Kërko

Virtuozët e Kievit përurojnë Koncertet Jubilare

Të dielë, 26 nëntor, në orën 18:00 në Auditorium della Conciliazione, në Romë, si pjesë e festivalit të kulturës Jubileu e kultura, nën tingujt e melodisë së Antonín Dvořák, muzikantë të rinj ukrainas me famë botërore do të dalin në skenë, të drejtuar nga violonçelisti Dmitry Yablonsky. Shpresa, tema e Vitit të ardhshëm Shenjt, përshkon historinë dhe muzikën e tyre: ikën nga lufta dhe tani mirëpriten në Itali, ku po japin edhe Kocertin falas.

R. SH. - Vatikan

Lufta, mikpritja, muzika, pasioni dhe shpresa: e gjithë kjo përbën jetën e kaluar dhe të tashme të Orkestrës Virtuoze të Kievit, drejtuar nga mjeshtri violonçelist, Dmitry Yablonsky. Jo rastësisht atyre iu besua hapja e "Koncerteve Jubilare - Harmonitë e Shpresës", në përgatitje për Vitin  Shenjt dhe në kuadër të manifestimit "Jubileu është kulturë", organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin. Takimi është të dielën, 26 nëntor, në orën 18:00, në Auditorium della Conciliazione, në Romë: koncerti do të jetë i pari nga tetë të tjerë. Në program është kryevepra e Antonín Dvořák, Simfoni nga Bota e Re, e nënta dhe e fundit e kompozitorit bohem, në të cilën bota e re e Amerikës në muzikë përzien elementë të botës muzikore evropiane në një sintezë të re dhe novatore.

Virtuozët e Kievit

“Jam i nderuar që mund të marr pjesë në këtë projekt pak hapa larg Vatikanit dhe në qytetin më të bukur në botë”. Mjeshtri Dmitry Yablonsky, të cilin e takojmë gjatë provave të koncerteve, nuk e fsheh emocionin dhe dëshiron të nënvizojë se si është historia e tij personale, si dhe ajo e Orkestrës së themeluar në vitin 2016, të cilën e drejtoi që atëherë gjatë turneve në të gjithë botën, lidhur veçanërisht me realitetin e sotëm: një botë në luftë, nga Ukraina në Izrael dhe Palestinë, në të cilën muzika bëhet mbartëse e mesazhit të shpresës.

Të tregosh Ukrainën, përmes muzikës

“Mendoj se të gjithë duan paqen, respektin e ndërsjellë, barazinë mes njerëzve, gjë që nuk duket se realizohet në botë - thotë mjeshtri  - ku  ka kaq shumë gjëra të tmerrshme. Është e pashpjegueshme”. “Unë jam 61 vjeç, kam katër nipër e mbesa dhe mendova se di diçka për jetën, por nuk po dikam: më trondit çka po ndodh dhe sigurisht kur është radha e të dashurve tuaj, nuk mundeni ta besoni. Ne thjesht përpiqemi të jemi pozitivë”. Pozitivitet dhe shpresë që violonçelisti dhe regjisori mendoi t'ua frymëzonte edhe muzikantëve të Kievit, kur pas pushtimit rus të Ukrainës, në mars 2022, nga frika se nuk mund të luanin më, falë një sërë kontaktesh, ia doli t'i transferonte në Itali. Së pari gratë dhe familjet, pastaj burrat. Kështu që nga maji 2022, Chieti dhe Teatri Marrucino i  “birësuan” dhe, falë solidaritetit të shumë njerëzve, mundën të vazhdojnë të luajnë, të incizojnë dhe të bëjnë turne. Me mendjen e zemrën tek toka që lanë pas!

25 nëntor 2023, 13:47