemi në të njëjtën tryezë me “risitë” e botës, nuk duhet “ta shplajmë e ta hollojmë kumtin e Ungjillit”.

10 shtator 2018, 11:45
Lexo gjithçka >