Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: larg skemave të botës, të lënë pa liri

Gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa nxiti të ecet drejt shenjtërisë e të rrihet larg skemave të botës.

R. SH. - Vatikan

Në çastet e provës, nuk duhet të kthehemi tek skemat e botës, që të heqin lirinë. Duhet të mbetemi në udhën drejt shenjtërisë. E kujtoi Papa sot, në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shën Martë.

Të jesh shenjt, nuk do të thotë të kesh fytyrë figureje

Homelia e Papës u nis nga Leximi i Parë (1 Pjt 1,10-16) i sotëm, në të cilin Pjetri i fton të gjithë të ecin drejt shenjtërisë.

Thirrja për shenjtëri, që është krejt normale, të fton të jetosh si i krishterë. E të jetosh si i krishterë është njëlloj si të jetosh si shenjt. Shpesh mendojmë se shenjtëria është gjë e jashtëzakonshme. Mendojmë se duhet të kesh vegime, duhet të lutesh deri në ekstazë. Madje ka edhe nga ata, që mendojnë se të jesh shenjt, do të thotë ta kesh fytyrën, si ato që shihen vetëm ndër figure. Jo. Të jesh shenjt është tjetër gjë! Është të ecësh në atë udhë, ku na fton vetë Zoti. Atëherë, ç’do të thotë  të ecësh në udhën e shenjtërisë? Na e tregon Pjetri, që thotë: “Mbështeteni gjithë shpresën tuaj në hirin, që do t’ju jepet, kur të duket Krishti”.

Të ecësh drejt dritës

“Të ecësh drejt shenjtërisë”, do të thotë të ecësh drejt hirit, që na pret përpara, të jesh në tension drejt takimit me Jezu Krishtin. Është njëlloj si të ecësh drejt dritës; shpesh ndodh që nuk e shikon mirë rrugën, sepse drita t’i lëbyr sytë. “Por nuk mund të gabojmë - vërejti Papa - sepse shikojmë dritën e dallojmë rrugën. Ndërsa kur ecën me dritën pas shpine, udha shihet mirë, por para nesh është hija e jo drita”.

Larg skemave të botës

 Për të ecur drejt shenjtërisë, pastaj, është e nevojshme të jesh i lirë, “të ndjehesh i lirë”. Pa harruar - vijoi të shpjegojë Papa - se gjërat që të skllavërojnë janë të shumta. Prandaj Pjetri nxit “të mos pajtohesh me dëshirat e kohës, kur ishe i zhytyr në padije”. Edhe Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, kujton: “mos u pajtoni”, gjë që do të thotë: “mos hyni në skema!”.

“Ky është përkthimi korrekt i këtyre këshillave: mos hyni në skemat e botës, mos mendoni e as mos gjykoni si bota, sepse kjo të heq lirinë”. E për të ecur drejt shenjtërisë, duhet të jesh i lirë: të kesh lirinë për të shkuar duke parë dritën, lirinë, për të ecur përpara. E kur rikthehemi në mënyrën e jetesës, që kishim para takimit me Jezusin, ose kur kthehemi në skemat e botës, atëhere e humbasim lirinë.

Pa liri, nuk mund të jemi shenjtorë

Në Librin e Daljes shohim se shumë herë populli i Zotit nuk deshi të shikojë përpara, drejt shëlbimit, por të rikthehej mbrapsht. Ankoheshin e rrinin duke përfytyruar jetën e bukur, që kalonin në Egjipt, ku hanin mish e qepë - kujtoi Françesku. Në çaste vështirësie, populli kthehet prapa, e humbet lirinë. Ndoshta vërtet hanin gjëra të mira, por, mos harroni, shtroheshin “në sofrën e skllavërisë”.

Në çastet e provës, ne e kemi gjithnjë tundimin të kthejmë kokën pas e të shikojmë skemat e botës, skemat që patëm, para se të nisnim udhën e shëlbimit: pa liri. E pa liri nuk mund të jemi shenjtorë! Liria është kushti, që të mundëson  të ecësh duke shikuar dritën përpara. Larg skemave të mendësisë së botës, prandaj,  e në ecje përpara, duke shikuar dritën, që është premtimi; ky është premtimi, që iu bë popullit të Zotit në shkretëtirë! Kur shikonin para, shkonin mirë; kur kishin mall për gjërat e shijshme, që hanin në Egjipt, harronin se atje u mungonte liria.

Skemat e botës të premtojnë gjithçka, po nuk të japin asgjë

Zoti, pra, na thërret për shenjtërinë e përditshme. E ka dy parametra, për të treguar nëse jemi për udhë drejt shenjtërisë: para së gjithash, nëse shkojmë drejt dritës së Zotit, me shpresë për ta gjetur, e pastaj, nëse, kur të vijnë provat, shikojmë para e nuk e humbasim lirinë, larg skemave të botës, që të premtojnë gjithçka e nuk të japin asgjë. “Të jeni shenjtorë, sepse Unë jam shenjt!” - ky, urdhërimi i Zotit.  E, në përfundim, Françesku na kujton edhe një herë të kërkojmë hirin për ta kuptuar mirë  udhën e shenjtërisë: “është udha e lirisë, por me tensionin e shpresës drejt takimit me Jezusin. E ta kuptojmë mirë edhe çfarë do të thotë të shkosh drejt skemave të botës, që i patëm ndjekur të gjithë, para se të takoheshim me Krishtin”.

 

29 maj 2018, 14:43
Lexo gjithçka >