Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: shfrytëzimi i punës është mëkat mortar

Duke ia kushtuar Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, “popullit fisnik kinez”, që sot kremton Zojën e Sheshanit, Marinë Ndihmëtare, Françesku ftoi për të ndenjur larg pasurive, që të joshin e të bëjnë skllav.

R. SH. - Vatikan

Të rrimë larg pasurive. E të mos harrojmë se na u ofruan nga Zoti për t’ua dhuruar edhe të tjerëve. Ky, kuptimi i fjalëve të Papës në Meshën e mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës, të cilën sot, në përkujtimin e Marisë Ndihmëtare, Françesku ia kushtoi “popullit fisnik kinez”, duke kujtuar se pikërisht sot, në Shangai, kremtohet festa e Zojës së Sheshanit.

Varfëria, në qendër të Ungjillit

Duke e marrë shtytjen nga Leximi i Parë, shkëputur nga Letra e Shën Jakut apostull, në të cilën theksohet se paga e papaguar e punëtorëve bërtet e britma arrin deri në veshët e Zotit, Papa përsëriti fjalët, që Apostulli ua drejton të pasurve. Nuk përdor gjysma fjalësh, Apostulli, nuk bëlbëzon, por ngre zërin në kupë të qiellit. I quan pasuritë “kalbësira”. E - kujtoi Papa - Jezusi nuk kishte thënë më pak, por shumë më tepër: “Mjerë të pasurit!” - “Mjerë ju, o të pasur!” - vijon të na kujtojë, pasi shqipton Lumturitë në variantin e Lukës. Sikur ndokush ta bënte këtë predikim në gazeta, të nesermën për të do të shkruhej: “Ky prift është komunist!”. Po varfëria është në qendër të Ungjillit. Predikimi për varfërinë, është në qendër të predikimit të Jezusit: “Lum të varfërit” – kjo, Lumnia e parë; ndërsa karta e identitetit, karta identitare, me të cilën paraqitet Jezusi, kur kthehet në fshatin e tij, në Nazaret, në sinagogë është: “Shpirti i Zoti është mbi mua, sepse Zoti më dërgoi të kumtoj lajmin e gëzueshëm, t’i shëroj zemërplasurit, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve, çlirimin.

 Po në histori e kemi pasur gjithnjë ligështinë për ta hequr këtë predikim mbi varfërinë, duke besuar se është çështje shoqërore, politike. Jo! Është pastërtisht Ungjill, Ungjill i pastër!

Ta duam Zotin me gjithë zemër

Françesku na nxit të reflektojmë mbí këtë predikim kaq të ashpër. Ç’e shtyu Jezusin ta mbante? E shtyu fakti se pasuritë janë idhujtari, janë të afta të të joshin. Prandaj Jezusi thotë edhe se nuk mund t’u shërbehet njëherësh dy zotërinjve: ose i shërbehet Zotit, ose pasurisë. Jep, kështu, kategorinë e Zotit mbi pasuritë, domethënë - shtoi - pasuria të rrëmben e nuk të lëshon e ti shkon kundër urdhërimit të parë: “Duaje Zotin me gjithë zemër”. Por, vijoi të kujtojë Papa, pasuritë i kundërvihen edhe urdhërimit të dytë, sepse rrënojnë lidhjen e harmonishme ndërmjet njerëzve, “rrënojnë vetë jetën”, “rrënojnë shpirtin”. Papa kujtoi Shëmbëlltyrën e pasanikut, që mendonte veç për jetë të rehatshme, për festa, për salltanete - e  të lypësit Lazër, që nuk kishte gjë prej gjëje. Pasuritë - shtoi Papa - e zhdukin harmoninë ndërmjet vëllezërve, e shuajnë dashurinë ndaj të afërmit, na bëjnë egoistë. E Jaku kujton pagën e punëtorëve, që punojnë tokat e të pasurve e nuk u jepet haku: ndokush - vijoi Françesku, - mund të kujtojë se Jaku është ndonjë sindikalist. Po nuk është ashtu. Eshtë apostull, që flet i frymëzuar nga Shpirti Shenjt. E ne na duket - kujtoi Papa – si ngjarje që ndodh sot:

“Edhe këtu, në Itali, lihen njerëzit pa punë, për të shpëtuar kapitalet e mëdha. Shkohet kundër urdhërimit të dytë. E kush e bën këtë, “mjerë ai!”. Nuk e them unë, jo! E thotë Jezusi. Mjerë ju, që shfrytëzoni tjetrin, që shfrytëzoni punën, që paguani në të zezë, që nuk paguani kontributin për pensionin, nuk u jepni punëtorëve lejën për të pushuar. Mjerë ju! Të ulësh rrogën, të bësh dallavere me pagën, është mëkat, mortar! “Jo, o Atë, unë shkoj në meshë çdo të diel e ndjek edhe shoqata katolike e jam katolik i flaktë e bëj edhe nëntshen e këtë e atë…”. Po për të paguar, a paguan? Kjo padrejtësi është mëkat mortar. Nuk je në hir të Zotit! Nuk po ta them unë, jo, po ta thotë vetë Jezusi, po ta thotë Shën Jaku Apostull. Prandaj pasuritë të largojnë nga urdhërimi i dytë, ai i dashurisë ndaj të afërmit.

Lutuni e bëni pendesë për të pasurit

Pasuritë, pra, kanë aftësi të tillë, sa të të bëjnë skllav. Ja pse Françesku nxit “për t’u lutur sadopak e për të bërë edhe sadopak pendesë, këtë herë jo për të varfërit, por për të pasurit”:

“Ti nuk je i lirë përballë pasurive. Ti, që të jesh i lirë përballë pasurive, duhet të rrish larg tyre e ta lutësh Zotin. Nëse Zoti të dha pasuri, t’i dha për t’ua dhënë  edhe të tjerëve e për të bërë, në emër të Tij, shumë të mira për të tjerët. Pa harruar se pasuritë të joshin, e kanë këtë aftësi e ne biem pre e kësaj joshjeje e bëhemi skllevër të pasurive”.

24 maj 2018, 13:52