Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  

Papa: ipeshkëv për grigjën, jo për karrierën

Ishte fragmenti i shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilën Pali përshëndetet me pleqtë e Kishës për të shkuar në Jeruzalem, “i detyruar nga Shpirti Shenjt”, në qendër të homelisë së sotme të Papës.

R.SH. - Vatikan

Ishte fragmenti i shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilin Pali përshëndetet me pleqtë e Kishës, për të shkuar në Jeruzalem, “i detyruar nga Shpirti Shenjt”, në qendër të homelisë së sotme të Papës Françesku. Apostulli dëshmon bindjen ndaj Shpirtit Shenjt dhe dashurinë për grigjën. Të lutemi që të gjithë ipeshkvijtë të binden, si Pali - theksoi Françesku.

“Fjalë të forta, që të arrijnë drejt e në zemër; e edhe fjalë, që të bëjnë të shikosh udhën e çdo ipeshkvi në çastin e ndarjes. Në homelinë e Meshës së mëngjesit, Papa u ndal posaçërisht tek Leximi i Parë, fragment i shkëputur nga Veprat e Apostujve, pjesa II e të cilit do të vijojë edhe nesër.

Pali në çastin e rrëmimit të ndërgjegjes

Fragmenti i sotëm flet për çastin kur Pali thërret në Efez pleqtë e Kishës, priftërinjtë. Organizon mbledhjen e Këshillit presbiterial për t’u ndarë prej tyre e, gjëja e parë që bën, është një lloj rrëmimi i ndërgjegjes, kujton çka bërë për bashkësinë e ia nënshtron gjykimit të tyre. Pali duket paksa krenar - vijoi Françesku - ndërsa në të vërtetë është objektiv. Krenohet vetëm për dy gjëra: “për mëkatet e veta  e për Kryqin e Krishtit, që e shpëtoi”.

Apostulli, në dëgjim të Shpirtit Shenjt

Pastaj shpjegon se tani, i detyruar “nga Shpirti Shenjt”, duhet të shkojë në Jeruzalem. E Papa komentoi: “Kjo, përvoja e ipeshkvit, e ipeshkvit që di të dallojë zërin e Shpirtit Shenjt, di të kuptojë se është Shpirti i Zotit, ai që flet; e di edhe të mbrohet, kur flet shpirti i botës”.

Pali e di, në një farë mënyre, se po shkon drejt mundimeve, drejt kryqit, e kjo na bën të mendojmë për hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, apo jo? Ai hyn për t’u munduar e Pali shkon pikërisht drejt mundimeve të veta. Apostulli - vijoi Françesku - ia mblaton vetveten Zotit, duke iu bindur plotësisht. Ky është detyrimi i Shpirtit. E ky, Pali!”.

Lamtumira: ruajeni grigjën!

Së fundi apostulli falet me të tijtë, me dhimbje e u lë edhe amanetet, testamentin, që nuk është testament sipas botës, domethënë, lënie sendesh, pasurish. Nuk porosit: “Kjo është pasuria, që po ju lë, jepjani këtij e atij…”. Testament, sipas mendësisë së botës. Dashuria e tij e parë, e madhe është Jezu Krishti. E dyta, grigja: “Vigjiloni mbi vetveten e mbi gjithë grigjën”. Ruajeni grigjën; të jeni ipeshkvij për grigjën, për ta ruajtur e për ta mbrojtur grigjën, jo për të ngjitur shkallët e karrierës kishtare, jo!”.

Testamenti i Palit

Pali ia beson Zotit meshtarët, i sigurt se Ai do t’i ruajë e do t’i ndihmojë. Pastaj kthehet tek përvoja e tij, duke kujtuar se nuk kish dashur për vete as ar, as  argjend, e as petkun e askujt.

Testamenti i Palit është dëshmi. E edhe kumt e sfidë: “Unë e kreva udhën time! Vijojeni ju!”. Sa larg është ky testament nga testamentet e kësaj bote: “Këtë ia lë njërit, këtë atij tjetrit…”. Ua lë pasuritë e mia. Po Pali nuk kishte pasuri. Kishte vetëm hirin e Zotit, guximin apostolik, zbulesën e Jezu Krishtit dhe shëlbimin, që ia kishte dhënë vetë Zoti.

Papa mendon për çastin kur t’i vijë ora e tij

“Kur e lexoj këtë fragment, mendoj për vete” - pohoi Françesku -  sepse jam ipeshkëv e duhet të ndahem, edhe unë, një ditë…! E përfundoi:

“I kërkoj Zoti hirin të mund të ndahem kështu. E në rrëmimin e ndërgjegjes nuk do të dal fitimtar, si Pali që … Zoti është i mirë, është i mëshirshëm, por… Mendoj për ipeshkvijtë, gjithë ipeshkvijtë. Zoti u dhashtë të gjithëve hirin të mund të ndahen kështu, me këtë shpirt, me këtë forcë, me këtë dashuri për Jezu Krishtin, me këtë besim në Shpirtin Shenjt.

 

15 maj 2018, 16:57
Lexo gjithçka >