Papa Françesku në meshën e Shën Martës Papa Françesku në meshën e Shën Martës  (� Vatican Media)

Papa në Shën Martë: bariu është i përvuajtur, vuan e lutet, kur akuzohet

Papa Françesku, në homelinë e meshës në Shtëpinë e Shën Martës, kujton se Jezu Krishti kishte autoritet, sepse ishte i përvuajtur dhe i dhembshur. “Edhe ne barinjtë – nënvizon - duhet të jemi pranë njerëzve, jo pranë të pushtetshmëve dhe ideologëve”.

R.SH. - Vatikan

Jezusit i jepte autoritet përvujtëria e tij, afërsia me njerëzit, dhembshuria, që e shprehte me butësi dhe ëmbëlsi. E kur gjërat shkonin keq, siç ndodhi në Kalvar, “heshtëte dhe lutej”. Në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku propozon Krishtin si ikonë e model të bariut, me një autoritet, që është hir i Shpirtit Shenjt dhe i qëndrimit të tij pranë njerëzve të thjeshtë e jo pranë pushtetarëve e ideologëve.

Ringjallja e birit të vetëm të një nëne vejushë

         Ati i Shenjtë komenton pjesën e Ungjillit sipas Lukës, që propozon liturgjia e sotme, atë të mrekullisë së ringjalljes së birit të vetëm të një nëne vejushë. Nënvizon se Jezusi kishte autoritet para popullit, jo për shkak të doktrinës që predikonte, e cila ishte gati e njëjtë me atë të të tjerëve, por sepse ishte “i përvuajtur e zemërbutë”. “Nuk bërtiste, nuk thoshte ‘unë jam Mesia’, ose ‘unë jam Profeti’; nuk i binte borisë kur shëronte dikënd, kur predikonte për njerëzit, ose kur bënte mrekulli, si për shembull, shumëfishimin e bukëve dhe të peshqve. Jo!” Ishte i përvuajtur. Bënte, por nuk mburrej.

Jezusi është pranë njerëve, dijetarët e Ligjit, jo

         Ndërkaq, dijetarët e Ligjit i shikonin njerëzit nga larg e mësonin nga katedra. Nuk u interesonin njerëzit, u jepnin atyre urdhëra e urdhëra pa mbarim.

         Në Ungjill, kur Jezusi nuk rrinte me njerëzit, ishte me Atin Qiellor, lutej. E pjesën më të madhe të jetës së tij publike, Jezusi e kaloi në rrugë, me njerëzit. Kjo afërsi… Përvujtëria e Jezusit, ajo që i jep autoritet, që e afron me njerëzit... Ai i prekte njerëzit, i përqafonte, i shihte në sy, i dëgjonte. …Pranë tyre. E kjo i jepte autoritet.

Jezusi mendonte me zemër

         Shën Luka, në Ungjill, nënvizon “dhembshurinë e madhe”, që provoi Jezusi, duke parë nënën vejushë, të vetme, me djalin e vdekur pranë. Kishte aftësinë për të marrë pjesë në dhimbjen e tjetrit, pa shumë teori. Mendonte me zemër, thekson Papa gjatë homelisë.

         Ka dy aspekte të kësaj dhembshurie, që dua t’i nënvizoj: butësia dhe ëmbëlsia. Jezusi thotë: “Mësoni prej meje, që jam zemërbutë dhe i përvujtë”: zemërbutë… Ajo lloj butësie… Ishte i butë, nuk bërtiste, nuk i dënonte njerëzit. A zemërohej Jezusi? Po! Mjafton të mendojmë çastin kur pa se shtëpia e Atit Qiellor ishte bërë treg, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha… aty u zemërua, mori frushkullën e i përzuri të gjithë. Por e kishte këtë forcë, sepse e donte Atin, ishte i përvuajtur para Atit Qiellor.

Jezusi – ikona e bariut të mirë

         E ëmbëlsinë, Jezusi e tregoi duke iu afruar kësaj nëne të vetmuar, duke e ngushëlluar. Pastaj, mori djalin, e ngjalli dhe ia ktheu së ëmës. Kështu bën me ne të gjithë, edhe sot. Është “ikona e bariut”, thekson Papa Françesku, e ne barinjtë duhet të mësojmë prej tij: “pranë njerëzve, jo pranë grupeve të pushtetarëve e të ideologëve… Këta na e helmojnë shpirtin, nuk na bëjnë mirë!”. Bariu duhet të ketë autoritetin, me të cilin ishte veshur Krishti, autoritetin e përvujtërisë, të butësisë, të afërsisë, të aftësisë për ta ndjerë tjetrin afër, për ta kuptuar dhimbjen e tij.

Bariu i akuzuar vuan, ofron jetën e lutet

         E ç’bëri Jezusi kur punët shkuan keq, pyet Papa, ç’bëri? Ati i Shenjtë, në përfundim të meshës, jep modelin, që duhet ndjekur nga çdo bari i grigjës së Krishtit.

         Kur njerëzit e shanin, atë të Premte të Madhe, kur thërrisnin “të kryqëzohet”, heshtëte, sepse ndjente dhembshuri për ata të gënjyer nga të pushtetshmit e parasë, nga vetë pushteti… E mbylli gojën. Lutej. Në çastet e vështira, në momentet kur çohet peshë djalli, kur bariu përgojohet nga Akuzuesi i Madh përmes shumë njerëzve, shumë të pushtetshmëve, ai vuan, ofron jetën e lutet. E Jezusi u lut. Lutjen e çoi edhe në Kryq, me forcë; e, edhe aty, pati aftësinë t’i afrohet e t’ia shërojë shpirtin Hajdutit.

18 shtator 2018, 12:29
Lexo gjithçka >