Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: djalli rrënon dinjitetin, shkakton uri e skllavëri

Gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku reflektoi mbi persekutimet kundër të krishterëve.

R. SH. - Vatikan

Sot jemi dëshmitarë të një persekutimi të madh, jo vetëm kundër të krishterëve, por edhe kundër çdo burri e çdo gruaje “përmes kolonizimeve kulturore, luftës, urisë, skllavërisë, sepse në fund të fundit bota, në të cilën jetojmë, s’është tjetër, veçse botë skllevërish”: Zoti na dhashtë hirin të luftojmë  e, “me forcën e Jezu Krishtit”,  ta  rikthejmë figurën e Tij, që e kemi të gjithë në shpirt. Ky, thelbi i reflektimit të Papës në Meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Persekutimi, pjesë e jetës së krishterë

Duke u ndaluar tek Leximi i Parë, shkëputur nga Letra e Shën Pjetrit apostull,  në të cilin kujtohet se në rrjedhë shekujsh persekutimi i të krishterëve “shpërthente si flaka”, Françesku shpjegoi se persekutimi bën pjesë në jetën e krishterë e se është “lumni”: Jezusi - kujtoi - u persektua për shkak të besnikërisë ndaj Atit.

Persekutimi është pak a shumë ajri, nga i cili rron i krishteri edhe sot, sepse edhe sot ka shumë, shumë martirë, shumë të persekutuar për dashuri të Krishtit. Në shumë vende, të krishterët nuk kanë asnjë të drejtë. Nëse mban kryqin, shkon drejt e në burg. E shumë prej të krishterëve sot janë në pranga. E dënohen edhe me vdekje, vetëm pse janë të krishterë. Sot! Shumë  të krishterë vriten, e  numri i tyre është më i madh, shumë më i madh, sesa ai i martirëve të kohëve të para! Po ky nuk konsiderohet lajm. E prandaj teleditoret, gazetat, revistat nuk i botojnë këto gjëra. E të krishterët vijojnë të persekutohen…

Persekutim i burrit dhe i gruas, krijuar sipas shëmbëllimit të Zotit

Papa vërejti, më pas, se sot  është edhe një persekutim tjetër: persekutimi i burrit e i gruas, vetëm pse janë shëmbëllesë e gjallë e Zotit.

E pas çdo persekutimi, si kristian, ashtu edhe njerëzor, është gjithnjë djalli. Është demoni, që kërkon të shkatërrojë  dëshmimin e Krishtit në të krishterët e figurën e Zotit, në burrin e në gruan. U përpoq ta bëjë këtë që nga fillimi  - mund ta lexojmë në Librin e Zanafillës -  të shkatërrojë harmoninë ndërmjet burrit e gruas, krijuar nga Zoti, harmoni, që rrjedh ngase burrë e grua u mbrujtën sipas ngjasimit e shëmbëlltyrës së Zotit. E edhe ia doli ta bëjë. E bëri duke mashtruar, duke joshur… Këto janë armët e djallit. Kështu bën gjithnjë. E edhe sot është një forcë, që vepron kundër burrit e gruas, përndryshe nuk mund të shpjegohet e gjithë kjo valë në rritje e shkatërrimit të burrit e gruas, rrënimit të njerëzores!

Pas urisë, skllavërisë, kolonizimeve kulturore, luftërave, fshihet djalli

Papa kujtoi, në vijim, urinë, këtë padrejtësi, që e rrënon burrin e gruan, sepse nuk kanë ç’të hanë, edhe pse në botë nuk mungon ushqimi. Pastaj foli për shfrytëzimin njerëzor, për format e ndryshme të skllavërisë  dhe kujtoi se kohët e fundit pa një filmim, xhiruar fshehurazi në një burg, ku ishin mbyllur shumë emigrantë, të cilët i nënshtroheshin torturave dhe formave të tjera të shkatërrimit, për t’i bërë skllevër. E - vërejti, me hidhërim të thellë - kjo ndodh  “70 vjet pas shpalljes së Deklaratës të të Drejtave Njerëzore”. Më pas Papa foli edhe për kolonizimet kulturore, “kur kolonizatorët - shpjegoi - i detyrojnë popujt të pranojnë kulturën e tyre, i kundërvihen pavarësisë, kulturës së njerëzve, u imponojnë gjëra çnjerëzore, për t’i shkatërruar, për të mbjellur vdekjen”. Françesku nënvizoi se djalli dëshiron pikërisht shkatërrimin e dinjitetit të njeriut, prandaj e persekuton.

E, në fund, mund të mendojmë për luftërat, si mjet për shkatërrimin e njerëzve, figurës së Zotit. Por edhe të njerëzve, që i bëjnë luftërat, për të pasur pushtet mbi të tjerët. Ka njerëz, që merren me prodhimin e armëve, për ta shkatërruar njerëzimin, për të shkatërruar figurën e burrit e të gruas, si fizikisht, ashtu edhe moralisht e kulturalisht. “Por, o Atë, këta nuk janë të krishterë! Si është e mundur që persektojnë?”. “Po. Janë shëmbëllim i Zotit. E prandaj djalli i persekuton edhe ata. E perandoritë e vijojnë persekutimin edhe sot. Këtë bën djalli!”. Prandaj ne nuk mund e as duhet t’ia lejojmë vetes të jemi mendjefoshnjë. Sot, në botë, nuk persekutohen vetëm të krishterët, persekutohet njeriu, burri e gruaja, sepse ati i të gjitha persekutimeve nuk mund t’i durojë fytyrat e tyre, që përngjasojnë aq shumë me Zotin. Prandaj i sulmon e, kur mundet, e rrënon këtë shëmbëllim. Nuk është e lehtë ta kuptosh këtë; duhet të lutesh shumë, për ta kuptuar.

 

 

01 qershor 2018, 14:10
Lexo gjithçka >