Kard. Filoni: në Lindjen e Mesme ka nevojë për një mendësi vëllazërimi
R.SH. – Vatikan
Jubileu i Kishës Katolike tashmë ka filluar dhe Papa Françesku ia ka kushtuar shpresës. Ka një vend shprese, që kardinali Fernando Filoni, Mjeshtër i Madh i Urdhrit të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit, prej vitesh nunc apostolik i Bagdadit, e kujton për dëgjuesit e Radio Vatikanit / Vatican Neës, pasi është i panjohur për shumë njerëz (por tejet i rëndësishëm për historinë e zbulesës hyjnore). Madje, nuk e njohin as popujt e Lindjes së Mesme që, për shkak të luftërave, të ndarjeve etnike dhe fetare, thuajse edhe e kanë harruar.
Jo shumë larg Kafel-al-Hilla gjenden mbetjet e Babilonisë së lashtë të Kaldeasve; më në jug, në al-Najaf, sot, banon autoriteti i lartë shpirtëror i shiitëve, Ajatollah al-Sistani, i cili u takua aty me Papën Françesku, më 6 mars 2021. Një moment i paharrueshëm për myslimanët shiitë dhe të krishterët. Në Kafel-al-Hilla ka një sinagogë të lashtë me shkrime hebraike qartësisht të dukshme, një vend shtegtimi për myslimanët dhe të krishterët e paktë që shkojnë atje, por për asnjë hebre, pasi bashkësitë e tyre të fundit u dëbuan nga Iraku, pas luftërave arabo-izraelite të shekullit të kaluar. Aty, sipas një tradite të lashtë, ndodhet varri i Ezekielit profet. Vendi është i shenjtë. Varri rrethohet nga kangjella mbrojtëse; është vend lutjesh, shumë i dashur sidomos për gratë shiite, që kërkojnë ndihmë në fazën fillestare, ose përfundimtare të shtatzanisë.
Pra, Ezekieli profet është ende i gjallë në zemrën e shumë njerëzve, që e nderojnë atë. Thuhet se në rajonin e Babilonisë sillet shpirti i Ezekielit profet, i dëbuar atje në vitin 597 para Krishtit, së bashku me Joakimin, mbretin e Judës, ndërsa në Nineve (sot Mosuli, në veri të Irakut), sillet shpirti i Jonës, predikatarit të kthesës, por varri i tij, i përdhosur dhe i shkatërruar nga ISIS, a do të jetë ende një vend shprese?
Nga këndvështrimi biblik, Ezekieli konsiderohet profeti i Shpirtit të Hyjit; ai, me vegime madhështore, i inkurajonte të mërguarit, i ngushëllonte dhe i edukonte të shpresonin, duke kujtuar se vetë Hyji do t’u japë "një zemër të re dhe një shpirt të ri" (Ez 11,19). Prej tij, kujtohet veçanërisht vegimi emocionues i fushës me eshtra të thata (shih Ez 37,1-14), që morën jetë dhe formë njerëzore, aq sa u kthyen në një mori të pafund qeniesh të gjalla. Ky vegim mbart për të gjitha kohërat një orakull të Zotit të Tejetlartë për vëllazërimin e gjithë popujve. Më vonë u shkrua se Ezekieli predikonte mirësinë hyjnore, e cila i paraprin pendimit: një intuitë shpirtërore, që e ndihmon njeriun të reflektojë për afërsinë e hirit hyjnor.
Në ditët e errëta të ISIS-it, në verën e vitit 2014, pushtohet Mosuli e më pas, edhe një pjesë e mirë e Rrafshit të Ninives. Mijëra të krishterë, jazidë dhe myslimanë u detyruan të largohen, duke kërkuar strehim në Kurdistanin lindor dhe verior. Papa filloi të mendonte për një udhëtim në atë rajon. Paqëndrueshmëria në Irak e shtyu prej atë vizitë apostolike, e cila më pas u la mënjanë, për shkak të Covid-19. Por, u realizua në fillim të marsit 2021, duke u bërë një gjest solidariteti dhe shprese. Në një tokë të tronditur shpesh nga urrejtja, vinin sërish në mendje jo vetëm fjalët e Jonës në Ninive (shekulli VIII p.K.), por edhe ato të Nahumit në Asiri (shek. VII para Krishtit) dhe ato të Ezekielit në Babiloni (shek. VI para Krishtit).
Njerëz të shpresës, si edhe vende që, në shumë rrethana, janë bërë simbole të kthimit te Zoti dhe të solidaritetit, aq të dëshiruar edhe sot në kohë vështirësish. Në kohë mundimesh, mëson Shkrimi i Shenjtë, Hyji e viziton popullin e vet. Libri i Daljes na e kujton këtë (shih Dal 4,31) dhe njerëzit në kohën e Jezusit e mendonin pikërisht kështu, sepse e mira që bënte Krishti dikonte vërtet besim dhe i bënte njerëzit të kuptonin se Zoti po e vizitonte popullin e vet (shih Lk 7,16 ).
Në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe veçanërisht sot në Izrael, Palestinë, Siri, Liban, Iran dhe Irak, ka ende nevojë për një vizion profetik, që i çon njerëzit drejt shpresës, vëllazërimit dhe paqes, përmes respektimit të të drejtave të të gjithëve, të shumicës e të pakicave. Ka nevojë për një ‘Vit Shenjt’ për të gjithë, promotore e të cilit nuk mund të mos jetë Kisha. Një frymë e ngrohtë, e cila u jep jetë të re burrave, grave, fëmijëve, pleqve e të rinjve, të persekutuar e të diskriminuar ashpër, të mbetur me ëndrrën zhgënjyese për të braktisur tokën e tyre e për të emigruar gjetiu. Duhen shëruar frakturat e panumërta të këtyre popujve dhe të këtyre vendeve; duhet që hebrenjtë, të krishterët, skithët, sunitët, kurdët, jazidët, mandeasit dhe të gjitha pakicat e tjera të gjejnë së bashku një mënyrë për një bashkëjetesë civile dhe për respektimin e të drejtave të të gjithëve.
Vëllazërimi është i mundur nëse ndihet Shpirti i Zotit, nëse shpresa nuk vritet dhe nëse fillon një kohë hiri. Favorizimi i gjithë kësaj i takon para së gjithash njerëzve dhe autoriteteve civile e fetare të Rajonit e pastaj, të tjerëve, që duhet të kontribuojnë.