Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: i krishteri lutet për armikun e tij dhe e do

“Duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata, që ju persekutojnë”: ky, misteri, të cilit duhet t’i përmbahen të krishterët, për të qenë të përkryer, si Ati. Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e sotme, përqendruar tek Ungjilli i Mateut.

R. SH. - Vatikan

Falja, lutja, dashuria për atë, që dëshiron të na shkatërrojë, për armikun tonë: vetëm Jezusi mund të na e kërkonte gjithë këtë! Papa Françesku, duke rilexuar kapitullin e pestë, versetin 43 të Ungjillit të sotëm sipas Mateut, pranon se njeriu e ka vështirë ta ndjekë modelin e Atit qiellor, që ka dashuri “universale”, prej këndej, e sfidon të krishterin, domethënë, e shtyn t’i kërkojë Zotit hirin, që të dijë t’i bekojë armiqtë e të mundohet edhe t’i dojë.

Të falim, që të falemi

E kuptojmë - reflektoi më pas Françesku - se duhet t’i falim armiqtë. “Ia themi këtë ditë për ditë Atit tonë; i kërkojmë të na falë, ashtu si i falim edhe ne fajtorët tanë: është kusht…”, edhe pse jo i lehtë. Kështu edhe të lutemi për të tjerët, për  ata që na bezdisin, që na vënë në prova, nganjëherë tejet të rënda: e vështirë edhe kjo, por e bëjmë! Ose nganjëherë edhe ia dalim mbanë ta bëjmë”.

Por, të lutemi që Zoti t’i bekojë ata që mundohen të na shkatërrojnë, armiqtë, kjo nuk mund të kuptohet lehtë. Të mendojmë  për shekullin e kaluar, për të krishterët rusë, të cilët vetëm pse ishin të krishterë, u internuan në Siberi, për të vdekur nga e ftohta: e ata duhet të luteshin për xhelatët, që i ngujuan mes akujve? Si është e mundur kjo? E pra, shumë prej tyre e bënë: u lutën. Të mendojmë për Auschwitz-in dhe kampet e tjera të përqendrimit: të burgosurit duhet të luteshin  për diktatorin, që donte racën e pastër! E për këtë pastrim race, pastronte masa njerëzish, duke i vrarë pa e brerë fare ndërgjegjja. Të luteshin, që Zoti  ta bekonte! E shumë prej tyre e bënë.

Të mësojmë  logjikën e Jezusit dhe të martirëve

Kjo është logjika e vështirë e Jezusit të cilën, në Ungjill, e gjejmë në lutjen e shfajsimit të atyre, që po e mbërthenin mbi Kryq: “Fali, o Atë, se nuk e dinë çfarë bëjnë!”. Jezusi, nga kryqi, kërkon falje për ta, ashtu si bën në çastin e  martirizimit, edhe Shën Shtjefni.

Po sa larg, pambarimisht larg jemi ne, që shpesh nuk falim as ngacmimet më të vogla, duke harruar fare se Zoti na kërkon, duke na dhënë edhe shembullin e vet, t’i falim ata, të cilët duan të na shkatërrojnë. Në familje është tejet e vështirë nganjëherë të pajtohen bashkëshortët, pas ndonjë sherri të madh. Edhe më vështirë ta falë nusja vjehrrën e anasjelltas. E vështirë edhe që djali t’i kërkojë  falje atit. Po t’i falësh  ata që po të mbysin, që duan të të zhdukin fare nga kjo botë…. E jo vetëm t’i falësh, “por edhe të lutesh për ta, që Zoti t’i ruajë”! E akoma, edhe t’i duash. Vetëm Fjala e Jezusit mund ta shpjegojë gjithë këtë. Unë nuk mund të shkoj më tutje!

Të kërkojmë hirin për të qenë të përkryer, si Ati

Është hir për t’u kërkuar - nënvizoi Papa - që të mund ta kuptojmë sadopak këtë mister të krishterë, të jemi të përkryer, si Ati, që ua jep tëra të mirat e Tij “si të mirëve, ashtu edhe të këqijve”. Na bën mirë - përfundoi Françesku - Të mendojmë për armiqtë tanë, “besoj se të gjithë i kemi”:

“Na bën mirë sot të mendojmë për një armik - besoj se të gjithë e kemi ndonjë - që na ka bërë keq a që dëshiron të na e bëjë të keqen. Lutja mafioze është: “Do të ma paguash shtrenjtë!” Lutja e krishterë: “Bekoje, jepja o Zot bekimin tënd e mësomë ta dua!”. Të mendojmë vetëm për njerin, sot. Të gjithë e kemi një. Të mendojmë e t’i lutemi Zotit të na japë hirin ta duam!

19 qershor 2018, 13:07
Lexo gjithçka >