Papa kremton Meshën në Kapelën e Shën Martës, Papa kremton Meshën në Kapelën e Shën Martës,  (Vatican Media)

Papa: jo, thërrime jete të ëmbël, gëzimi i krishterë është paqja

Në Kapelën e Shën Martës, Papa kremtoi Meshën dhe i ftoi të gjithë të mos jenë të burgosur të interesave, por burra e gra të gëzimit e të ngushëllimit.

R. SH. - Vatikan 

Gëzimi është frymëmarrja e të krishterit, gëzim, që ta mbush shpirtin me paqen e e vërtetë e jo të rreme, si ajo, që ofron kultura e sotme, e cila shpik një mori sendesh, për të na dëfryer, “iskra të panumërta jete të ëmbël”, që zhduken sakaq. Në Meshën e kremtuar në Kapelën e Shën Martës, Papa Françesku foli përsëri për një nga tiparet dalluese të të krishterit: gëzimin, pavarësisht nga provat dhe vështirësitë.

Frymëmarrja e të krishterit

Gjatë homelisë, duke komentuar një fragment nga Letra e parë e Shën Pjetrit apostull e, më pas, edhe nga Ungjilli i Shën Markut, në të cilin njihemi me një të ri, që nuk heq dot dorë nga interesat, Papa kujtoi se i krishteri i vërtetë nuk mund të jetë “i ngrysur” ose “i trishtuar”. Të jesh burrë a grua gëzimi - ngulmoi - do të thotë  të jesh burrë a grua paqeje, burrë a grua  ngushëllimi.

“Gëzimi i krishterë është frymëmarrja e të krishterit. I krishteri, të cilit nuk i gufon zemra nga gëzimi, nuk është i krishterë i mirë  Gëzimi është frymëmarrja e të krishterit, mënyra e të shprehurit. Nuk shitet, as blihet. Nuk bëhet me zor. Është fryt i Shpirtit Shenjt. Gëzimi i zemrës është dhuratë e Shpirtit”.

Hapi i parë i gëzimit dhe i paqes

Shkëmbi i patundur, mbi të cilin mbështetet gëzimi i krishterë, është kujtesa; “nuk mund të harrojmë çka bëri Zoti për ne”, “duke na rilindur” për një jetë të re e për një shpresë të re. Për atë, që na pret: takimin me Birin e Zotit. Janë  kujtesa e shpresa ato, që e bëjnë të krishterin të jetojë plot gëzim. Nuk është gëzim bosh,  por gëzim, që buron, në radhë të parë, nga paqja e shpirtit:

“Gëzim nuk do të thotë të jetosh duke qeshur. Jo! Nuk është ky! Gëzim nuk do të  thotë të dëfrehesh. Jo, nuk është kështu. Është një gjë tjetër! Gëzimi i krishterë është paqja. Paqe në rrënjë, paqe në zemër, paqe, që vetëm Zoti mund të na e japë. Ky është gëzim i krishterë. Nuk është e lehtë ta ruash këtë gëzim!”.

Kultura e “thërrimeve të jetës së ëmbël”

Bota e sotme  - vijoi Papa Bergoglio gjatë homelisë - për fat të keq kënaqet me një “kulturë jo gazmore”, kulturë që shpik një mori gjërash, për të na dëfryer, por nuk na dëfren, “shumë copëza jete të ëmbël”, por që nuk të kënaqin plotësisht. Gëzimi nuk është gjë që blihet në treg. “Është dhuratë e Shpirtit Shenjt e felgron edhe në çastin e trazirave, në çastin e provës”:

“Ka shqetësime të mira, por ka edhe të këqija. Janë shqetësimet, që të shtyjnë të kërkosh siguri ku të mundesh, të kënaqesh, si të mundesh. I riu i Ungjillit kishte frikë se po t’i braktiste pasuritë, nuk do të ishte i lum. Gëzimi, ngushëllimi. Frymëmarrja jonë e krishterë!”.

 

28 maj 2018, 12:28
Lexo gjithçka >