Imzot Gjergj Meta – kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë
R.SH. - Vatikan
Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë me datë 20 shkurt 2024, janë mbledhur në Asamblenë e LXX të Përgjithshme, gjatë së cilës kanë zgjedhur organet e reja drejtuese, meqenëse sipas Statutit të KISH-it, mandatet përkatëse tri vjeçare kishin përfunduar.
Në këto zgjedhje të reja, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, është zgjedhur kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, detyrë të cilën deri më sot e ka kryer Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodër-Pultit. Imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, është zgjedhur Zëvendëspresident i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Imzot Giovanni Peragine, Administratori Apostolik i Jugut, është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Pas zgjedhjeve, ipeshkvijtë e trevave shqiptare kanë biseduar edhe rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me aktualitetin e Kishën shqiptare dhe asaj Universale si Sinodi etj. Po më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të ipeshlvijve të Kishës katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja: ta dëgjojmë:
Në ambientet e selisë së Konferencës Ipeshkvnore u mblodh asambleja e përgjithshme e ipeshkvijve të Kishës Katolike të Shqipërisë. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Sh.T. Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik si edhe ipeshkvijt, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Prishtinë- Prizrenit dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj Arqipeshkëv i Tivarit. Përveç fokusit tek veprimtaria e zakonshme e Kishës, në punimet e kësaj asambleje u bë edhe riformatimi i organeve drejtuese të konferencës. Kështu :
Imzot Gjergj Meta – President i Konferencës Ipeshkvnore
Imzot Simon Kulli – Zv/President i Konferencës Ipeshkvnore
Imzot Giovanni Peragine- Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës
Ndër të tjera, në këtë mbledhje u diskutuan edhe shumë çeshtje të tjera në lidhje me sfidat e Kishës lokale dhe aktualitetin e Kishës universale. Sinodi dhe aktualizimi i tij në Kishën tonë ishte një prej çëshjteve e cila u diskutua gjerësisht. Gjatë ditës së nesërme pritet të diskutohen dhe trajtohen edhe tematika të tjera të një rëndësie të veçantë për jetën e Kishës në trevat tona shqiptare.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH