Kërko

Shën Çeçilia Shën Çeçilia 

Shën Çeçilia, Pajtore e muzikës për shkak të një gabimi në transkriptim

Kujtojmë historinë e zhvillimit të traditës, që sot e vë në dyshim nderimin e Martires romake si Pajtore e muzikës. Një zbulim i ri, që ka të bëjë me jetën e Shenjtores

R. SH. - Vatikan 

Candentibus” apo “cantantibus”, kjo është çështja! E pra nuk do të ishte shumë e vështirë për t'u zgjidhur. Do të mjaftonte shfletimi i një fjalori  të gjithës latine! Me të në dorë, do të kishim në dorë edhe jetëshkrimin e ri të Vashës Martire. Por nëse je amanuens mesjetar dhe ke burime që nuk janë saktësisht të besueshme, ekziston një rrezik i lartë për të përsëritur gabimin e transkriptimit dhe, si pasojë e drejtpërdrejtë, Shën Çeçilia mund të mbetej (e edhe mbetet) Pajtore e Muzikës. Sidomos sot, kur edhe në Shqipëri kremtohet nga një mori grash e vajzash, të quejtura Çeçile, Çile, Çiçi, Çiljeta, Çiljetina, Çiluke….

Pajtorja e muzikës e muzika

Sipas traditës, Fisnikja romake e shekullit III gjatë jetës së saj hyri pak e aspak në botën magjepse të tingujve. Kronikat tregojnë  se u martua krejt e re me Valerianin fisnik, i cili pranoi të rrokte fenë në Krishtin dhe të jetonte kushtin e pastrisë. Gjatë kohës së persekutimit, të dy të rinjtë u dënuan me vdekje nga prefekti i Romës Turcio Almacchio dhe bashkë me ta viktimë e sopatës perandorake u bë edhe i shquari Massimo, pasi u akuzua se qe kthyer në fenë e krishterë. Por kjo nuk është e gjitha: para se të vdiste, më 22 nëntor 230, Çeçilia i ktheu në fenë e krishterë edhe ata që po ia merrnin jetën, për t’ua hapur portat e Parrizit. Megjithatë, deri në këtë pikë, muza Euterpe nuk figuron.

Përshkrimi i Passios apo i martirizimit

Së pari duhet sqaruar fjala “Passio”,  që vjen nga  Ungjijtë, e pikërisht nga rrëfimi mbi Martirizimin e Jezusit “Passione di Gesu”, që lexohet a këndohet të Premten e Madhe. Në rastin tonë, përdoret për martirizimin e çiftit të ri.

 Mirëpo, në Passio, shkruar disa shekuj më vonë, thuhet se ditën e dasmës ndërsa luanin organot, shenjtorja dekantabat a këndonte në zemër të vet fjalët: "O Zot, ma ruaj zemrën dhe trupin tim të papërlyer, që të mos mbetet i hutuar”. Prej këndej, arsyeja pse është Pajtorja e muzikës. Në realitet, vargu latin është rezultat i një gabimi transkriptues. Çeçilia nuk ishte, siç mendonin mesjetarët, duke kënduar pastërtinë e saj virgjërore në ditën e dasmës, mes harmonisë gazmore të organos, por lutej candentibus organis, ndërsa përgatiteshin mjetet e torturës… Jo veglat muzikore!

Kështu ajo që e konsideronte fisnike "vuajtjen nga shigjetat e fatit të egër" u portretizua e rrethuar nga veglat muzikore të kohës, për të frymëzuar kryevepra të pavdekshme, për t'u dhënë emrin Akademive dhe shkollave të të gjitha niveleve dhe mbi të gjitha për ta bërë 22 nëntorin e çdo viti, ditë që nuk mund të kalojë pa u vënë re, në një botë ku kujtohet ajo, e ku i urohet emri mijëra Çeçileve!

22 nëntor 2023, 15:51