Kërko

 Papa kremton Meshn në Shën Martë Papa kremton Meshn në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: të krishterët “pa kujtesë”, nuk e takojnë Jezusin

Papa Françeku, në homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, nënvizoi se për të ecur përpara në jetën e krishterë, duhet të kujtojmë takimet e para me Jezusin, të kujtojmë kë na transmetoi fenë dhe ligjin e dashurisë

R. SH. - Vatikan

Kujtesa e krishterë është kripa e jetës! Është të kthehesh mbrapa, për të shkuar përpara: duhet t’i kujtojmë e t’i kundrojmë çastet e para, në të cilat e takuam Jezusin, të kujtojmë edhe kë na e transmetoi fenë dhe ligjin e dashurisë, që Zoti e nguliti në zemrat tona. Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke e marrë shtytjen nga këshilla, që i jep Shën Pali Timoteut, në Leximin e Parë: “Kujtoje Jezu Krishtin!”.

Kujtesa e krishterë është si kripa e jetës

Eshtë një kthim mbrapa me kujtesë, për të takuar Jezusin - shpjegoi Papa - e për të marrë forcë, që të mund të ecësh përpara. “Kujtesa e krishterë është gjithnjë takim me Jezu Krishtin”.

Kur takojmë besimtarë “të hutuar”, shikojmë menjëherë se e kanë humbur  shijen e jetës së krishterë. I zbatojnë urdhërimet e Tënzot, por pa mistikë, pa mundur ta takojnë Jezu Krishtin. E pikërisht Jezusin duhet ta takojmë në jetën tonë.

T’i kujtojmë çastet e takimit me Jezusin

Tri, situatat - sqaron Françesku - në të cilat mund ta takojmë Jezusin: “në çastet e para, në të parët tanë dhe në ligj”. Letra drejtuar Hebrenjve na tregon ç’duhet të bëjmë: “Kujtoni kohët e para, pas ndriçimit tuaj, kur ishit plot me zell…”. Secili prej nesh ka kohët e veta të takimit me Jezusin. Në jetën tonë kemi pasur - vijoi Papa - dy a tre çaste, në të cilat Jezusi na u afrua, na u duk. Mos i harroni kurrë këto çaste: duhet shkuar përmbrapa për t’i rijetuar, sepse janë çaste frymëzimi, në të cilat takohemi me Jezu Krishtin!

Secili nga ne ka çaste të tilla: kur takoi Jezu Krishtin, kur ndërroi jetë, kur Zoti ia hapi veshët për ta dëgjuar thirrjen e Tij, kur Zoti e vizitoi, në një çast të vështirë… I kemi në zemër këto çaste, kur u takuam me Jezu Krishtin. Kur Krishti më takoi mua… Janë burim, që na jep forcë!

“A i kujtoj këto çaste të takimit me Jezusin, kur ma ndërroi jetën?”. Nëse jo, të gërmojmë në kujtesë e t’i kërkojmë. Janë aty. Secili nga ne i ka të ruajtura në kujtesë.

Të kujtojmë kë na e përçoi fenë

Takimi i dytë me Jezusin - vijoi Françesku - vjen përmes kujtesës së paraardhësve, që Letra drejtuar Hebrenjve i quan “krerët tuaj, ata, që ju mësuan fenë”. Edhe Pali, gjithnjë në Letrën e dytë drejtuar Timoteut, e nxit kështu dishepullin e tij: “Kujtoje nënën, e edhe gjyshen, që ta përçuan fenë”. “Feja nuk na erdhi me postë” - kujtoi Papa - por na e transmetuan burra e gra, për të cilët në Letrën drejtuar Hebrenjve shkruhet: “Shikoni ata, që janë një turmë dëshmitarësh e merrni forcë prej tyre, prej atyre që pësuan martirizimin”.

Kam rrënjë, apo jetoj vetëm në të sotmen?

Gjithnjë kur uji i jetës turbullohet paksa - sqaroi Françesku -  duhet të shkosh tek burimi e ta gjesh aty forcën për të ecur përpara. Mund të pyesim; unë i sjell në mendje krerët tanë, paraardhësít e mi. Por, a jam burrë a grua me rrënjë? Apo jam krejt i çrrënjosur? E jetoj vetëm në të sotmen? Nëse është kështu, duhet ta kërkosh menjëherë hirin të rikthehsh tek rrënjët, tek njerëzit, që ta transmetuan fenë.

Kujtesën e ligjit të dashurisë e kemi në zemrat tona

Së fundi Ligji, të cilin Jezusi na e kujton në Ungjillin e Markut. Urdhërimi i parë: “Dëgjoje, o Izrael, Zotin, Hyun tonë!”.

Kujtimi i ligjit. Ligji është gjest dashurie, që e bëri Zoti me ne, sepse na e tregoi rrugën e na tha: “Ec në këtë rrugë e nuk do të gabosh”. Ta kujtojmë, prandaj ligjin. Jo ligjin e akullt, që duket thjesht juridik. Jo, ligjin e dashurisë, ligjin që Zoti e nguliti në zemrat tona!

Kujtesë do të thotë të shkosh mbrapa, për të ecur përpara

Ta kujtosh Jezu Krishtin - përfundoi Françesku - do të thotë t’i kesh sytë të ngulur tek Zoti, tek çastet e jetës kur e takove, çaste prove, tek paraardhësit e edhe tek ligji. Kujtesë nuk do të thotë vetëm të kthehesh prapa. Prapa kthehesh për të ecur përpara. Kujtesa dhe shpresa shkojnë krah për krah. “Kujtoje Jezu Krishtin, Zotin që erdhi, që pagoi për mua e që do të vijë. Zot i kujtesës, Zot i shpresës”

 “Zoti na ndihmoftë të kujtojmë e të shpresojmë” – përfundoi Papa!

 

07 qershor 2018, 13:48
Lexo gjithçka >