Kërko

Future Cardinals meet media ahead of the Consistory at the Vatican to create new cardinals Future Cardinals meet media ahead of the Consistory at the Vatican to create new cardinals  (REUTERS)

Kard. Pizzaballa: lirimi i pengjeve është hapi i parë drejt përfundimit të konfliktit

Patriarku i Jeruzalemit komenton lajmet mbi bisedimet, që çuan më 7 tetor në lirimin e disa të rrëmbyerve nga Hamasi dhe të disa të burgosurve palestinezë. Duhet "të kemi perspektiva politike për Gazën e ta shkulim nga rrënjët ideologjinë e Hamasit"

R. SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Lirimi i disa pengjeve, hapi i parë drejt përfundimit të konfliktit të vazhdueshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Kjo, deklarata e patriarkut latin të Jeruzalemit, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, në telefon me mediat e Vatikanit.

Pyetjes “Si i komentoni lajmet e orëve të fundit?”, iu përgjigj:

“Fakti që është arritur një marrëveshje për lirimin e të paktën disa prej pengjeve është pozitiv, sepse deri tani i vetmi kanal komunikimi ishte ai ushtarak. Ndërsa në këtë mënyrë bëjmë hapin e parë drejt lehtësimit të tensionit të brendshëm e edhe ndërkombëtar. Pastaj është edhe mënyrë për të filluar kërkimi i zgjidhjeve të tjera, që nuk janë ushtarake: nënkuptoj zgjidhjet për përfundimin e konfliktit”.

Për lajmin e lirimit të pengjeve ka pasur reagime të ndryshme, sigurisht të kënaqshme. Por nuk kanë munguar as disa komentues, që besojnë se vetë bisedimet përfaqësojnë një farë humbjeje...

“Ata që - le t'i quajmë "skifterët" - duan të identifikojnë paqen me fitoren, ndoshta mund të mendojnë në këtë mënyrë. Por paqja, zgjidhja e konfliktit, nuk mund të jetë fitore absolute. Nuk është e mundur! Pra, është e qartë se zgjidhja nuk mund t'i lihet vetëm ushtarakëve. E qartë edhe se politika duhet të marrë në dorë kontrollin e situatës e të japë, mbi të gjitha, perspektiva, sepse ushtria nuk i ka. Prandaj është e qartë se negociatat, lirimi i pengjeve, janë hapat e para për të ecur më pas në shtigjet e perspektivës politike për Gazën, pas kësaj lufte. Është e nevojshme".

Sipas lajmeve që kemi, njerëzit e zhvendosur në Gazën veriore po përpiqen të kthehen në ato që, siç i përfytyrojmë, në shumicën e rasteve janë banesa të shkatërruara. Si e shpjegoni këtë?

“Me sa kuptoj, nuk ka ende një mundësi të tillë. Disa duan të kthehen sepse situata, edhe në Gazën jugore, ku janë të ngjeshur gjithë këta miliona njerëz, nuk është aspak e lehtë. Kështu që ata duan të ikin prej andej, e këtë e kuptoj shumë mirë. Edhe të krishterët tanë, të mbyllur brenda atij kompleksi të vogël të kishës, vështirë se mund ta përballojnë më këtë situatë. Por për sa kohë që nuk ka perspektiva të qarta politike apo qartësi për fazat e ardhshme, kjo nuk është ende e mundur dhe madje mund të jetë e rrezikshme”.

Si mund të mposhtet terrorizmi? E sidomos, një ideologji si ajo e Hamasit?

"Nuk është e lehtë. Ne duhet ta zhdukim, pak nga pak, me durim – e kjo kërkon shumë kohë - gjithçka që e ushqen atë ideologji. Kështu duhet t’ia presim rrënjët. Është e kotë të priten degët, mbasi mund të rriten përsëri. Së pari duhet t'u japim palestinezëve një perspektivë nacionale, që nuk e kanë akoma! E kam thënë këtë, ndonëse e di që shumëkujt nuk i pëlqeu.   Kjo luftë është dëshmi shumë e qartë: tregon se dy popujt nuk mund të bashkëjetojnë, të paktën jo në këtë kohë. Ata do të duhet të kenë perspektiva të qarta, të përcaktuara, të sakta, më shumë sesa deri tani. Pastaj ka një aspekt tjetër. Hamasi është edhe ideologji fetare; prandaj dialogu ndërfetar është shumë i rëndësishëm, ashtu siç është shumë e rëndësishme të ushqehet dhe të rritet një diskutim fetar, i cili nuk përqendrohet tek urrejtja”.

Çfarë mund të bëjmë ne si të krishterë, e në përgjithësi si njerëz që, pavarësisht se jetojmë larg atyre vendeve, i ndjejmë të afërta, sepse janë vendet e jetës, të ekzistencës tokësore të Jezusit? Çfarë mund të bëhet edhe në nivelin e opinionit publik?

“Para së gjithash për besimtarët është lutja, gjëja e parë që duhet bërë. Pastaj ka nevojë edhe për mbështetje reale, duke përfshirë mbështetjen humanitare. Një aspekt tjetër i rëndësishëm: kam parë se në botë janë krijuar përçarje të forta, njëri kundër tjetrit. Të duket se është e pamundur t'i duash të dyja palët. Unë besoj se është e rëndësishme, si të krishterë, të flasim qartë në ligjërimin tonë. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, në të vërtetën e tyre e, në të njëjtën kohë, duke u përpjekur për t’i mbajtur marrëdhëniet e hapura me të gjithë dhe për t'u thënë të gjithëve, se ne i duam të dyja palët".

25 nëntor 2023, 12:28