Kërko

Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa Françesku: bariu nuk humbet kohë me grupazhe

Sot, në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa kremtoi Meshën, duke komentuar fragmentin e Ungjillit të Gjonit kushtuar dialogut të fundit të Zotit me Pjetrin.

R.SH. -Vatikan

Dialogu i fundit i Krishtit me Pjetrin, shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit, ishte sot në qendër të vëmendjes në homelinë e Papës gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë. “Të duash, të kullotësh e të përgatitesh për t’u mbërthyer mbi kryq”. Por, sidomos, të mos biesh në tundimin “për të futur hundën në jetën e të tjerëve”. Kështu, krejt konkretisht, e shpjegoi Papa Françesku ftesën “më ndiq”, që Jezusi ua drejton dishepujve të vet. Pikënisja e homelisë ishte fragmenti i shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit, që na njeh me dialogun ndërmjet Zotit e Pjetrit. Bisedë plot me kujtime për “Simonin, të Birin e Gjonit”: që nga çasti kur ndërron emrin, tek çastet e ligështisë e deri te kënga e gjelit. Tri herë. Udhë mendore, kjo, që Zoti e dëshiron për secilin prej nesh, që të kujtohet rruga e bërë përkrah Tij.

Hapi i parë në dialogun me Zotin është dashuria

Në homeli, Papa kujtoi tri porositë e Zotit, drejtuar Pjetrit: “Më duaj, kullot, përgatitu”. Mbi të gjitha, dashuria, gramatika themelore për të qenë dishepuj të vërtetë të Birit të Zotit; e pastaj, të kullotësh, të kesh kujdes, sepse identiteti i bariut është të kullotë, “identitei i ipeshkvit, i priftit, është të jetë bari”.

“Më duaj, kullot, përgatitu”. Më duaj më shumë se të tjerët, më duaj si të mundesh e sa të mundesh, por më duaj! Këtë kërkon Zoti nga barinjtë. Këtë edhe nga ne, të gjithë. “Më duaj!”. “Hapi i parë në dialogun me Zotin është dashuria”.

Busull, që tregon udhën

Papa Bergoglio kujtoi se të gjithë ata, që e ndjekin Zotin, janë të paracaktuar për t’u martirizuar, për “ta mbartur kryqin”, për të shkuar si e ku nuk dëshirojnë. Por kjo është harta, është busulla, që i tregon udhën bariut:

“Përgatituni për provat, përgatituni për të lënë gjithçka, sepse vjen dikush tjetër e bën gjëra të tjera. Përgatituni për këtë përmbysje të jetës. Përgatitu për çastin kur do të të çojnë në udhën e poshtërimit, e ndoshta, edhe në atë të martirizimit! E për kohën kur të gjithë ata, që kur ti ishte bari, të lavdëronin e flisnin mirë për ty, do të të  marrin nëpër gojë, do të të shajnë, sepse tjetri, që vjen pas teje, do t’u duket më i mirë! Përgatitu! Për kryq. Për çastin kur do të të çojnë ku ti nuk dëshiron! Kjo është harta, e kjo edhe busulla e bariut!”.

Jo, grupazheve kishtare

Në pjesën e përfundimtare të bisedës, Papa vuri theksin mbi tundimin e fundit, tejet të përhapur: mbi prirjen për të futur hundët në jetën e të tjerëve, pa e shikuar fare veten:

“Shiko vetveten e mos shko të futësh hundët në punët e tjetrit. Bariu do, kullot, përgatitet për kryq e nuk i fut hundët në jetën e tjetrit, nuk humbet kohë  për të formuar grupazhe, grupazhe kishtare. Do, kullot e përgatitet mirë, që të mos bjerë në tundim”.

18 maj 2018, 15:35
Lexo gjithçka >