Kërko

2023.11.27 Catholic Social Communications of Thailand 2023.11.27 Catholic Social Communications of Thailand

Në Bangkok ipeshkvijtë për rinovimin e misionit të Kishën në fushën e komunikimit

Profesionistët e mediave katolike të Azisë u mblodhën në kryeqytetin e Tajlandës në Mbledhjen e 28-të Vjetore të Ipeshkvijve për të bashkëndarë dëshirën e tyre për të ndihmuar Kishën në komunikimin e mëshirës dhe gëzimit të Ungjillit. Dr. Ruffini: "të krishterët janë të thirrur të jenë misionarë në epokën dixhitale"

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvij, meshtarë dhe laikët nga e gjithë Azia u mblodhën ditët e fundit në Bangkok për të ravijëzuar udhën e misionit të Kishës në fushën e komunikimit shoqëror të Ungjillit në mënyrë efikase dhe të guximshme nëpërmjet të gjitha mjeteve moderne të komunikimit shoqëror. Rreth 30 delegatë u takuan nga 20 deri më 24 nëntor të kaluar në Shtëpinë Dom Bosko në kryeqytetin tajlandez në mbledhjen e 28-të vjetore të ipeshkvijve të FABC-OSC.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe dr. Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin dhe Nataša Govekar, drejtoreshë e drejtimit teologjik-baritor të Dikasterit vatikanas për Komunikim, të cilët iu bashkuan përfaqësuesve të Kishës aziatike gjatë punimeve pesë ditore. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kardinali Charles Bo, kryeipeshkëv i Yangonit dhe president i Federatës së Konferencave të Ipeshkvijve të Azisë (FABC) dhe Kardinali Francis Xavier Kriengsak, kryeipeshkëv i Bangkokut.

Ndërtimi i marrëdhënieve si dishepuj misionarë

Duke folur mbi temën "Komunikimi në Kishën Sinodale", prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, dr. Ruffini shprehu vullnetin e Selisë së Shenjtë për t'u angazhuar në mbështetje të ndërsjellë me Kishat lokale dhe kujtoi se Kisha Sinodale ka të bëjë më shumë me ndërtimin e marrëdhënieve sesa thjesht për transmetimin e komunikimit: Kisha , tha Ruffini, është një komunitet i dishepujve ungjillëzues, kështu që të krishterët janë të thirrur të jenë misionarë në epokën dixhitale dhe komunikues të Kishës, për të bashkëvepruar me mediat sociale, me shpresën për të ndërtuar takime personale me çdo person. "Është gjithmonë mirë të takohesh personalisht dhe të gjesh kohë për të bashkëndarë mendimet, shqetësimet dhe ëndrrat", shpjegoi prefekti dr. Ruffini për Vatican News. “Ajo që kam kuptuar ditët e fundit është se nga Azia, nga Lindja, mund të mësojmë një mësim të vyer: se kultura orientale di të kuptojë se gjithçka është e bashkuar dhe e ndërlidhur, di të shikojë, përtej pamjes e paraqitjes, në thellësi, për të rrëfyer  historinë ungjillore të mëshirës dhe gëzimit”.

Komunikuesit e krishterë në botën dixhitale

Në Ditën e parë të ngjarjes morën pjesë shumë komunikues të rinj nga e gjithë Azia, të cilët u mblodhën në një sesion online për të folur mbi temën "Të komunikojmë fenë në Botën Dixhitale", një projekt i drejtuar nga Dikasteri i Vatikanit për komunikimin shoqëror për të përgatitur të rinjtë për sfidat e komunikimit me të cilat do të përballen në profesionet e vokacionet e tyre përkatëse. Djemtë dhe vajzat që morën pjesë vinin nga Filipinet, Malajzia, Mianmari, Singapori, Vietnami, India, Timori Lindor, Pakistani dhe vetë Tajlanda. Synimi është që, me ndihmën e disa udhërrëfyesve, të rinjtë të fitojnë vetëdije për identitetin e tyre për të komunikuar, pastaj, më mirë në një kulturë respekti, dialogu dhe miqësie.

Nataša Govekar prezantoi dokumentin e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin Shoqëror ‘Drejt pranisë së plotë - Reflektime pastorale mbi angazhimin me mediat sociale’. Është fjala për një tekst me 34 faqe, botuar në maj 2023, i cili i fton katolikët të "jetojnë në botën dixhitale si 'fqinjë të dashur' që vërtet janë të pranishëm dhe të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit në udhëtimin tonë të përbashkët përgjatë 'autostradave dixhitale'".



28 nëntor 2023, 12:30