Kërko

 Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: t’i shfrytëzosh gratë është mëkat kundër Zotit

Gjatë homelisë së Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku kujtoi shfrytëzimin e grave të sotme, që përdoren si sende, duke kujtuar se janë “çka u mungon të gjithë burrave, për të qenë në ngjasim e sipas shëmbëllesës së Zotit”.

R. SH. Vatikan

“Një lutje për gratë e poshtëruara, gratë e shpërdoruara, për vajzat, që detyrohen të shesin dinjitetin e tyre, vetëm e vetëm për një vend pune”. Këtë kërkoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke reflektuar mbi faqen ungjillore të ditës, sipas Mateut, si dhe mbi fjalët e Krishtit: “Kushdo e shikon gruan për ta dëshiruar, shkel besnikërinë bashkëshortore” e “kushdo   e lëshon gruan e vet, e nxjerr në rrugë të madhe”.

Jezusi ia ndërron faqen historisë

Françesku kujtoi se gratë janë “çka u mungon të gjithë burrave, për të qenë në ngjasim e sipas shëmbëllesës së Zotit”. Jezusi shqipton fjalë të forta, rrënjësore, që ia ndryshojnë faqen historisë, sepse deri në atë çast, gruaja shikohej si qenie e klasës të dytë - për të përdorur një eufemizëm - ishte skllave, nuk gëzonte liri të plotë - vërejti Papa.

E doktrina e Jezusit për gruan e ndërron historinë. Tjetër është gruaja para Jezusit,  e tjetër pas Tij. Jezusi i jep gruas dinjitet, e vë në të njëjtin nivel me burrin, “sepse të dy u krijuan në ngjasim e sipas shëmbëllesës së Zotit”, të dy; nuk vjen një herë burri, e më pas, pak më poshtë, edhe gruaja. Jo! Të dy. E Burri pa gruan pranë - qoftë si nënë, si motër, si nuse , si shoqe pune, si mike - nuk mund t’i shëmbëllejë Zotit.

Edhe sot, tek ne, gratë janë objekt i dëshirës

Françesku u ndalua posaçërisht tek folja “të dëshirosh” një grua, gjë që kujtohet edhe në fragmentin ungjillor. “Në programet televizive, në revistat, në gazetat - kujtoi - gratë paraqiten si objekt i dëshirës, i përdorimit, si në një supermerkat”. Gruaja, edhe kur i duhet të shesë një kilogram domate, bëhet send, poshtërohet, zhvishet lakuriq. E atëherë bashkë me dinjitetin e saj, preket edhe mësimi i Jezusit, që ia dhuroi këtë dinjitet. E - shpoi Papa - nuk duhet të shkosh shumë larg: ndodh edhe këtu, ku banojmë. Në zyra, në ndërmarrje, gratë bëhen objekt i filozofisë përdor e flak, si të ishin hedhurina, pa menduar fare se janë njerëz, me personalitetin e tyre.

Ky është mëkat kundër Zotit krijues, ta flakësh gruan, sepse pa të, ne meshkujt, nuk mund t’i shëmbëllejmë Zotit. Ndjehet një farë tërbimi  kundër gruas, tërbim tejet i keq. E s’është nevoja ta themi… Por sa herë vajzat, për të pasur një vend pune, duhet të shiten si send, që përdoret e flaket tutje? Sa herë? “Po, o Atë, kam dëgjuar se në këtë vend… “Këtu, në Romë. Mos shko më larg”.

Të shikojmë përreth, për ta parë shfrytëzimin

Ç’do të shikonim, po të bënim një shtegtim natën, në disa vende të qytetit, ku shumë gra, shumë emigrante, e shumë vendase, shfrytëzohen, si të kishin dalë në treg: këtyre grave - vijoi - burrat u afrohen jo për t’u thënë “mirëmbrëma”. Fjala e parë që u thonë, është “sa kushton?” - kujtoi Françesku. - E atyre, që e lajnë ndërgjegjen duke i quajtur prostituta, Papa u thotë:

“Ti e bëre prostitutë, siç thotë Jezusi: “kushdo që e lë gruan, e nxjerr në rrugë të madhe. Del në rrugë e shitet, sepse ti nuk e trajton mirë. Atëhere përfundon zi e më zi, bëhet skllave”.

Bëjmë mirë t’i shikojmë këto gra e të mendojmë se, përballë lirisë sonë, ato janë skllave të mendësisë së hedhurinës.

Dhe e gjithë kjo që ndodh këtu, në Romë, ndodh edhe në qytete të tjera. Kudo takon gra pa emër, gra - mund të themi - që nuk guxojnë t’i ngrenë sytë, sepse turpi i bën t’i ulin qepallat. Gra, që kanë harruar të qeshin, që nuk e njohin gëzimin e nënës kur mëkon fëmijën, as nuk e dëgjojnë kurrë emrin e dashur nënë. Por edhe në jetën e përditshme, pa shkuar në këto vende, ndjehet fort mendimi i keq për ta flakur gruan, për ta parë si objekt të klasës së dytë. Duhet të reflektojmë më mirë. E duke e bërë këtë, ose duke e thënë, përbuzim vetë Zotin, që i krijoi burrin e gruan sipas shëmbëlltyrës së vet. Ky fragment i Ungjillit na ndihmoftë të mendojmë se në tregun e grave, shikojmë trafikun, shikojmë atë që bëhet e nuk thuhet. Aty gruaja poshtërohet vetëm pse është grua!

Me dashurinë e vet, Krishti ta rikthen dinjitetin

Jezusi - kujtoi - pati një nënë, pati edhe shumë mike, që e ndiqnin pas për ta ndihmuar në shërbesën e Tij e për ta mbështetur. “E gjeti edhe shumë gra të përbuzura, të shtypura, të flakura në rrugë të madhe, të cilat i ngriti nga balta me dashurinë e Tij, duke ua rikthyer dinjitetin”.

 

 

 

15 qershor 2018, 13:54
Lexo gjithçka >