Kërko

Pamje nga filmi "The Man from Rome" Pamje nga filmi "The Man from Rome"

Tertio Millenio Film Fest 2023, harmonia e ndryshimeve ndërmjet feve e kulturave

Fjalët e Papës Françesku për Fondacionin italian Enti i Spektaklit, në shkurt të këtij viti, janë zgjedhur si temë e edicionit të 27-të të Festivalit, që promovon dialogun përmes kinemasë, themeluar në vitin 1997 nga Gjon Pali II. Më 14 nëntor, konferenca ndërfetare dhe në mbrëmje ceremonia e ndarjes së çmimeve për filmin "Green Border" mbi gjendjen e vështirë të refugjatëve në kufirin ndërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë. Tetë filma në garë, nga vende të ndryshme të botës

R.SH. – Vatikan

         "Harmonia e ndryshimeve", e cila është vepër e Shpirtit Shenjt, burim i parë i bukurisë, siç shpjegon Papa Françesku, është protagoniste e edicionit të vitit 2023 - i njëzet e shtati - i Tertio Millennio Film Fest, i cili promovon dialogun ndërmjet feve dhe kulturave të ndryshme, përmes kinemasë. Veprimtaria, që filloi më 13 dhe do të përfundojë më 18 nëntor në Romë, u hap të hënën në mbrëmje në Filmotekën e Vatikanit, me shfaqjen e filmit “Green Border”, i cili ka marrë çmimin e veçantë të jurisë në Festivalin e fundit të Filmit në Venedik të Italisë. Regjisorja polake Agnieszka Holland, e cila në filmin e saj bardh e zi tregon dramën e një familjeje siriane, që përpiqet të arrijë Evropën përmes kufirit ndërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë, mori më 14 nëntor Çmimin Fuoricampo nga promovuesit e “Tertio Millennio”, të “Religion Today” të Trentos dhe të “Popoli e Religioni” të Ternit.

Agnieszka Holland
Agnieszka Holland

Çmimi Fuoricampo për “Green Border”

“Green Border” (Kufiri i gjelbër), shpjegon Gianluca Arnone, drejtor artistik i Festivalit dhe kryeredaktor i “La Rivista del Cinematografo” të Fondacionit Enti i Spektaklit, organizmi i Konferencës Ipeshkvnore Italiane në dialog me botën e kinemasë dhe promotori i ngjarjes, “është kufiri ndërmjet së mirës dhe së keqes, pra ndërmjet asaj fryme vëllazërimi, që na kërkon Papa Françesku dhe frymës së frikës, të mbylljes, që fatkeqësisht e shohim çdo ditë”. Që këtej, vendimi për ta bërë Papën dëshmitar të këtij edicioni të Tertio Millennio Film Fest. Themeluar me nismën e Shën Gjon Palit II më 1997, Festivali organizohet nga Fondacioni Enti i Spektaklit (Feds), me patronazhin e Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, të atij për Komunikimin, të Zyrës së Komunikimeve Sociale dhe të Zyrës Italiane për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar (Unedi), në bashkëpunim me bashkësitë kryesore fetare të pranishme në Itali: Kisha Valdeze, Bashkimi i Komuniteteve Hebraike (Ucei), Bashkimi i Komuniteteve Islame (Ucoii), Coreis , Bashkimi Budist Italian dhe Bashkimi Hinduist Italian.

Konferenca ndërfetare, më 14 nëntor, në Bibliotekën Hebraike

Bashkësitë fetare ishin protagonistet e manifestimit të parë publik të Festivalit, konferencës ndërfetare mbajtur më 14 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Hebraizmit Italian "Tullia Zevi". “Çdo brez duhet të 'ungjillëzohet' për kotësinë e luftës dhe për pasojat e saj dramatike, të dukshme dhe të paimagjinueshme, si edhe për rrugët më premtuese për zgjidhjen e konflikteve”, shkruan imzot Davide Milani, president i Fondacionit Enti i Spektaklit. Kemi nevojë, shpjegon ai, “për një rrëfim përmes imazheve, dokumentarëve, kinemasë që pasqyron vërtetësisht kujtesën, jo në kuptimin arkivor, por për të bashkëndarë gjurmën, që mbetet tek gratë dhe burrat, të cilët jetojnë këto përvoja dramatike. Edicioni XXVII i Tertio Millennio Film Fest është vend për këtë kujtesë dhe për të promovuar dialogun ndërmjet feve dhe kulturave të ndryshme përmes gjuhës së kinemasë”.

Nga filmi "Koncerti"
Nga filmi "Koncerti"

Tetë filma në konkurrim dhe tre çmime finale

Tetë, filmat në garë, por i pranishëm edhe një film i shkurtër, titulluar “Gurët e pengimit”, realizuar nga nxënësit e dy shkollave fillore. Për t’u shënuar, filmi nepalez “The Red Suitcase” (Valixhja e kuqe), me regjisor Fidel Devkota. Pas shumë veprimtarish, ndër të cilat edhe një vizitë në bashkësinë budiste dhe në atë protestante të Romës, Festivali do të mbyllet të shtunën më 18 nëntor. Protagonist i asaj dite, regjisori franko-rumun Radu Mihaileanu, i cili u bë i famshëm me filmin “Train de vie”, një histori me fund të lumtur në mes të tragjedisë së Holokaustit. Takimi do t'i paraprijë ceremonisë së mbylljes me ndarjen e çmimeve, që do të jenë tre: çmimi Tertio Millennio për filmin më të mirë të konkursit, caktuar nga juria ndërfetare; çmimi për filmin më të mirë, caktuar nga juria e kritikëve të Sindikatës Italiane të Kritikëve Kinematografikë; çmimi "Nuovi Sguardi" (Vështrime të reja), caktuar nga studentët e kinemasë në Universitetin Salezian. Më pas, regjisori Mihaileanu do të paraqesë një tjetër sukses të tij, filmin “Koncerti”.

15 nëntor 2023, 16:09