Zuppi për 60-vjetorin e “Pacem in Terris”: shqetëson kultura e riarmatosjes
R.SH. – Vatikan
“‘Pacem in Terris’ e kemi përdorur pak, herë pas here e nxjerrim nga sirtari. Është gjashtëdhjetë vjeç, por e kemi përdorur pak". Kështu deklaroi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), kardinali Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës në takimin "Nuk ka paqe pa falje", kushtuar 60-vjetorit të Enciklikës së Shën Gjonit XXIII kushtuar paqes, botuar në vitin 1963. Takimi u organizua në bashkinë e Romës nga Karitasi Italian, nga Zyra kombëtare e CEI-it për baritorinë shoqërore e të punës dhe nga lëvizje e shoqata të ndryshme.
Të vetëdijësohemi sërish për temat e enciklikës
E lindur pas tragjedive të Luftës I dhe II Botërore, të dyja të përjetuara nga Papa i ardhshëm Giuseppe Roncalli - njëra si kapelan ushtarak, tjetra si nunc apostolik në Turqi dhe Francë - enciklika pasqyron të gjitha vuajtjet tragjike të shkaktuara nga dy konfliktet, duke i dhënë njerëzimit shpresë për t’i shmangur në të ardhmen. “Duhet ta pyesim veten pse në 60 vjet nuk kemi mësuar, madje, kemi harruar shumë nga ndërgjegjësimi që qëndronte pas ‘Pacem në Terris’”, u tha gazetarëve kardinali Zuppi, përpara takimit. “Magjisteri i Papëve”, me kalimin e viteve, “e ka bërë edhe më tepër të vetën atë intuitë të refuzimit të luftës si metodë për zgjidhjen e konflikteve, por ne vazhdojmë ta përdorim kështu luftën”, shpjegoi presidenti i CEI-t. Ekziston një "kulturë shqetësuese riarmatimi", denoncoi ai, "ndërsa duhet të vazhdojmë në udhën e çarmatimit, që ishte shpirti i enciklikës ‘Pacem in Terris” dhe i dokumenteve, që e pasuan".