Kërko

 Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: veprat e mëshirës janë udha e dashurisë së Krishtit

Dashuria e Zotit nuk njeh kufij. Madhështia e tij duket në vogëlsi e në dashuri: kështu u shpreh Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit. Krishti - pohoi - nuk kërkon fjalime të bujshme mbi dashurinë. Kërkon të bëjmë gjeste të vogla, konkrete, duke vijuar veprën e Tij.

R: SH. - Vatikan

Kisha kremton sot Solemnitetin e Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit, e Papa Françesku e nisi homelinë e tij, duke pohuar se festa mund të quhet edhe  e “e dashurisë së Zotit”. E kësaj teme ia kushtoi reflektimin  e Meshës së mëngjesit në Shën Martë.

Zoti do gjithnjë i pari

Nuk jemi ne, që e deshëm Zotin - shpjegoi - është Ai, që na deshi i pari, sepse “Ai do gjithnjë i pari”. Një e vërtetë, kjo, që profetët e shpjegonin me simbolin e lules së bajames, e para që lulëzon në pranverë. E Papa pohoi: “Kështu është Zoti: gjithnjë i pari. Na pret i pari. Na do i pari, na ndihmon i pari”.

Dashuria e Zoti nuk ka kufi

Por nuk është aspak e lehtë ta kuptosh dashurinë e Zotit. Në fragmentin e Letrës të sapodëgjuar, Shën Pali Apostull flet për pasuritë e padepërtueshme  të  Krishtit,  të një misteri të fshehur.

Është dashuri, që nuk mund të kuptohet. Dashuri, që ia kalon çdo dijeje. Që kapërcen gjithçka. Kaq e madhe është dashuria e Zotit. Një poet shkruan se “është si deti, pa brigje, pa fund… “. Det pa kufij. E kjo është dashuria, që duhet ta kuptojmë, dashuria, që e marrim nga Zoti.

Pedagogjia e Zotit

Zoti, gjatë historisë së shëlbimit, na e dëftoi dashurinë e tij. Pedagog i madh, Zoti - tha Papa - e, duke rikujtuar fjalët e Osesë profet në fragmentin e lexuar, shpjegoi  se nuk e dëftoi përmes forcës. “Jo! Të dëgjojmë. ‘Unë e mësova të ecë popullin tim, duke e mbajtur për dore. Pata kujdes për ta”. Për dore! Pranë: si të ishte baba.

Por, si e tregon Zoti dashurinë? Me gjëra të mëdha? Jo: zvogëlohet, zvogëlohet, zvogëlohet, me këto gjeste dashurie, mirësie. Bëhet fare i vogël. Afrohet. E me këtë afërsi, me këtë zvogëlim, na bën ta kuptojmë madhështinë e dashurisë. I madhi duhet kuptuar përmes të voglit!

Madhështia shprehur në vogëlsi

Së fundi, Zoti dërgon Birin e vet, e dërgon  të bërë njeri, e Biri e përul vetveten “deri në vdekje”. Ky është misteri i dashurisë së Zotit: madhështia më e madhe, e shprehur në vogëlsinë më të vogël. E Françesku na kujton se kështu mund të kuptohet edhe udha e krishterë.

Kur Jezusi dëshiron të na mësojë si duhet të jetë sjellja e krishterë, na thotë pak gjëra, na bën të shikojmë atë protokollin e famshëm, me të cilin do të gjykohemi të gjithë. E ç’na thotë? Nuk na thotë: “Unë mendoj se Zoti është kështu e kështu. E kam kuptuar dashurinë e Zotit”. Jo, jo… unë e bëra vogëlsisht dashurinë e Zotit. I dhashë të hajë të uriturit, të pijë të eturit, vizitova të sëmurin, të burgosurin. Veprat e mëshirës janë pikërisht udha e dashurisë, që na e mëson Jezusi, në vazhdimësi me këtë dashuri të madhe të Zotit!

Jo fjalime mbi dashurinë, por gjeste konkrete

Nuk vlejnë, pra - përfundoi Papa - fjalimet e mëdha për dashurinë! Duhen burra e gra, që dinë t’i bëjnë këto gjëra të vogla për Jezusin, për Atin. Veprat e mëshirës “janë vazhdimësi e kësaj dashurie, që zvogëlohet, arrin tek ne, e ne e çojmë përpara”.

08 qershor 2018, 13:20
Lexo gjithçka >