Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: fyerja e vret të ardhmen, shko nga zilia, në miqësi!

Papa Françesku, në homelinë e Meshës së mëngjesit në Shën Martë, kujtoi se kur e fyen rëndë tjetrin, edhe në automobil, i heq të drejtën e dinjitetit. Jezusi kërkon të pajtohemi: “Nëse nuk i fyejmë të tjerët, i lëmë të rriten”.

R. SH. - Vatikan

Kur fyej rëndë tjetrin, edhe në makinë, nësa trafiku arrin kulmin, apo, më shpesh, për zili, filloj ta vras, t’i heq të drejtën për t’u respektuar, ia mbys të ardhmen. Pajtimi, që na e kërkon Krishti, është rrënjësor: dinjiteti i tjetrit, e edhe imi, duhen respektuar. Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot në mëngjes në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut  kushtuar fjalëve të Jezusit mbi drejtësinë, fyerjen dhe pajtimin.

Merru vesh me kundërshtarin, nëse nuk do të shkosh në gjyq

“Merru vesh shpejt e shpejt me kundërshtarin”,  që mos të të dorëzojë në dorë të gjykatësit e të flakesh në burg! Ftesa, që i bën Jezusi dishepujve - komentoi Papa - është urti njerëzore: “është shumë më e mirë marrëveshja e keqe, sesa gjykimi i mirë”. Që të kuptohet më thellë mësimi i Tij mbi lidhjen e dashurisë e të bamirësisë me vëllezërit tanë, Zoti përdor një shembull të përditshëm. Më pas shkon edhe më  përtej dhe nis e shpjegon problemin e fyerjeve.

Të fyesh, do të thotë ta përbuzësh tjetrin

Fyerjet, që kujton Jezusi, janë të stërvjetëruara - qeshi Françesku - duke shtuar edhe: “sot kemi një listë të gjatë fyerjesh shumë më të stërholluara, më folklorike, më të thekura”. E është gjë e rëndë, sepse shkelim mbi një Urdhër Hyjnor. Dekalogu na urdhëron “Mos vra!”, e shton: kushdo që tërbohet kundër vëllait, duhet të shkojë në gjyq. Mos harro se kur t’i thuash vëllait “budalla” ose “i çmendur”, të pret gjyqi, e natyrisht edhe dënimi.

“Zoti thotë: ‘Fyerja nuk mbaron në vetvete, është portë që hapet, udhë që përfundon  me vrasje’”.

 E kjo, sepse fyerja “është hapi i parë drejt vrasjes”. Fyerje do të thotë ta  përbuzësh tjetrin, t’i heqësh të drejtën e respektimit, ta lësh mënjanë, duke e vrarë para syve të shoqërisë.

Kush fyhet, nuk ka më të drejtën e fjalës

Këtu Papa vjen në kohët tona, mes nesh, “që jemi mësuar të thithim ajrin e fyerjeve”. Mjafton të ngasësh makinën në kulmin e trafikut. Aty është një karnavale fyerjesh. “E njerëzit janë vërtet krijues, kur është fjala për të sharë”. E sharjet e vogla, që flaken rastësisht në kulmin e trafikut, duke ngarë makinën, nisin e bëhen sharje të rënda. E fyerja e shlyen dinjitetin e njeriut . “Kjo do të thotë t’i vësh tjetrit përsipër rrasën e varrit. Ky njeri nuk ka më të drejtë të flasë, zëri i tij është shlyer nga kori i zërave”.

Fyerja lind nga zilia e atij, që të kërcënon

Fyerja është tejet e rrezikshme - shpjegoi më pas Françesku - sepse shpesh e më shpesh lind nga zilia. Kur ndokush ka ndonjë kufizim mendor a fizik, nuk  të kërcënon, prej këndej nuk ke dëshirë ta fyesh.

Po kur tjetri bën ndonjë gjë, që nuk të pëlqen, nis sharja. Tjetri fyhet si pa gjë të keq, quhet budalla: njeri me të meta fizike, shoqërore, me të meta të trashëguara, pa aftësi për t’u integruar. E kështu vritet: vritet ardhmëria e njeriut, vritet rruga e jetës së tij. Është zilia ajo, që të hap portën, sepse kur shikoj tek tjetri ndonjë gjë, që më kërcënon, zilia më shtyn t’ia nis sharjeve. Gati gjithnjë është zilia aty”.

Shumë njerëz e kanë në shpirt zilinë

Libri i Urtisë - shtoi Papa - na kujton  se për shkak të zilisë së djallit, në  botë hyri vdekja. Është zilia, që çon në mort. Nëse themi “unë nuk e zileps askënd”  - duhet ta mendojmë mirë këtë fjalë, që na del nga goja: “Jemi para një zilie të fshehur,  që të zverdh, të jeshilon, të bën si zehri, kur je i sëmurë”. Njerëz me shpirt të verdhë, me shpirt të jeshiluar, nga zilia, që i çon, pastaj, tek sharja, tek fyerja, tek rrënimi i tjetrit.

Pajtim do të thotë të kalosh nga zilia, në miqësi

Po Jezusi e mbyll këtë  bisedë - nënvizoi në përfundim Papa Françesku - me fjalët: “Jo! Kjo nuk është e drejtë!”. Nëse ti shkon të lutesh, shkon në Meshë e kujtohesh se njëri nga vëllezërit e tu ka ndonjë gjë kundër teje, shko e pajtoju me të!”.

Jezusi është radikal. Pajtimi nuk është mirësjellje, jo, është sjellje rrënjësore, që kërkon ta respektosh dinjitetin e tjetrit e edhe tëndin. Kalo nga fyerja, në pajtim; nga zilia, në miqësi.  Kjo  është udha, që na tregon Jezusi sot.

Po të mos fyejmë, i lëmë të tjerët të rriten

E sot - përfundoi Papa - na bën mirë t’i bëjmë vetes pyetjet: “Si fyej? E kur fyej?”. Kur e shlyej tjetrin nga zemra ime me një sharje? E edhe shikoj se aty është rrënja e hidhur e zilisë, që më shtyn ta shkatërroj tjetrin, ta mund në konkurencë. Nuk është gjë e lehtë, kjo! E duhet të mendojmë sa gjë e bukur është të mos fyesh kurrë! Eshtë e bukur, sepse kështu i lëmë të tjerët të rriten. Zoti na e dhashtë këtë hir!

14 qershor 2018, 13:58
Lexo gjithçka >