Papa lutet për familjet në krizë, viktima të fajdexhinjve
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku kryesoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të enjten e javës së dytë të Kohës së Pashkëve. Në hyrje, pati një mendim për familjet në vështirësi, për shkak të pandemisë së koronavirusit:
“Në shumë anë, ndihet një nga efektet e kësaj pandemie: shumë familje në nevojë kanë uri e, për fat të keq, ‘i ndihmon’ grupi i fajdexhinjve. Tjetër pandemi kjo. Pandemia shoqërore: familje njerëzish, që kanë një punë të përditshme, ose ndonjë punë në të zezë, të padeklaruar, fatkeqësisht, por tani nuk mund të punojnë e nuk kanë ç’të hanë... me fëmijë. E pastaj, fajdexhinjtë ua marrin edhe atë pak që kanë. Le të lutemi. Të lutemi për këto familje, për fëmijët e shumtë të këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre familjeve. Të lutemi edhe për fajdexhinjtë, që Zoti t’ua prekë zemrat e të ndryshojnë rrugë”.
Gjatë homelisë, Papa komentoi pjesën e Veprave të Apostujve (Vap 5,27-33) ku Pjetri përballet me qortimet dhe kërcënimet e kryepriftit, i cili nuk do që apostulli t’u flasë njerëzve për Krishtin. E Pjetri i përgjigjet se duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve, prandaj u kumton hapur të gjithëve ringjalljen e Jezusit, shpëtimtarit, që krerët fetarë deshën ta vrisnin. Guximi i Pjetrit, i cili ishte i dobët shpirtërisht, aq sa arriti ta mohojë Zotin, vërejti Papa Françesku, vjen nga lutja e Jezusit për të. Jezusi lutet që të mos i mungojë feja. Jezusi lutet për Pjetrin. E Jezusi lutet edhe për ne para Atit Qiellor, duke i treguar varrët e veta, çmimin e paguar për shëlbimin tonë. Jezusi është ndërmjetësuesi: duhet të kemi më shumë besim në lutjen e Krishtit, përfundoi Papa, sesa në lutjet tona.
“Le të mendojmë pak për këtë. T’i drejtohemi Jezusit, duke e falenderuar që lutet për ne. Ai lutet për secilin prej nesh. Jezusi deshi të marrë me vete plagët për t’ia treguar Atit Qiellor. Është çmimi i shëlbimit tonë. Duhet të kemi më shumë besim; më tepër se në lutjet tona, në lutjen e Jezusit. ‘O Zot, lutu për mua’ – ‘Po unë jam Zoti, unë mund të të jap çdo gjë…’ – ‘Po, por lutu për mua, sepse Ti je ndërmjetësuesi’. Ky është sekreti i Pjetrit: ‘Pjetër, unë do të lutem për ty ‘ që feja jote të mos mungojë’ (Lk 22,32). Zoti na mësoftë t’i kërkojmë hirin të lutemi për secilin prej nesh”.
Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:
“Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort”.
Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:
“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.
(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja!
U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)