Kërko

 Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: dëshmia e të krishterit: kripë e dritë për të tjerët

Kripa shërben për t’i dhënë shije gjellës e drita nuk shndrit vetveten. Kështu edhe dëshmia e thjeshtë e përditshme e të krishterit shërben për të tjerët, jo për t’u mburrur për meritat vetjake. E kujtoi sot paradite Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë.

Të jesh kripë e dritë për të tjerët, pa u mburrur për meritat tua. Kjo është dëshmia e thjeshtë, e përhershme, “shenjtëria e përditshme”, për të cilën është i thirrur i krishteri. E nënvizoi Papa, duke u nisur nga Ungjilli i sotëm, në homelinë e Meshës, kremtuar si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës. Dëshmia më e lartë e të krishterit është të japë jetën, ashtu si bëri Jezusi, domethënë të martirizohet. Por ka edhe një dëshmi tjetër, ajo e përditshme, që nis në ag, sapo zgjohesh, e përfundon në muzg, kur vjen koha për të fjetur.

“Të duket gjë e vogël”, por Zoti, me mosgjënë tonë, bën mrekulli, bën gjëra të mahnitshme - vërejti Françesku. Duhet, prandaj, të sillemi përvujtërisht, domethënë,  duke u përpjekur vetëm që të jemi kripë e dritë:

“Kripë për të tjerët, dritë për të tjerët, sepse kripa nuk i jep shije vetvetes, është gjithnjë në shërbim. Kripë për të tjerët. Pakëz kripë, që i bën gjellët të shijshme, por fare pak. Në supermerkat kripa nuk shitet me tonelata, jo… Shitet me qese a kuti të vogla: mjafton, për të kripur.  E pastaj nuk është dëgjuar kurrë në këtë botë që kripa të mburret për vetveten, sepse nuk i shërben kurrë vetvetes. Nuk e krip kripën. Është aty për t’i ndihmuar të tjerët: për të kripur ushqimet, që të ruhen gjatë. Dëshmi e thjeshtë.

Asnjë meritë

Të jesh i krishterë i çdo ditë, do të thotë të jesh si drita - theksoi Papa - dritë për njerëzit, dritë për të  shndritur orët e errta:

“Zoti na thotë kështu: ‘Ti je kripë, ti je dritë’. Kështu është Zoti. E ti nis e mendon: ‘Do të tërheq shumë njerëz në Kishë e do të bëj…’- ‘Jo! Kështu do t’i bësh të tjerët ta shohin e ta lumnojnë Atin. Po ty nuk do të të njihet kurrfarë merite”.

Ne, kur hamë, nuk themi: “Sa e mirë kjo kripë”. Natën, kur sillemi nëpër shtëpi, nuk themi: “E mirë drita”, jo! Jetojmë të shndritur prej saj, pa e kujtuar fare. Kjo është një përmasë, që na bën ne të krishterët anonimë në jetë.

Shenjtëria e përditshme

“Nuk jemi protagonistë të meritave tona” – nënvizoi akoma, në përfundim, Papa e nuk duhet, prandaj, të bëjmë si bëri farizeu, që e falënderoi Zotin, duke menduar se ishte shenjt:

“Është një lutje për ne të gjithë, që mund ta themi në muzgun e ditës. Lutje e gatuar me pyetje: ‘A isha kripë sot?’, ‘Isha dritë?’. Kjo, shenjtëria e çdo dite. Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë këtë!”.

12 qershor 2018, 12:37
Lexo gjithçka >