Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Krishtit Mbret 'A'
R.SH. - Vatikan
Solemniteti i Krishtit, Mbret i Gjithësisë, që kremtohet këtë të diel të 34-të gjatë vitit kishtar, e mbyll edhe këtë vit liturgjik. Ai është alfa e omega, fillesa e përmbushja e historisë. e liturgjia e kësaj së diele përqendrohet mbi “omegën”, mbi fundin e rrugës, që na pret të gjithë! E këtë bën edhe Mateu, në Ungjillin e kësaj së dieleje (Mt 25,31-46), duke e vënë predikimin e Jezusit mbi gjyqin universal në epilogun e jetës së Tij tokësore: Ai, të cilin njerëzit po e dënojnë, është pikërisht gjykatësi më i lartë. Me vdekjen dhe Ngjalljen e Tij, Jezusi u tregon të gjithëve se është Mbret i historisë, Mbret i gjithësisë, Gjykatës i të gjithëve. Por paradoski i krishterë është se Zoti nuk paraqitet si mbret, që të shtje hatanë, por si bari, plot me butësi e mëshirë.
Për Jezusin, të mbretërosh nuk do të thotë të komandosh, si komandon bota, por t’i bindesh Atit, që të përmbushet plani i Tij i dashurisë e i shëlbimit. Pushteti i Krishtit nuk është ai i mbretërve dhe i të mëdhenjve të botës, është pushtet hyjnor për të dhënë Jetën e Pasosur, për të çliruar nga e keqja, për të përmbysur sundimin e vdekjes. Është pushtet i Dashurisë, që di të nxjerrë të mirën nga e keqja, të zbutë zemrën më të ngurtë, të çojë paqen në mes të ndeshjes më të ashpër, të ndezë shpresat në errësirën më të dendur. Kjo Mbretëri e Hirit nuk imponohet kurrë. Përkundrazi: e respekton gjithnjë lirinë tonë. Ja një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele sipas Mateut (Mt 25, 31-46):
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’
Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’
Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’
Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, a në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’
Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”
Të lutemi së bashku
Çka më bën gjithnjë përshtypje, o Krisht,
në Ungjillin e kësaj së diele,
është habia, çudia e të dyja palëve,
e atyre, që të dhanë të hash e të pish,
të pritën, u kujdesën e të vizituan
dhe e atyre, që as t’i hodhën sytë
e vazhduan rrugën për qejf të vet.
Të gjithë mbeten të mrekulluar,
sepse nuk besonin se edhe Ti
kishe nevojë për ndihmë.
Kur isha i vogël, më kanë mësuar,
se çdo gjë duhet bërë për Ty,
sepse kështu meritojmë Parrizin.
Por këtu, duket sikur kjo nuk vlen aspak,
sepse Ti nuk analizon arsyet, ndjetet, ndërgjegjen,
që na shtyn ta ndihmojmë të afërmin.
Për sytë e tu, çdo gjest mirësie
vlen, edhe sikur vetëm t’i ketë dhënë zemër dikujt,
të ketë mbështetur një burrë a një grua, një vëlla a një motër.
E kjo ka rëndësi:
jo fjalët e bukura,
jo vetëm besojma në kishë,
por çdo gjest, me të cilin dora jonë
dhuron bukë e ngushëllim,
strehë, veshje e ngrohtësi vëllazërore.